Opera shqiptare nisi me emrin e Prenkë Jakovës. Me dy veprat e tij: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe “Mrika”. E para, “Mrika”, do të realizohej në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi, ndërsa do të vihej në skenë në teatrin “Migjeni”, me regji nga Andrea Skanjeti.
“Skënderbeu”, opera e dytë e Prenkë Jakovës, qe sukses për kompozitorin, të cilit iu desh ta ripunonte, për shkak të kritikave zyrtare (mediokre) të kohës.
Prenkë Jakova është autor i disa romancave, kantatave dhe këngëve. Më të njohurat e më të dashurat, që njihen si këngë popullore, janë “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo”.
Kompozitori u lind në 27 qershor të vitit 1917 në qytetin e Shkodrës dhe origjina e familjes së tij është nga Gjakova. Gjyshi i Prenkës quhej Dedë Jakova dhe që në rininë e tij ai ishte i dhënë pas muzikës, duke luajtur me klarinetë në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës. Deda vdiq në moshë fare të re dhe ai la një djalë të quajtur Kolë, i cili nga kushtet e vështira ekonomike të familjes, u fut në punë si shegert në Pazarin e Shkodrës. Prenka ishte fëmija i parë i Kolë Jakovës, i cili në atë kohë punonte në një dyqan argjendarie dhe njëkohësisht njihte e këndonte mjaft mirë këngën popullore të ahengut shkodran, çfarë ndikoi shumë dhe në formimin e mëvonshëm të djalit të tij, Prenkës. Përveç Prenkës, Kola kishte dhe djemtë tjerë më të vegjël se ai në moshë, ku dy prej tyre: Deda e Çesku, punuan si fotografë e muzikantë. Që në moshën shtatëvjeçare, i nxitur nga babai i tij, Prenka u aktivizua në role të ndryshme që viheshin në skenë nga shoqëritë teatrore të asaj kohe, “Bogdani” dhe “Vllaznia”.
Arsimin fillor e mbaroi në vitet 1924-‘29, në shkollën “Skanderbeg”. Më pas, u regjistrua dhe vazhdoi mësimet në Liceun “Illyricum”, po në qytetin e Shkodrës. Nga dega klasike që Prenka studioi në lice, ai kaloi në degën e përgjithshme të gjimnazit të shtetit po në Shkodër, ku u diplomua në vitin 1935. Kur filloi liceun “Illyricum”, u aktivizua në bandën muzikore të shkollës, që më vonë u bë dhe banda e qytetit të Shkodrës, duke qenë klarinetist. Kësaj periudhe u formua si muzikant dhe filloi të drejtojë disa grupe korale dhe formacione të vogla orkestrale, me anë të cilave nisi të stilizonte e përpunonte këngën e re popullore, si për shembull: “Delja rudë”, “Hajredini”, “Besa e një trimi”, “Shkoj e vi flutrim si zogu”, etj. Dy nga mësuesit e parë të Prenkës, prej të cilëve ai mori dhe mësimet e para në muzikë, ishin Martin Gjoka dhe Zef Kurti. Kur nuk ishte më shumë se 18-vjeç, Prenk Jakova u bë drejtuesi artistik i bandës muzikore të liceut “Illyricum” dhe nxënësit e tij të parë ishin: Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tonin Rrota, Zef Gruda etj. Kur iu dha drejtimi i bandës së qytetit të Shkodrës, Prenka shkroi partiturat e para, duke kompozuar marshe për bandë dhe potpuri këngësh popullore shkodrane.
Mësues në Bërdicë e Orosh
Në 2 janar të vitit 1936, Prenka u emërua mësues në fshatin Bërdicë të Prefekturës së Shkodrës. Lidhur me këtë, në kujtimet e vëllait të tij, Çeskut, midis të tjerash shkruhet: “Në atë fshat, Prenka kreu jo vetëm detyrën e arsimtarit, por ai u kujdes dhe u mësoi këngën pothuaj të gjithë nxënësve të shkollës. Gjatë asaj kohe, Prenka mësoi vetë pa pasur asnjë metodë dhe kitarën, e kur i erdhën metodat nga jashtë, ai pa se aty nuk kishte asgjë të re nga ato që ai kishte mësuar nga nevoja. Në pushimet verore të vitit 1939, Prenka me kursimet e tij bleu një fizarmonikë të markës “Settimio Sopreni”, me 80 base dhe metodën e saj. Brenda një kohe shumë të shkurtër, e mësoi në mënyrë të përsosur instrumentin, në atë kohë njihej vetëm me veshë dhe jo me metoda. Pasi kishte mësuar të luante në mënyrë virtuoze me klarinetë, kitarë dhe fizarmonikë, Prenka fitoi njohuri të mjaftueshme edhe në instrumentet e tunxhit e të drurit, mësimin e të cilave e kishte filluar që në gjimnazin e Shkodrës.
