Dy ditë më parë një ngjarje e rëndë tronditi Athinën, ku tre shqiptarë mbetën të vrarë nga përplasja me armë. Vrasja e trefishtë erdhi si pasojë e pazareve të drogës.
Policia po kërkon të gjejë kokat e mëdha që komandojnë bandat shqiptare të drogës që po pushtojnë Athinën dhe së fundmi kanë hapur një cikël të përgjakshëm pastrimi, raporton Protothema.
Mediat greke raportojnë se dy personat e vrarë janë Andon Tefi 46 vjeç dhe Armando Lamaj 46 vjeç, të dy persona me precedent kriminal dhe të arrestuar disa herë. Ndërkohë ende nuk është bërë i ditur identiteti i viktimës së tretë.
Analistët e sigurisë po flasin për dy anëtarë të një organizate kriminale, të cilët edhe pse ishin goditur shumë herë, ecnin të lirë dhe të padëmtuar.
Duket e pabesueshme, por 46-vjeçari që u qëllua dhe më pas u godit me Mercedes ishte arrestuar shtatë herë për krime që variojnë nga trafiku i drogës deri te grabitja dhe posedimi i armëve, ndërsa 48-vjeçari i armatosur edhe ky kishte disa vepra penale.
Për policinë tashmë është e qartë ajo që ka ndodhur në Kato Patisia. Dy personat, të cilët tashmë kanë humbur jetën shkuan në rrugën Kourtidou për të “biseduar”. 46 – vjeçari, besonte se 48-vjeçari i armatosur e kishte tradhtuar dhe se tashmë bashkëjetesa e tyre në të njëjtën bandë ishte e pamundur.
Njëri nga të dy duhej të fshihej nga harta, raportojnë mediat greke.
Dhe më në fund të dy u vranë dhe një i tretë pagoi me jetë. Tani, nga nëntë që morën pjesë në gjakderdhjen në qendër të Athinës, tre janë “larguar” dhe gjashtë të tjerët janë arrestuar dhe po hetohet përmasat e përfshirjes së tyre.