Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dërguar për miratim në Kuvend propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit RMV-Bullgari. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, qeveria shqyrtoi kornizën negociuese dhe vendosi që ky propozim të shkojë në institucionin ligjvënës ku do miratohen konkluzionet lidhur me dokumentet e BE-së.
Partitë shqiptare dhe mazhoranca e mbështesin propozimin francez, ndërsa opozitarët e VMRO-DPMNE kërkojnë ndryshimin e tekstit për të garantuar ruajtjen e identitetit maqedonas, ku përshihen gjuha dhe historia.
Opozita akuzon qeverinë se po pranon një kompromis të dëmshëm për vendin, ndërsa të shumtë janë qytetarët maqedonas që kanë protestuar kundër këtij propozimi.
Propozimi i presidentit francez Emmanuel Macron mbërriti në Maqedoninë e Veriut më 30 qershor, e përmes tij synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike. Ngërçi RMV-Bullgari me vendosjen e vetos nga ana e Bullgarisë, ka penguar Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në procesin integrues për në BE. Me propozimin francez, ky ngërç synohet të zgjidhet në mënyrë që Shqipëria dhe RMV-ja të shkojnë drejt hapjes së negociatave.
Kjo deklaratë vjen në ditën kur qeveria e Maqedonisë së Veriut dërgoi për miratim në Kuvend propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit mes RMV-së dhe Bullgarisë për çështje të identitetit, gjuhës e historisë, ngërç që ka penguar RMV-në dhe Shqipërinë në procesin e tyre për integrimin në BE.
Në porosinë e Macron-it, të publikuar nga ambasada franceze, theksohet se 17 vjet pas marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, tashmë mund të hapet mundësia historike, hyrja në fazën aktive të procesit të integrimit në BE.
Macron tha se i takon Maqedonisë së Veriut të marrë vendimin që do të përcaktojë të ardhmen e vendit.
Presidenti francez u shpreh i bindur se përcaktimi i RMV-së është që të jetë pjesë e familjes evropiane.
“Ju mbetet juve të vendosni. Fuqia për ta ndryshuar rrjedhën e historisë është në duart tuaja. Nuk do ju them se kjo marrëveshje është e përkryer, por do t’ua hap rrugën evropiane. Sikurse çdo marrëveshje, ashtu dhe ky bazohet në kompromise. Kjo marrëveshje nuk e vë në pikëpyetje ekzistimin zyrtar të gjuhës maqedonase, e cila është pjesë përbërëse e identitetit tuaj”, tha presidenti francez.