MENU
klinika

Letërsia botërore

Xhek London “meteor i mrekullueshëm” i letërsisë

24.11.2018 - 10:04

Nëse një vepër letrare meriton të rilexohet aq shpesh pa u rrëzuar ndonjëherë nga piedestali ku qëndron, sigurisht që vepra e Xhek Londonit është një nga të paktat e zgjedhur për përjetësi.

Xhek London (Jack London) lindi më 12 janar 1876 në San Francisko, bir i jashtëligjshëm i një astrologu irlandez dhe i një spiritisteje amerikane. Mbriemrin artistik e mori nga njerku i tij. Novelist, romancier, mjeshtër i tregimeve të shkurtra, veprat e para të të cilit ishin “Biri i ujkut” (1903), “Mbi gjurmët e njeriut” (1906) – beteja të vërteta për mbijetesë, “Ujku i detiti”, “Ndeshja” etj. Braktisi shkollën në moshën 14-vjeç për t’u vënë në ndjekje të aventurës. Eksploroi Gjirin e San Franciskos me anijen e tij njëdirekëshe, shkoi në Japoni si një marinar dhe pa shumicën e Shteteve të Bashkuara si një endacak. Londoni pa kushtet e tmerrshme, u burgos për rrëmujë, dhe më 1894 u bë militant i socialistëve, bindje të cilat nuk i tradhtoi derisa vdiq.

Xhek Londoni emër i paharruar në thesarin e letërsisë botërore, temat e preferuara të të cilit ishin aventura dhe natyre e egër. Mjaftojmë të citojmë emrin e tij dhe vetvetiu tek adoleshentët zgjojmë emocionet e imazheve të veriut, zgjojmë burimin e pashtershëm të personazheve dhe peisazheve të egra të natyrës, karaktere me cilësi nga më të ndryshmet, burra të fuqishëm, stuhi dëbore, arinj etj.

Ai dinte të lexonte dhe të shkruante që në moshën pesëvjeçare. Fusha e pazakontë, e cila e bën atë të pakapshëm nga të tjerët, qëndron në pikëpamjet rebele dhe gatishmërinë për të gdhendur me shumë konsideratë pjesën e mjedisit dhe përvojës personale në prozën e tij shumë më tepër se interesante.

London u arsimua në bibliotekat publike me shkrimet e Çarls Darvinit, Karl Marksit dhe Niçes, zakonisht në forma të popullarizuara. U fut në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, por pas një viti e braktisi pasi u nis drejt kërkimit të pasurisë. U rikthye sërish vitin e ardhshëm, ende i varfër dhe i paaftë për të gjetur punë, kështu që vendosi të fitonte jetën si shkrimtar.

Optimizmi dhe energjia karakteristike përcillet më së miri në romanin e tij autobiografik “Martin Iden” (1909). Po kështu, brenda dy vjetësh, tregimet e aventurave të përjetuara në Alaska filluan të fitonin famë dhe të pëlqeheshin nga publiku. Libri i tij i parë “Biri i Ujkut”, “Tregime nga shumë larg” (1900), një koleksion me tregime të shkurtra që ai kishte botuar më parë në revista, fitoi një audiencë të gjerë.

Gjatë pjesës tjetër të jetës, Londoni shkroi dhe publikoi në mënyrë të vazhdueshme, duke përfunduar rreth 50 libra, trillime dhe jo trillime. Edhe pse ai u bë shkrimtari më i paguar në Shtetet e Bashkuara në atë kohë, të ardhurat nuk përputheshin kurrë me shpenzimet, si rrjedhojë asnjëherë nuk u çlirua nga ngutja e të shkruarit për para. Gjithsesi, prodhimtaria e tij ka një cilësi të pabarabartë letrare.

Tregimi i tij i shkurtër “Për të ndërtuar një zjarr” (1908), i vendosur në Klondike, është një përshkrim mjeshtëror i paaftësisë njerëzore për të mbijetuar në vrazhdësinë e natyrës. Përveç “Martin Iden”, ai shkroi dy romane të tjerë autobiografikë me interes të konsiderueshëm: “Rruga” (1907) dhe “John Barleycorn” (1913), si dhe veprat “Kushtrimi i të parëve” (1903), “Ujku i detit” (1904), apo libri fantastiko-politik “Thembra e Hekurt”, “Rrëfimet e një pijedashësi”, “Aventurat e Kapitenit Grif”, etj.

Reputacioni i Londonit u zbeh disi në Shtetet e Bashkuara në vitet 1920, kur një brez i ri shkrimtarësh bëri që shkrimtarët e Luftës së Parë Botërore të mos dukeshin të sofistikuar.

Por popullariteti i tij mbeti i paprekur në mbarë botën pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në Rusi, ku një botim përkujtimor i veprave të tij të botuara në vitin 1956 u raportua se ishte shitur brenda pesë orëve. Vepra e tij e fundit ishte “Xherri nga Ishujt Solomon”. I dha fund jetës me vetëvrasje më 22 nëntor 1916, në Glen Elen të Kalifornisë. Gjatë shekullit të 20-të ai ishte një nga autorët më të përkthyer amerikanë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!