MENU
klinika

12 lojtarë kaluan shumën me 3 shifra

U shitën mbi 100 mln euro, disa dështuan

05.07.2022 - 21:28

Ishte fundi i merkatos së verës në vitin 2013 kur Real Madrid thyente barrierën e 100 milionë eurove për të afruar në skuadër sulmuesin e Tottenham, Gareth Bale.

BALE – Madrilenët shpenzuan 101 milionë euro për uellsianin. Që nga transferimi i tij nga Tottenham drejt Madridit, listës së lojtarëve për të cilët janë shpenzuar më shumë se 100 milionë euro i janë shtuar edhe 10 personazhe të tjerë.

Pak a shumë të gjithë kanë pasur dritëhijet e tyre. Vetë Gareth Bale nuk pati një lamtumirë të lavdishme në Madrid. Por gjithsesi, ai ka qenë ndër të paktët lojtarë 100-milionësh që i ka justifikuar paratë e hedhura për të.

Ai u largua nga Reali me 106 gola të shënuar dhe 67 pasime për gol në 258 takime, si dhe duke fituar 16 trofe të ndryshëm (3 kampionate në Spanjë, 5 Champions, një Kupë Mbreti, një Superkupë të Spanjës, 3 Superkupa të Europës dhe 3 Botërorë Klubesh).

LUKAKU – Dështimi më i fundit është rasti i Romelu Lukakut. Për belgun Chelsea shpenzoi 113 milionë euro në vitin 2021, por pas vetëm një sezoni ai u rikthye në formë huazimi te zikaltrit e Milanos pa lënë gjurmë në “Stamford Bridge”. Lukaku është tregues se jo gjithnjë shpenzimet me tri shifra përkthehen në sukses.

NEYMAR – Vijon të jetë lojtari më i shtrenjtë në histori, me Paris SG-në që pagoi 222 milionë euro për t’ia marrë Barcelonës. Një nënshkrim historik, por që nuk ka shkëlqyer ashtu siç pritej, kjo edhe për shkak të dëmtimeve. Ai numëron 100 gola dhe 60 pasime për gol në 144 takime me Parisin, duke fituar 11 trofe. Por jo atë më të rëndësishmen, Ligën e Kampioneve. Marrëdhëniet me klubin e tij janë në pikën më të ulët me Parisin që kërkon ta largojë.

MBAPPE – Fillimisht u huazua në vitin 2017 nga Monaco, për t’u blerë përfundimisht në vitin 2018 nga PSG-ja për vlerën e 180 milionë eurove. Parisi bëri gjithçka për ta mbajtur këtë verë në skuadër futbollistin që parashikohet të shkruajë historinë e këtij sporti për 10- vjeçarin e ardhshëm.

DEMBELE – Largimi i Neymar e detyroi Barcelonën të bënte çmenduri në verën e vitit 2017. Një prej tyre ishte nënshkrimi meDembele nga Dortmund. Për francezin klubi katalanas shpenzoi 140 milionë euro. Por ai mund të klasifikohet me plot gojën si një nga zhgënjimet më të mëdha me vetëm 32 gola. Për më shumë që Barça “e ka humbur” me parametra zero.

COUTINHO – Dembele nuk ishte çmenduria e vetme e Barçës verën e vitit 2018. Tjetri ishte Coutinho për të cilin i pagoi 135 milionë euro Liverpool. Një tjetër zhgënjim për të cilin në këmbim mori vetëm 20 milionë euro nga Aston Villa!

GRIEZMANN – Barça pagoi 120 milionë euro për yllin e Atleticos dhe kampionin e botës me Francën në vitin 2018. Asnjëherë nuk e gjeti veten komod me Messin përkrah, duke u larguar nga “Camp Nou” vetëm me një Kupë të Mbretit.

GREALISH – Diamanti i Aston Villa-s kaloi sezonin e kaluar në “Etihad”, ndonëse kërkohej nga e gjithë Premier League. Me të mbërritur te “Qytetarët” sukseset nuk munguan, por jo shumë për meritë të tij. Mund të ngushëllohet me faktin se ka ende kohë përpara për të treguar se sa vlen realisht.

C.RONALDO – Pas 3 Champions radhazi me Real Madrid, klubi e la të lirë të bënte zgjedhjen e tij. Portugezi vendosi të shkojë në Torino. Juventus pagoi 117 milionë euro për të me objektivin për të fituar Champions. Por e pati të pamundur të përsëriste sukseset me Realin. Për këtë arsye vendosi të linte Italinë dhe të kthehej në “Old Trafford”.

POGBA – Francezi, i cili ka shkëlqyer me Juventusin, rezulton si një nga dështimet spektakolare të Manchester United. “Djajtë e Kuq” shpenzuan 105 milionë euro për të, por rendimenti i tij la për të dëshiruar, shpesh i kushtëzuar edhe nga dëmtimet. Përsëri si shumë vite më parë kthehet si lojtar i lirë te Juventusi.

FELIX – Blerja më e shtrenjtë në historinë e Atletico Madrid i shtohet listës së lojtarëve me tri shifra, por që deri më tani ka treguar shumë oshilacione. Gjithsesi, “Rojiblancos” e kanë si flamurin e tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zidane i treti, u shit në 2001

10 shitjet më të shtrenjta të Serie A