Në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi arritën sot marrëveshje për energjinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Lajmin e dha në Twitter i dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Mirolslav Lajçak.
“Shumë i kënaqur të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, shkruajti Mirolslav Lajçak.
Marrëveshja për energji ishte arritur në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015.
Siç shkruan REL, me arritjen e dakordësisë sot për udhërrëfyesin për zbatim, BE-aj do të luajë rolin e lehtësuesit edhe në implementimin e kësaj marrëveshjeje.
Takimet e sotme në kuadër të dialogut po zhvillohen vetëm dy ditë para se në Bruksel të zhvillohet një takim i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Po ashtu raportet mes këtij rajoni dhe BE-së, si dhe procesi i zgjerimit, do të jenë tema edhe të Këshillit Evropian që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.
Pikërisht dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë shihet si një prej sfidave më të mëdha për rolin e Bashkimit Evropian në rajon.
Deri më tani në BE nuk kanë qenë të kënaqur me rezultatet e dialogut dhe tash kërkojnë që sa më parë të ketë progres konkret që do të çonte deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, e cila do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë përparim në realizimin e aspiratave evropiane.