Vendimi, me të cilin përfundon letra e Niçes për mikun e tij, Erwin Rohde, është një pohim i vullnetit, një klithmë e pastër gëzimi: le ta heqim qafe gjithë dhunën, kundër luftës, le të armatosim fjalët, për të sjellë paqen./Konica.al
Niçe ishte i lodhur nga shërbimi ushtarak vullnetar dhe sëmundjet që e kishin teptisur. Në të ftohtin e dimrit zvicerian, mes borës alpine, në janar të vitit 1872, fillon një pikë kthese për filozofinë e shpartalluesit – vizioni dionizian shfaqet në leksionet për të ardhmen e shkollave dhe kulturës gjermane dhe në esenë për lindjen e tragjedisë greke nga shpirti i muzikës. Korrespondenca me Rohde është një qetësues, një ngasje për të folur për projektet reformuese të akademisë dhe për të denoncuar venitjen e kulturës – vrenjtja e diellit të kulturës gjermane paralajmërohet nga Niçe, një diell që dalëngadalë do të zhytet në çmendurinë e antisemitizmit të shtetit të Rajhut. […] Denoncimi i luftës është një lojë goxha e lehtë: mjaft të përshkruhen si duhet plagët e pambyllura, ndërtesat e shkatërruara nga bombat dhe tokat e shkretuara. Niçe u sëmur nga difteria dhe dizenteria gjatë luftës franko-prusiane, duke ndihmuar invalidët; edhe asokohe shqetësohej nga sëmundjet dhe çrregullimet e trupit. Filozofi e denoncon luftën, vetëm sepse pasojat e saj i vuan mbi vete.
Por, mbetet të pyesim se kush përfiton nga loja e armatimit?
Për kë jehojnë bombat dhe topat?
Sot, kur lufta përgjon në pragun e Evropës, si ta kuptojmë furnizimin me armë dhe zgjatjen e konfliktit? Në vend të kësaj, le të armatosim fjalët dhe të gjejmë qetësinë e bashkëbisedimit. Tashmë, në zgrip të shëtitjeve të dëshpëruara të mbrëmjeve, Luis-Ferdinand Selin e kuptoi se ajo që nuk kuptohet është lufta – është gjithçka që nuk kuptohet. Askush prej nesh nuk i kupton arsyet e kësaj dhe as nuk i kupton plotësisht shkaqet në një vend, në një hapësirë fjalamane. Lufta është fundi i jetës, por edhe agimi i saj.
Shqetësimi rrënues nxitur nga lufta, e frenon shpirtin njerëzor nga gjykimi estetik që mund t’i japë botës: atë nuk e prek më bukuria dhe lë jashtë atë që ka, për t’iu dorëzuar mbijetesës. Zotërimi i jetës është shqetësim madhor; instinkti i mbijetesës, të themi, është më i fuqishëm se dalldia – ose, përndryshe, lufta përfaqëson një rrezik më të madh sesa rreziku për të humbur hijeshinë e bukurisë së përkohshme. Ubi maior, minor cessat./Konica.al
Andre Zhid, në fillim të Luftës së Parë Botërore, kridhet në meditime teologjike dhe të mërzitshme në ditarin e tij; braktisja e të shkruarit, që reflekton mbi sjelljen e jetës. Shqetësimi për të ndihmuar, apo për të zgjidhur një konflikt, e largon individin nga madhështia e tij. […] Lufta është i vetmi moment, ku heronjtë thirren të lindin nga nevoja: individët e mëdhenj, kokëfortë, të guximshëm, të aftë për të ditur se si t’i kthejnë në dialog mosmarrëveshjet – ose të aftë për të mposhtur secilën palë.
Në një letër tjetër drejtuar Carl Freiherr von Gersdorff, Niçe hipotezon filozofinë që ka të bëjë me dashurinë e mirëfilltë, paturpësisht i dashuruar me individin: “egoizmi ynë, nuk është krejt finok, arsyeja nuk mjafton për vetveten”. Të dy ndajnë fjalë miqësie. Një hero i filozofisë dhe një fisnik që mëson mësimin e vetmisë. Të izoluar dhe në distancë. Një mësim i përcjellë nga Niçe, po aq sa nga Fabrizio De Andre. Dy gjeni që në mendje kishin të njëjtën arsye. Vetmia rrjedh për shkak të margjinalizimit, i cili, nga ana tjetër, rezulton me sjellje të ndryshme ndaj shumicës. Duhet të kapërcesh vetminë, gjakftohtë, i etur si rëra e nxehtë e shkretëtirës. Duke u gjendur përballë vetes, njeriu është i ndërgjegjshëm për një mënyrë jetese, për një liri – kushdo që i përngjan vetes mbron lirinë… De Andre këshillon dhe thekson “të drejtën, për t’i ngjasuar vetvetes”. Por me çfarë përngjan një popull? Një komb?
Ndoshta na duhet një hero profesionist, i cili, me “pasion dhe aftësi dalluese”, nëse i referohemi Max Weberit, zgjidh konfliktin dhe na shpie drejt dialogut; na duhet një politikan njëherësh largpamës dhe naiv, i armatosur me “atë qëndrueshmëri të brendshme që na lejon t’i rezistojmë shuarjes së të gjitha shpresave”. Luftoni me pasion! Për të parandaluar sakatimin e lirisë në altarin e politikës së pushtetit dhe për të ruajtur të drejtën e popujve për vetëvendosje. Flakni tutje tiraninë dhe lërini popujt të zgjedhin fatin e tyre – sa i përket mësimeve që duhen mbajtur dhe kulturës që duhet dhënë – ja pra, kjo është liria! Me pak fjalë, duke braktisur çdo nacionalizëm, çdo nativizëm, çdo patriotizëm. Lëreni të shkatërrohet koncepti i dashurisë për një komb dhe të përqafojë dashurinë për tokën. Evropa duhet ta dojë veten si një kontinent, të kultivojë tregtinë e saj detare me anën tjetër të Atlantikut, po aq sa të lërojë fushat e grurit që të çojnë në stepat ruse. !Poeti gjenovez, në mënyrë provokuese, bëri thirrje që çmimi “Nobel” për Paqe t’i jepet popullit rom – të vetmit të paaftë, për të filluar luftë. Le të mësojmë nga këta nomadë të botës!/Konica.al