MENU
klinika

Ecce Homo!

Pse e meriton Plasari, Urdhrin e Skënderbeut?

29.06.2022 - 13:48

       Nuk më befasoi lajmi se, të premten në ora 12:00, Aurel Plasari, dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu”, por më shtyu drejt këtij shënimi të sotëm – shkruan Agron Gjekmarkaj dhe vijon:

Lumi i dekoratave ka vërshuar rrëmbyeshem, nga të gjithë presidentët shqiptarë të tranzicionit. Jo gjithmonë, ato janë shpërndarë sipas merites e sërës. Ndonjëherë shkelqimi i tyre në gjokse që se mbanin dot atë peshë i ka veshur me komizem dhënesit e marresit.

Një spikamë madhështie për luftrat e pa bëra, për trimëritë e pa kryera, për kontributin e pa dhënë, per veprat pa vepër brenda duket mbi ballin e disa elementëve të shoqerisë sonë tanimë faktor ekonomik e politik të cilet lobojnë për të shpërblyer protagonizmin e tyre me medalje të ndryshme.

Presidentet tanë, produkte të ketij ambjenti nuk i kanë shpetuar kesaj ngasjeje e tundimi celebrues.

Por, rasti i sqimatarit më të madh të kultures shqiptare, dendit të saj mbi fronin e sulmuar, Profesor Aurel Plasarit është ndryshe, krejt i pakrahasim. Plasari na ka kujtuar shpesh se druri prej të cilit është latuar Pinoku është natyra njerëzore. Punëtori i fjalës që gjithë mëngjesin mund ta kalojë për të vënë një presje dhe gjithë pasditen për ta hequr, duke i dhënë sharm të bukurës stilistike. Burri që dyshon gjithmonë e për gjithçka, si kërkues i epërm i gjenezës së fenomeneve, atij që latinet do ta thërrisnin ” de omnibus dubitandum” në kerkim të vërtetash formidabile.

Atij asnjë dekoratë, nuk ia bën më të madhe dukjen e peshën, asnjë sosh nuk i shton gjë e as nevojë për to, nuk besoj se ndjen, por është rasti me thënë që prej tij marrin seriozitet, stabilizojnë autoritetin e lënduar, urdhrat, stemat, vetë dekoratat.

Kur një si Plasari e pranon atë, ajo krijon një kanon, një standard, një lakmi civile legjitime e të shtuar. Askujt më shumë se atij, a thua si e bërë enkas për të, nuk i rri mirë, begenisja shtetërore që mban emrin e Mbretit Gjergj – shqiptarit më themelues e më akumulues me identitet, emocione, lavdi e kumt.

Pse më shumë, se askujt?! Pothuaj 20 vjet nga jeta e tij krijuese, i ka kushtuar kërkimeve mbi heroin tonë kombëtar, Arbërisë së tij, familjeve arbërore, rrëzëllimit të arbrit në histori, kohëve të mëpasme, pas ikjes së Gjergjit, “gjakut të shprishur” , jehut të atyre moteve të papërsëritshme, mbi të cilën shqiptarët dolën komb e shtet më vete! Një sërë veprash grishëse, imponuese plot thagmë e thelb, asht i pathyeshëm, ku historia dhe albanologjia ngjisin mishin e vet.

Por mbi të gjitha, si për të kulmuar rreth 600 vjet histori, nga viti 1405 e këtej ”Skënderbeu -një histori politike”, si vepër e kryer, a kryevepër, do të ndihmojë në jetë të jetëve shqiptaret, për të kuptuar e lexuar vetveten, sa herë që nevoja për vetëkonservim e transformim do të shfaqet.

Një moment si ky, kur ndien nevojën për të thënë diçka, është e pamundur t’i shpëtosh retrospektivës. Unë kam qenë një student i Aurel Plasarit, në vitet ’94-’96 dhe kam qenë me shumë fat, të ndjek leksionet e tij mbresëlënese, të ndryshme,.. oh, sa të ndryshme nga të të tjerëve, por edhe të kem miqësinë e tij.

Në kohën kur një shkollë kultrore, siç ishte ”realizmi socialist”, po shembej me tam-tamet, folklorin patetik, dëmet e veta teksa etërit e saj tentonin të dominonin lirinë, në mes të asaj rrëmuje kundërthënese, shfaqej Profesori bir i kulturës pa izma. Të shumta kanë qenë netët ku pothuaj e gdhinim, së bashku me Mark Markun, Gëzim Gurgen e Prof. Aurelin, kafeneve të Tiranës. Të pafundme kërshëritë, të pafundme bisedat për të fshehtat e tekstit, për letërsinë e krahasuar, përkthimet, Fishtën, Konicën, Harapin, Merxhanin, Mit’hat Frashërin e shumë e shumë të tjerë dhe për mua, shkolla e vërtetë, apo kujtimi më i madh i saj, ishin ato biseda.

Çfarë nuk mbyllej aty, vazhdonte në redaksinë e “Hyllit të Drites” me At’ Zef Pllumin, drejtorin e saj dhe kryeredaktorin Aurel Plasari, që për një student 20-vjeçar, i etur për të nxënë, ishte maksimumi që me shenjoi jetën dhe zgjidhjet e mëvonshme.

“Frati i kujtimeve” dhe Plasari, ishin dyshja më antikonformiste e Kryeqytetit. Për mbi 10 vjet, ata ndërtuan një shkollë mendimi dhe kulture, luftuan mentalitetin ideologjik të sundimit mbi kulturën, duke i kundërvënë sistemin e hapur. Botuan, promovuan folën për të ndaluarit e mëdhenj, duke tentuar që pas “rishfaqjes së vijes së Teodosit” përmes shembullit të tyre, shqiptarët t’ia mbanin kah oksidenti.

Personalisht, pa pretenduar se ia kam arritur, jam munduar të mësoj nga të menduarit, të shprehurit dhe të shkruarit e Aurel Plasarit! Mbase na magjepsi jo vetem për volumin e dijeve, por edhe se ai e shkruan shqipen, më bukur se kushdo tjetër.

Përkthyes i shumë kryeveprave botërore, autor i shumë librave dhe eseve, me të cilat, ka ndarë e bashkuar me shizma ndërgjegjeje, mendimtar e profesor, Aurel Plasarin, shpesh e kanë dashur në krah. Janë gëzuar, kur e kanë pasur e sulmuar, kur kjo s”ka ndodhur!

E kanë gjykuar sa herë ka bërë një zgjedhje, apo ka marrë një vendim, sa herë ka shfaqur anësi e paanësi, por të gjithë kanë rendur me atë kënaqësi që jep leximi pas çdo libri, apo shkrimi të tij, duke ia njohur statusin e epërm të njeriut “homo meditans”, që bashkohësinë tonë ende e humanizon, ende i jep shpresë dhe i përkufizon horizontin e pritjes.

Nuk e di, kush do jetë në ceremoninë e nesërme! Nuk e di, kë ka ftuar Profesori, të cilin e falënderoj për shenjimin personal që më ka bërë, por do ishte në nderin e burrave të shtetit shqiptar, nëse ka ende të tillë, të jenë nesër aty, duke respektuar kësisoj, veten, raportin me vlerat, kulturën dhe historinë, me personalitetet që kalojnë kuthtas, si dhuratë e Zotit në këtë vënd, që askush si Aurel Plasari, nuk i mishëron!

Ecce Homo – u tha Ponc Pilati hebrejve, duke drejtuar gishtin mbi Krishtin e kamxhikosur e të përgjakur.