MENU
klinika

Ballkani ndalet në barazim

Shkupi thuajse në turin e dytë të Champions

05.07.2022 - 23:08

Skuadra e Shkupit ka bërë një hap shumë të sigurt drejt kalimit të turit në Champions League teksa ka mundur në turin e parë të turneut ekipin e Lincoln Red Imps të Gjibraltarit.

Në sfidën e luajtur në Shkup, ekipi i drejtuar nga Goce Sedloski ka dominuar ndeshjen duke krijuar një mori rastesh para portës. Danfa dhe Adetunji shënuan në pjesën e parë për Shkupin, i cili në fraksionin e dytë të lojës mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Margelashvilit.

Por gjithsesi, nuk vonoi edhe goli i tretë me Çipolina i cili devijoi topin në portën e skuadrës së vet. Kështu, Shkupi mori një avantazh të ndjeshëm ndaj kampionëve të Gjibraltarit dhe është shumë pranë kalimit të turit, që do të ishte padyshim historik për këtë ekip.

Ndërsa kampioni i Kosovës, Ballkani, është ndalur në një barazim 1-1 në ndeshjen e parë në Ligën e Kampioneve ndaj lituanezëve të Zalgiris Vilnius. Kjo është pjesëmarrja e parë në Champions për Ballkanin.

Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja, edhe pse dominoi ndeshjen ndaj skuadrës kundërshtare dhe e pa veten në avantazh shpejt falë golit të Nazmi Gripshit, nuk ia doli të administronte rezultatin.

Miqtë barazuan me gjuajtjen e parë në portë pas një goditje këndi dhe pavarësisht rasteve të shumta të krijuara nga ekipi i drejtuar nga Ilir Daja, ai nuk ia doli që të gjente përsëri rrjetën. Kështu, sfida e parë është mbyllur me barazim 1-1 që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.