Policia e Pogradecit ka ndaluar sot 22 vjeçarin e shpallur në kërkim për plagosjen e Joan Muçllarit, djali i një biznesmeni, pronari i një hoteli në Pogradec. Në pranga ka rënë Griseld Maxhari.
Sipas Policisë, “ndalimi i shtetasit G. M., lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 25.04.2022, në qytetin e Pogradecit, ku 22-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin F. B., (i shpallur në kërkim) tentuan të vrisnin me armë zjarri tip pistoletë shtetasin J. M., 22 vjeç, banues në Pogradec”.
Muçllarit iu bë atentat edhe dy vite më parë në hotelin e tij në Volorekë, ndërkohë që babai i tij kërkoi mbrojtje nga policia duke deklaruar se dy djemve të tij u rrezikohet jeta.
Më 26 prill 2022, Policia arrestoi pesë të rinj pasi rezultoi “nga provat e grumbulluara se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me automjete dhe me veprime aktive, dyshohet se kanë ndihmuar autorët e dyshuar të ngjarjes, që të largohen nga vendngjarja”.
Pas arrestimit të Griseld Maxharit, në kërkim mbetet Firdeus Berberi.
Njoftimi
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ekzekutimin e vendimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për ndalimin e shtetasit në kërkim G. M., 22 vjeç, banues në Pogradec.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 29.04.2022, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prishja e qetësisë publike”.
Ndalimi i shtetasit G. M., lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 25.04.2022, në qytetin e Pogradecit, ku 22-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin F. B., (i shpallur në kërkim) tentuan të vrisnin me armë zjarri tip pistoletë shtetasin J. M., 22 vjeç, banues në Pogradec.