MENU
klinika

Nisin bisedimet për të shmangur zgjedhjet e parakohshme

Qeveria e Petkov nuk e kaloi votëbesimin në Parlament

27.06.2022 - 16:56

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev nisi bisedimet të hënën me partitë politike në tentativë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme pasi koalicioni qeverisës i kryeministrit Kiril Petkov nuk e kaloi votë-besimin në parlament.

Petkov, i cili u rrëzua javën që shkoi vetëm gjashtë muaj pasi erdhi në pushtet, shpreson që të krijojë një shumicë dhe të udhëheqë një kabinet të ri koalicioni për të luftuar korrupsionin dhe për të shmangur një dobësim të qëndrimit të vendit, kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Ai shpreson te mbështetja e të paktën gjashtë deputetëve të tjerë që të mund të krijojë një shumicë absolute, por analistët janë skeptikë dhe mendojnë se vendi do të shkojë në zgjedhje gjatë vjeshtës, të katërtat për Bullgarinë që nga viti 2021.

Të hënën, Radev nisi konsultimet me partinë e dytë më të madhe në parlament, atë të qendrës së djathtë GERB, pasi partia PP e Petkovit kërkoi një shtyrje të afatit për bisedimet deri sa parlamenti të votojë mbi ndryshimet e propozuara në buxhet.

“Me të drejtë bullgarët janë të shqetësuar për çmimet në rritje, me luftën në Ukrainë dhe me pasiguritë që lindin nga këto kriza”, deklaroi Radev përpara nisjes së bisedimeve, duke listuar edhe sfidat që presin cilindo koalicion.

Zyrtarët e partisë GERB, informuan Radevin se partia e tyre nuk do të mundohej të formonte një koalicion, nëse Petkov do të dështonte në tentativën e tij të parë. Nëse partia e Petkov, PP, GERB dhe një tjetër parti politike në parlament nuk do të arrinin të formonin një koalicion qeverisës, Radevit do t’i duhet të caktojë një kabinet të përkohshëm dhe të shpallte datën e zgjedhjeve të reja brenda dy muajsh.

Të dielën, Petkov, i cili ka fajësuar interesat korruptive dhe ndikimin pro-rus për rënien e qeverisë së tij, shprehu shqetësimin se një kabinet i përkohshëm i emëruar nga Radevi mund të ndryshojë vendimin e Bullgarisë për të mos paguar në rubla për gazin rus./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Fati i saj në përpjekjet për integrim është i lidhur me…"

‘Ngecja’ e anëtarësimit në BE/ ‘VOA’: Shqipëria është tani viktimë e rastit

Pse vazhdohet "gabimi historik"

BE duhet të flasë hapur me Ballkanin