Në vitin 1939 Prenka u shkëput për herë të parë nga familja e tij, pasi u emërua mësues në fshatin Orosh të Mirditës. Në atë fshat, ai shkroi një pjesë për fizarmonikë të titulluar “Mall” dhe më pas edhe këngën “Fyelli i Bariut”, teksti i së cilës edhe sot mbetur i panjohur. Kjo shënoi provën e parë të Prenkës për të shkruar fjalët edhe melodinë së bashku, ashtu ishte koncepti i këngës popullore të ahengut shkodran. Pasi qëndroi për më shumë se një vit në Orosh, në 1940-ën, Prenka u transferua në qytetin e lindjes në Shkodër dhe në atë kohë ai shkroi një cikël këngësh për fëmijë dhe operetën me dy akte të titulluar “Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve”. Në vitin shkollor 1941-‘42, Prenka u transferua në Katër-kollë të Ulqinit dhe Oshos të Krajës, ku për të mos humbur aktivitetet artistike në qytetin e Shkodrës, ai e bënte çdo ditë me biçikletë vajtje-ardhje atë rrugë, duke përshkuar 50 km. Në Katër-kollë Prenka nuk qëndroi shumë, pasi në shtatorin e vitit 1942, ai shkoi për studime në Itali, ku u regjistrua në Konservatorin e Muzikës “Santa Cecilia” të Romës, në degën e klarinetës, të cilin e përfundoi me rezultate të larta”, thuhet në kujtimet e vëllait të tij Çeskut
Përgjegjës i Shtëpisë Kulturës
Fundi i vitit 1944, e gjeti Prenk Jakovën si mësues në qytetin e Shkodrës, ku atë e morën për të ndihmuar në aktivitetet që zhvillonte në atë kohë kori i Brigadës së Parë partizane në Shtëpinë e Rinisë, ku ai u emërua përgjegjës i saj. Në atë kohë Prenka u arrestua nga komunistët dhe u mbajt për disa muaj në hetuesi, pasi vëlla i tij u vra duke luftuar kundra forcave partizane të ndjekjes, në një fshat të Shkodrës.
Ish nxënësit e tij Çesk Zadeja e Tonin Harapi, të cilët më pas u bënë kollosët e muzikës shqiptare, në kujtimet për mësuesin e tyre Prenk Jakova, dëshmojnë se gjatë asaj periudhe Prenka shkonte në punë në orën shtatë të mëgjesit dhe punonte pa pushim deri në orët e vona të natës, me korin, solistët dhe instrumentistët e shumtë që kishte në patronazh.
Aq i prerë, strikt dhe konsekuent ishte Prenka në punën e tij me amatorët, saqë për të justifikuar mungesat e tyre në prova, ai u kërkonte vërtetim nga drejtoria e ndërrmarjes ose e shkollës, apo nga Komiteti Profesional. Në atë kohë me grupet që përgatiste, Prenka dha shfaqje të ndryshme, jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe në Ulqin, Cetinjë, Titograd etj.
Në vitin 1947, Prenka përgatiti dhe përpunoi një cikël këngësh të titulluar “Dasma Shkodrane”, me të cilat përveç shfaqjeve të suksesëshme që dha në Shkodër, u paraqit dhe në Festivalin Kombëtar që u zhvillua në Tiranë. Përveç asaj pune raskapitëse, Prenka gjente kohë dhe punonte përsëri edhe në shtëpinë e tij, duke u marë me përpunime këngësh popullore. Ajo periudhë shënon dhe formimin e plotë të Prenkës si muzikant në mënyrë autodidakte.
Në vitet 1948-1951, Prenka punoi si mësues i muzikës pranë shkollave “11 janari” dhe “Vasil Shanto” të qytetit të Shkodrës dhe nuk u shkëput për asnjë ditë nga provat e korit dhe orkestrës të Shtëpisë së Kulturës. Në atë kohë ai kompozoi këngën “Gruri i ri” me tekst të Dhimitër Shuteriqit, e cila u inskenua nga aktori Pjetër Gjoka bashkë me disa këngë të tjera që u paraqitën në Festivalin e vitit 1950 në Tiranë.
Shkruan operën e parë
Një nga kulmet e krijimtarisë së kompozitorit të famshëm Prenk Jakova, është konsideruar opera e parë shqiptare “Mrika”, e cila u shfaq për herë të parë në vitin 1958. Po si e ka zanafillën kjo opera dhe si arriti Prenka ta shkruante atë? Për këtë ngjarje të madhe të kulturës shqiptare, i vëllai i tij, Çesku, në kujtimet e tij midis të tjerash ka shkruar: “Në prag të çeljes së Festivalit të vitit 1952, ishin formuar kushtet që në muzikën shqiptare të hidheshin hapa të mëtejshëm, që duhet ta kalonin pragun e këngës.
