“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Anemia në shtatzëni, çfarë pasojash ka?
Mjeku: Efektet negative të anemisë te nëna:
Gratë me anemi kanë prirje për shtatzëni më të shkurtër se ato jo anemike (janë në rrisk të lartë për lindje të parakohshme).
Hekuri, në qumështin e gjirit të nënave me defiçit, ka rezultuar të jetë i pamjaftueshëm për të realizuar nevojat ditore të fëmijëve që ushqehen me gji.
Anemia dhe ferrodefiçenca prekin gruan shtatzënë edhe në nivel të mirëqenies së përgjithshme.
Mungesa e hekurit bën që të kemi dëmtim të sistemit imun, çka e bën nënën më të prekshme nga sëmundjet, dëmtim ky shumë mirë i rikthyeshëm kur korrigjohen defiçitet.
Shumë rrallë, në kushte të anemisë ekstreme, mund të ndodhë mortaliteti te nëna gjatë lindjes, por kryesisht ky fenomen haset në vendet në zhvillim.
Efektet negative te fëmija:
Shëndeti dhe zhvillimi
Peshë më e vogël trupore
Defekte të tubit neural (në rastin e defiçitit te acidi folik)
Studimet kanë treguar se ekziston një lidhje e ngushtë midis anemisë dhe mungesës së hekurit. Prandaj, është e rëndësishme për gratë shtatzëna, të kenë depo të mjaftueshme të hekurit, acidit folik, vitaminës B12 që para shtatzënisë që të shmanget sa të jetë e mundur defiçiti i tyre me pasojat përkatëse në shëndetin e nënës dhe fëmijës.
Trajtimi qëndron te shkaku, ku zakonisht më i shpeshti është mungesa e hekurit, prandaj është e zakonshme që në suplementet e dhëna gjatë shtatzanisë përfshihen doza të hekurit dhe vitaminave të tjera të përllogaritura sipas nevojave ditore në shtatzëni. Për një pjesë të mirë të grave shtatzëna kjo sasi suplementesh si dhe dieta ushqimore e pasur në hekur dhe vitamina mjafton për një mbarëvajtje të shtatzënisë, por te personat që kanë defiçite të thella apo sëmundje të tjera që mund të shkaktojnë anemi, trajtimi konsiston në terapi specifike, kjo në varësi të gjendjes, ekzaminimeve laboratorike dhe shkakut që ka precipituar aneminë dhe gjithmonë sipas vlerësimit të bërë nga mjeku hematolog.
Në ditët e sotme është e rëndësishme që, brenda mundësive individuale, çdo grua që pretendon të nisë një shtatzëni, duhet të sigurohet më parë që trupi i saj ka mjaftueshëm rezerva vitaminike që mundësojnë fillimin e një jete të re, kjo për një shtatzëni të shëndetshme dhe si rrjedhojë edhe fëmijë të shëndetshëm.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.