Athina u përgjak mbrëmjen e djeshme nga të shtënat me armë zjarri në dy lagje të ndryshme të saj që lanë pas 2 te vdekur dhe 3 të plagosur, mes të cilëve dy policë. Dy shtetasit shqiptarë të vrarë mësohet se janë me inicialet J. T dhe G. A, rreth 30 vjeç, të dy me precedentë penale në fushën e narkotikëve.
Burimet bëjnë me dije se ngjarja ka nisur fillimisht në rrugën “Krotidou” në lagjen “Kato Patisia” ku nga një automjet “Mercedes- Benz” është hapur zjarr ndaj drejtuesit të një motori, duke e plagosur rëndë këtë të fundit.
Pas motorit ndodhej një automjet tip “Audi”, brenda të cilit ndodheshin dy persona, mes të cilëve në timon edhe babai i viktimës . Duke parë ngjarjen, ky i fundit ka hapur zjarr ndaj makinës “Mercedes-Benz” duke lënë të vdekur atentatorin e djalit. Nga mjeti “Audi” ka dalë pasagjeri dhe në tentativë për t’u larguar me vrap për t’u fshehur është goditur nga një automjet në lëvizje duke mbetur i plagosur.
Një tjetër person ndërkohë ka dalë nga automjeti tip “Mercedes-Benz” dhe me kërcënimin e një arme ka ndaluar një mjet në rruge duke e grabitur e më pas ka ikur me të. Ai është drejtuar për në lagjen “Agion Anargiron” ku burimet flasin se ka tentuar të grabisë një karburant dhe një market.
Më pas ka dalë në rrugë dhe ka ndaluar një patrullë policie duke e menduar për taxi. Sapo ka parë policët ka hapur zjarr ndaj tyre duke i plagosur ndërkohë që edhe policët janë kundërpergjigjur duke e vrarë shqiptarin.
Mësohet se dy shqiptarët e vrarë, të cilët rezultojnë shokë me njeri tjetrin pasi të dy ndodheshin në automjetin “Mercedes-Benz”, rezultojnë të arrestuar për çështje droge në maj të vitit të kaluar në Athinë.