Kjo gjë vinte pasi ishin krijuar rrethanat me solistë të aftë dhe të përgatitur dhe me orkestër me formacion simfonik. Kështu në qershorin e vitit 1952, u thirr poeti Llazar Siliqi që të shkruante diçka mbi Hidrocentralin që po ndërtohej mbi lumin Mat. Në fillim ajo nisi si këngë dhe më pas mori formën e një veprimi me dy tablo të titulluar “Dritë mbi Shqipëri”, e cila u shfaq në korrikun e vitit 1952 në Tiranë.
Kjo ishte dhe embrioni i operës së parë shqiptare “Mrika”, që i filloi përgatitjet që nga data 2 maj e vitit 1958, ndërsa vënia në skenë filloi 12 nëntor të vitit 1958. Provat për atë shfaqje bëheshin paralelisht në Shtëpinë e Kulturës, në Teatrin e vjetër dhe në Teatrin e ri “Migjeni”, pas orës 15.00, të cilat vazhduan deri në datën 27 nëntor që u dha prova e përgjithshme. Pas kësaj pune të lodhshme, më 1 dhjetor 1958 u shfaq premiera e saj në Teatrin “Migjeni” dhe pas disa shfaqjesh në atë qytet, më 27 e 28 dhjetor ajo u dha në sallën e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë.
Vënia në skenë e operas “Mrika”, pati një jehonë të madhe edhe jashtë Shqipërisë, si në Itali, Suedi, Çekosllavaki etj, gjë e cila u mësua prej letrave e telegrameve të shumta që i erdhën Prenkës, nga këto shtete. Një personalitet i artit nga Praga, që merrej me historinë e operas botërore, me anë të një letre e përgëzoi Prenkën, për suksesin e arritur me amatorët shkodranë dhe i kërkoi atij t’i dërgonte pamfletin, afishet, fotografitë e reklamat e shfaqjes”, ka shkruar në kujtimet e tij për suksesin e operas “Mrika”, i vëllai i Prenkës, Çesku.
Shokët e pasionet e Prenkës
Ish-nxënësit e Prenkës, Zadeja, Harapi, Gruda, Rrota, Daija etj., që më vonë u bënë mjeshtrit më të mëdhej të muzikës shqiptare, në kujtimet për mësuesin e tyre, kanë treguar se Prenka ka qenë një njeri shumë i thjeshtë dhe në vitet 1945-‘49, ai pati disa oferta për të shkuar në Tiranë, por i refuzoi sepse nuk ndahej dot nga Shkodra. Po kështu, ai e refuzoi edhe ofertën që iu bë në vitin 1953, për të ardhur si dirigjent në Tiranë. Disa vite më vonë, Prenka refuzoi edhe disa oferta për të vazhduar studimet e larta në Pragë, apo në Moskë. Sa herë që kthehej nga ndonjë turne i zhvilluar jashtë shtetit, në valixhen e tij gjeje vetëm albume muzikore dhe partitura, si dhe grepa peshku për shokët e tij amatorë të gjuetisë, me të cilët ai shkonte shpesh në Bunë dhe liqenin e Shkodrës.
Prenk Jakova, gjithashtu ishte i pasionuar pas futbollit shkodran dhe kur u ndërtua stadiumi “Vojo Kushi”, ai shkroi marshin e Sport-Klub “Vllaznisë”, që e këndonin shpesh tifozeria e zjarrtë shkodrane. Ndonëse në mosha të ndryshme, shokët e miqtë më të ngushtë të muzikës për Prenkën, ishin: Kolë Jakova (klarinetist e mësues), Loro Kovaçi (ish-klarinetist), Gjon Karma (ish-flautist), Pjetër Gjoka (tenor dhe aktor), Ndoc Shllaku (violinist) dhe Pjetër Gjergji, kitarist e këngëtar. Më pas, shokë dhe bashkëpuntorë të ngushtë të Prenkës u bënë dhe dirigjenti Mustafa Krantja, kompozitori Tonin Harapi dhe sidomos, poeti Llazar Siliqi.
Kërkesa e Enver Hoxhës ndaj Prenkës
Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: “Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: ‘mor shoku Enver, puna e operas nuk është si bukët, që i fut kur të duash në furrë’. Pas përgjigjies së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”.
Pas atij takimi, Prenka filloi duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha. Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me radhë u mor vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për vlersimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë, që sipas tyre, stononin. Prenka refuzonte në mënyrë kategorike, për ta bërë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili, në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra dhe konservatorizmit. Ndonëse opera “Skënderbeu” u shaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtrore të tij. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën të paralizuar në shtëpi, që ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij shpirtërore.
Vdekja tragjike
Nga këto strese që iu krijuan, më 9 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenkë Jakova i dha fund jetës në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në ceremoninë e varrimit të tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, që ai e kishte krijuar vetë, katër dekada më parë.
Fotografia kryesore: këngëtarja Klotilda Shantoja, duke u përgatitur për të dalë në skenë, me rolin e Mrikës.