Myrteza Mehmetaj është punonjësi i Policisë, i marrë i pandehur nga Prokuroria e Lezhës, për dhunë ndaj të arrestuarit Aldi Rama, i cili pas daljes nga burgu, vrau me armë zjarri oficerin e Policisë, Saimir Hoxha.
Ndaj Mehmetajt është ngritur akuza “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ndërsa prej vitit 2021 ai është larguar nga shërbimi në Komisariatin e Lezhës dhe tashmë punon si specialist në Policinë e Burgjeve, pranë burgut të Fushë-Krujës.
Në dosjen hetimore thuhet se Myrteza Mehmetaj ka qenë me detyrë oficer Policie në Komisariatin e Lezhës dhe gjatë kohës së procedurave të arrestimit të Aldi Ramës, ka ushtruar dhunë fizike ndaj këtij të fundit.
RAPORTI
Rasti është ndjekur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, të cilët në atë periudhë kërkuan kryerjen e një ekspertimi mjekoligjor ndaj 21-vjeçarit, tanimë të ndjerë. Në raportin e ekspertimit, mjekët konstatuan se dëmtimet në trup, Rama i ka pasur si pasojë e dhunës së ushtruar në ambientet e brendshme të Komisariatit Lezhë.
SHKB ka ndjekur të gjitha praktikat e shoqërimit dhe arrestimit të Aldi Ramës, duke zbuluar dhe oficerin, Myrteza Mehmetaj, ndërsa vetë Aldi Rama në atë periudhë akuzoi tre punonjës Policie si të përfshirë në dhunimin e tij në komisariat.
Ky oficer policie rezulton të jetë përfshirë edhe në konfliktin verbal me avokatët Gjergj Neli dhe Shaqe Marinaj, me datë 27 tetor të vitit 2020.
Ndaj policit është ngritura akuza “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe dosja penale e hetuar nga prokurori i Lezhës Francesk Ganaj, brenda pak ditësh do të dërgohet në gjykatë.
Organi i akuzës u vu në lëvizje dhe regjistroi procedim penal, pas kallëzimit të bërë nga 21-vjeçari Aldi Rama, me pretendimin se ishte dhunuar e keqtrajtuar nga uniformat blu, kur u arrestua me lëndë narkotike dhe armë të ftohtë.
Në lidhje me rastin u kryen një sërë veprimesh hetimore, por vetëm për njërin nga 3 efektivët e Policisë të kallëzuar nga i riu është arritur të provohet se ka konsumuar elemente të veprës penale, për të cilën është ngritur dhe akuza.
VRASJA E EFEKTIVIT
Më 28 shtator të vitit 2021, Aldi Rama u bë protagonist i një krimi të rëndë, duke ekzekutuar me armë zjarri oficerin e Policisë së Lezhës Saimir Hoxha, teksa ky i fundit, bashkë me dy kolegë të tij, po ktheheshin nga një aksion antikanabis në Ishull-Lezhë.
Oficerët e Policisë ndaluan për kontroll makinën në të cilën ndodhej Aldi Rama bashkë me dy shokë të tij, por sapo oficeri Saimir Hoxha i ka kërkuar mjetin e identifikimit Ramës, ai e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas ngjarjes, i riu arriti të largohet dhe gjatë operacionit policor për kapjen e tij qëlloi veten me pistolete, duke mbetur i plagosur rëndë dhe një ditë më pas ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
I riu kallëzoi oficerët e Policisë për dhunë
I riu Aldi Rama, i cili ekzekutoi oficerin e krimeve në Policinë e Lezhës, Saimir Hoxha dhe më pas u vetëvra, kishte kallëzuar penalisht disa muaj para krimit efektivët e Policisë për dhunë.
Sipas burimeve, kallëzimi është bërë në Prokurorinë e Lezhës në kohën kur i riu ishte në burg, me pretendimin se ishte dhunuar e keqtrajtuar nga uniformat blu, kur u arrestua me lëndë narkotike dhe armë të ftohtë.
Menjëherë pas kallëzimit penal, organi i akuzës është vënë në lëvizje dhe pas verifikimeve, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Kryerja veprimesh arbitrare”.
Mllefi qe kishte krijuar ndaj uniformave blu, duket se e nxiti të riun të ndërmarrë këtë akt të rëndë me viktimë një oficer policie.
Më shumë se dy muaj pas krimit të rëndë, doli në dritë fakti se nënkomisari Saimir Hoxha të jetë një ndër personat që ka përgatitur dhe firmosur procesverbalin e arrestit për Aldi Ramën, në njërin nga dy rastet që ai është prangosur.
Procesverbali i urdhër-arrestit për Aldi Ramen, që mban edhe firmën e oficerit Saimir Hoxha, i është bashkuar procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria e Lezhës, pas kallëzimit të bërë nga 21-vjeçari për dhunë dhe keqtrajtim nga uniformat blu.
Gjithashtu, muaj më parë është bërë edhe ballafaqimi i të riut të ndjerë me tre efektivët e Policisë, të cilët pretendonte se e kishin dhunuar.