Kanabisi mjekësor dhe industrial do të kultivohet në sera, në Shqipëri. Një gjë e tillë bëhet vetëm pak ditë pasi Shqipëria u rendit e shtata në botë për vendet e përmendura në trafikun e kanabisit.
Në draftin e hartuar nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se do të krijohet Agjencia e Kontrollit dhe Monitorimit për Kultivim, ku nuk lejohen më shumë se 150 ha në rang kombëtar, si dhe do të kultivohen nën vëzhgimin e qeverisë.
Licenca e prodhimit dhe përpunimit të kanabisit do të jetë e vlefshme deri në 15 vite me të drejtë rinovimi, në hapësira të mbuluara ose sera, në një sipërfaqe 5 deri në 10 hektarë, ndërsa sipërfaqja në total në rang vendi nuk do t’i kalojë 150 hektarët.
Gjithashtu, në draft thuhet se do të krijohet edhe Agjencia e Përpunimit të Bimës së Kanabisit, e cila do të monitorojë të gjithë procesin, ndërsa leja do të miratohet nga Këshilli i Ministrave
Drafti parashikon kritere të forta për kompanitë që do synojnë marrjen e licencave.
Fillimisht do duhet të kenë eksperiencë, një kapital prej 10 milionë Lekësh, minimum 15 të punësuar dhe pagesën e një tarife vjetore, sa 1,5% e xhiros vjetore.
Kriteret për pajisjen me licencë
-Eksperiencë në kultivimin dhe prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
-Një kapital prej 100 milion lekësh.
-Minimumi 15 të punësuar.
-Pagesën e një tarife vjetore, sa 1.5 e xhiros vjetore.
Subjektet do të gjobiten me 5 milionë Lekë gjobë në rast se reklamojnë prodhimin, dhe me 300 000 (treqindmijë) Lekë deri në 700 000 (shtatëqindmijë) nëse:
-Nuk dorëzon prodhimin e plotë brenda afatit 4-mujor.
-Nuk bën deklarim të saktë për sipërfaqet.
-Dorëzon prodhimin e plotë përtej afatit prej katër muaj pas mbarimit të korrjes.
Pas konsultimit publik, draftet i kalojnë Parlamentit për diskutim dhe votim.