MENU
klinika

Scriptorium

“Parashikimi i së ardhmes”

17.06.2022 - 09:35

Irene Vallejo y las heroínas silenciadas - Made in Zaragoza

/Irene Vallejo

Në fillim ishte fjala por menjëherë doli në dritë klisheja. Temat që përfliten sot, janë po aq të lashta sa paragjykimet tona.

Që në krye të herës, i klasifikonim njerëzit dhe iu vishnim atyre kostumin e stereotipit të radhës: gruaja e keqe, ajo që ankohet, mjeku që vret, i huaji barbar, shkencëtari i shpërqendruar dhe i paaftë në jetën e përditshme; paragjykime të cilat janë po aq të gjalla sa dikur.

Tek seriali ¨The Big Bang Theory¨, mikrobiologia Bernardette paralajmëron neurobiologen Amy: ¨Nuk besoj që mund t´i shndërrosh celulat e lëkurës në neurone funksionale¨. Amy, që ndër të tjera ishte dhe bashkëshortja e fizikantit Sheldon Cooper, përgjigjet: ¨Kam arritur të shndërroj Sheldon-in në të dashur funksional si mos t´i shndërrokam celulat¨?

Parodia e lunatikut është e vjetër, që në kohën e Arkimedit tregonin anekdoda qesharake për të dhe hutimet e tij: ai harronte të ndizte zjarrin për t´u ngrohur, sepse e kishte mendjen tek figurat gjeometrike dhe hiri i shtëpisë.

Njerëzit talleshin me episodet e jetës së tij por kur Siracusa përjetoi sagën e tmerrshme për faj të romakëve- një qytet i vogël përballë një perandorie të fuqishme -, Arkimedi ideoi disa prej makinerive që tmerruan flotën pushtuese.

Historiani Diodoro Siculo shkruajti që Arkimedi arriti të projektonte dritën përmes pasqyrave tek barkat pushtuese dhe si pasojë djegien e ekuipazhit.

Në kohët tona, ata që e zgjedhin profesionin pa e praktikuar ndihen si të ishin në një kurth, pa një praktikë të qartë, në kërkim të përfitimit ekonomik dhe si pasojë përmirësimin e tregjeve.

Idetë që nuk premtojnë të ardhme, konsiderohen si kapriço të ëndërrimtarëve, keqpërdorim i kohës dhe i talentit. Njerëzimi do me gjithë shpirt të jetë i dobishëm. Por për çfarë shërben dobia?

Ndoshta për të qenë të vlefshëm duhet të pyesim se çfarë na duket ne e vlefshme dhe të mendojmë për qëllimet tona. Nisur nga kjo perspektivë, Hipatia qe ajo që ndërtoi komunitetin shkencor në një kontekst përballjesh sektare.

Wilhelm Conrad Röntgen, shpikësi i rrezeve X, nuk pranoi që ky zbulim të patentohej në emrin e tij por zgjodhi që të ishte i përdorshëm për të gjithë sepse ishte më se i vetëdijshëm për rëndësinë e zbulimit të tij dhe donte që gjithë njerëzimi të kishte akses ndaj tij.

Pasditeve gjatë izolimit për shkak të Covid-it, duartrokisnim për të gjithë mjekët dhe të gjithë personelin mjekësor, të cilët u stërmunduan, punuan jashtë orarit pavarësisht se nga ana tjetër kishte të tjerë të cilët e shfrytëzuan këtë mundësi për të bërë biznes.

Në këtë botë të vrullshme dhe të pasigurt, është e pamundur të parashikosh tezën e pragmatikëve apo ëndrrat e atyre që pikturojnë figura gjeometrike në hi.

Seriali ¨Years and years¨ flet për të ardhmen e afërt të një familjeje. Njëra prej protagonisteve, Celeste, studioi kontabilitet sepse prindërit e siguruan që gjithmonë do të kishte punë.

Pas revolucionit teknologjik, ajo mbetet pa punë: një robot zë vendin e saj. Pas disa kohësh, Celeste e kuptoi që vendimet që janë marrë si pasojë e llogaritjeve, jo gjithmonë janë më të mençurat.

Arkimedi, gjithë kohës mendonte për vijat, cilindrat, sferat. Megjithëse shumë talleshin me matematicienin, që ishte i zhytur përjetësisht në abstraksionet gjeometrike, në plan afatgjatë, implementimet e punës së tij qenë të pafundme. Gjetjet e tij rezultuan thelbësore për Kopernikun dhe për Keplerin, lejuan perfeksiononim e orientimit të anijeve sipas astronomëve, duke zhvilluar e ndërtuar rrugë të paimagjinueshme më parë, eksplorime dhe tregti.

Siç thotë filozofi Alain, kur Arkimedi studionte seksionet konike nuk po kërkonte realisht për të ardhmen e mjeteve lundruese. Nuk po e kërkonte, ndaj dhe e gjeti.

Irene Vallejo, shkrimtare e mirënjohur spanjolle, në vitin 2020 fitoi çmimin Premio Nacional de Ensayo për librin e saj ¨El infinito de un junco¨, e pesta grua që ka fituar këtë çmim dhe e para filozofe që fitoi çmimin ¨Celia Amorós¨ në vitin 2006.

Artikulli u përkthye në shqip nga Albana Murra.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN