MENU
klinika

"Dossier"

Si e përndiqnin Petro Markon

01.07.2022 - 13:14

        Shkrimtari Petro Marko është ndjekur në mënyrë të vazhdueshme, nga sigurimi i shtetit gjatë regjimit komunist, për shkak të qasjeve të tij jo miratuese ndaj mënyrës sesi po qeverisnin komunistët.

Që në ditët e para të pushtetit komunist ata e kishin nën shënjestër Petro Markon, duke verifikuar lidhjet e tij me amerikanët dhe të tjerë që kishin kontakte me botën Perëndimore. Madje, edhe një përpjekje të tij për të rigjeneruar prodhimin e qitros në zonën e Himarës, Sigurimi e konsideronte një veprimtari kundërshtare.

Më poshtë, sjellim një pjesë nga ajo që raportonin “sipër” agjentët e sigurimit mbi Petro Markon, e shkëputur nga gazetarja Luljeta Progni, në librin e saj “Media shqiptare, rrugëtimi i vështirë drejt lirisë”:

Çfarë shkruante sigurimi në vitin 1946 për Petro Markon:

Me ardhjen e Fultzit dhe të Anton Stevens, ky vjen për një herë në kontakt me këta dhe sipas angazhimeve të marruna fillon nga aktiviteti si agjent i amerikanëve.

Si kryeradaktor i “Bashkimi”-t, amerikanët me anë të Petro Markos u informuan mbi aktivitetin që kishte treguar kjo fletore deri tani. Petro i furnizonte vazhdimisht me informata të ndryshme, ka dhënë hollësira rreth personelit që punonte aty tue i cilësuar se kush ishin më të besuar dhe kush jo.

Ka dhënë biografira të personaliteteve të ndryshme. Në bazë të udhëzimeve të marruna nga Fultz-i Petro Marko desh ta bënte gazetën “Bashkimi” mjet propagande për Amerikën dhe për këtë disa herë mundi të ketë përfundime të mirë për ta. Ka nxjerë fotografi të luftës që bën ushtria amerikane, botuar artikuj nga revista amerikane, të cilat i sillte Stevensi.

Ka dhënë Stevensit informata të ndryshme mbi shtypin, numurin e fletoreve që dilnin në Shqipëri, se këta drejtoheshin nga organet e pushtetit, se shtypi privat ishte i ndaluar, mbi sasinë e letrës që dispononte pushteti, çfar mungesa kishte, ç’libra të reja kanë dalë deri aherë në shtyp, mbi libra të ndryshme sovjetike nese silleshin gratis ose me të holla.

I ka dhënë informata rreth qëndrimit politik të profesorave të shkollave të mesme. Ka njoftuar Stevensin për Karaman Yllin, i cili do të shkonte si ministër i Shqipërisë në Francë.

Këtë gjë akoma nuk e dinte njeri. Përpos këtyre ky mer kontakte dhe me Stefan Peterson (Trebicka) të cilin e ka informuar mbi shumë gjëra dhe sidomos mbi shtypin dhe jetën kulturore të vendit tonë. Ka qenë njëri i besuar i Hillit aq sa ka patur raste që ka dhënë letër rekomandimi personave të ndryshëm.

Ka informuar duke bërë një revolucion mbi prodhimin e qitrove në rrethin e Himarës dhe ua dërgon atyre. Ka pasur miqësi të ngushtë me Selahudin Toton.

Petro Marko i ka dhënë Selaudinit artikuj të ndryshëm anglisht të maruna nga amerikanët siç qe porositur për ti përkthyer dhe pastaj i botonte në gazetë. Si njeri i besimit që ishin, Petro, Selaudini ka biseduar shumë gjëra kundër pushtetit. Aktiviteti kundërshtar i Petro Markos bënet me i dukshëm kur nxirret nga redaksia e gazetës “Bashkimi”.

Atehere ky vjen në kontakt me grupin e deputetëve dhe merr pjesë në biseda të ndryshme politike qoftë në Dajti, qoftë në shtëpitë e tyre. Sidomos relacion të mirë ka pasur me Enver Sazanin, me të cilin ka biseduar shpesh herë kundër pushtetit.

Në procesin e tij ky është përpjekur të mohojë aktivitetin e tij, por këto vërtetohen nga deklaratat që ka lëshuar vetë më parë, ku vë në dukje gjith aktivitetin e tij prej agjenti në shërbim të spiunazhut amerikan në Shqipëri si një nga agjentët më të besuarë të tyre…”.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen