Kryetari i partisë më të madhe të opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski ka kërkuar që të qetësohen gjakrat mes qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.
Prej disa ditësh “propozimi francez”, një nismë e Presidentit Emanuel Macron për të zhbllokuar rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut nga vetoja bullgare, ka ndezur në “flakë” rrugët dhe sheshet kryesore në Shkup.
Edhe mbrëmjen e djeshme u regjistruan përplasje midis protestuesve dhe policisë, por sipas Telegraf Maqedonia, një incident i madh ndëretnik është shmangur nga policia para qendrës tregtare “Mavrovasja” në lagjet shqiptare të Shkupit.
Incidenti nisi kur protestuesit pasi kaluan nënkalimin tek sheshi “Skënderbej”, janë goditur me shishe dhe drunj nga një grup shqiptarësh.
Gjithashtu janë regjistruar përleshje e konfrontime fizike, ndërsa dyshohet se përplasja ka nisur pas thirrjeve raciste nga protestuesit maqedonas, nga grupi i të cilëve dëgjoheshin thirrjet e famshme diskriminuese ‘Shiptari’.
“Incidentin e sotëm e dënojmë rëndë, pasi sipas pushtetit, ky duhej të jetë incident ndëretnik por jo edhe sulm ndaj pushtetit dhe karrikeve të tyre.
Kjo nuk ka lidhje me konflikt ndëretnik por është luftë për pushtet. Sipas informacioneve të marra, pushteti disa herë ka dashur eliminimin tim. Të njejtave nuk ju kam dhënë rëndësi. Sonte pash që ka njerëz të gatshëm për këtë.
Policia nuk ishte aty ku duhej. Kishte dhjetëra njerëz që me pistoleta që edhe krisën, e për fat të mirë nuk prekën asnjë qytetar nga mijëra njerëzit që protestonin”, tha Mickoski.
Ai shtoi se pushteti ka arritur qëllimin me dhunën e ushtruar mbi protestuesit dhe ka paralajmëruar protesta të fuqishme në ditët në vazhdim