Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin viteve 1945-1949, ku ndodhen disa raporte, informacione, relacione, njoftime, vendime, etj., të Komitetit të Partisë së Qarkut të Tiranës, të firmosura nga sekretarja e parë, Fiqret Shehu, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me propozimet e bëra në mbledhjet e organizatës bazë së partisë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku pasi u analizua “veprimtaria trockiste dhe armiqësore” e drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si: Koci Xoxe, Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji, Mihallaq Ziçishti dhe Myftar Tare, u dhanë motivacionet përkatëse për masat e marra dhe dënimet ndaj tyre.
Nga: Dahsnor Kaloçi
Raport-informacioni i hartuar nga Fiqret Shehu, lidhur me mbledhjet e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku diskutuan kuadrot më të lartë të të tij, si: Vaskë Koleci, Angji Faber, Nesti Kerenxhi, Vango Mitrojorgji, Siri Çarçani, Lefter Lakrori, Paskal Andoni, Isa Agoviku, Zymer Jerina, Nesti Kopali, Thoma Vangjeli, Strati Papa, Ali Kubati, Myftar Tare, Beqir Ndou, Uran Avdiu, Asllan Zyka, Mit’hat Bushati, Muharrem Lila, Skënder Konica, Pilo Shanto, Jani Naska, Petrit Arbana, Thoma Vangjeli, Zoi Shkurti, Vangjel Pecani, Dhosi Progri, Mihallaq Ziçishti, Sadik Bocaj, Sali Ormëni, etj.
Proces-verbalet e mbledhjeve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku pjesa më e madhe e kuadrove drejtues që morën fjalën aty, diskutuan dhe analizuan veprimtarinë e punës së tyre për periudhën 1945-1949, duke evidentuar terrorin, persekutimet, internimet, arrestimet, burgosjet, torturat, pushkatimet, krimet, vrasjet me dhe pa gjyq, zhdukjen e personave, etj., etj. që kishin ndërmarrë kuadrot më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke filluar nga Koci Xoxe, Nesti Kerenxhi, Vango Mitrojorgji, Vaskë Koleci, Myftar Tare, Mihallaq Ziçishti, etj., të cilët veç të tjerash, u akuzuan se, në bashkëpunim me këshilltarët jugosllavë të UDB-së që ishin inkuadruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si koloneli famëkeq, Safet Filipoviç, majori Mirko, etj., kishin vënë organet e Sigurimit të Shtetit mbi Partinë, duke arritur deri aty sa të kontrollonin edhe postën e ‘Komandantit’ (Enver Hoxhës), si dhe të survejonin udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe qeverisë, si: Mehmet Shehun, Spiro Kolekën, Bedri Spahiun, Nako Spiron, Njazi Islami, Spiro Gusho, etj.
Dokumenti me relacionin e hartuar nga Drejtoria e Organizim-Inspektimit e Komitetit Qendror të PPSH-së, Liri Belishova, lidhur me propozimet që ishin bërë nga ana e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, për masat e marra ndaj drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Brendshme
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË Tiranë, më 1949
KOMITETI QENDROR
Drejtoria e Organizim – Inspektimit
Nr.
Komitetit të P.P.SH. Qytetit
T i r a n ë
Në lidhje me tuajën Nr.7/592 dt. 25/III/949
Komiteti Qendror i P.P.SH.-së, mbasi morri në shqyrtim propozimet e organizatës bazë të Drejtorisë Sigurimit Nr.1, dhe vendimet t’uaja për masat që duhen marrë karshi shokëve: Vaskë Koleci, Vangjo Mitrojorgji, Myftar Tare dhe Nesti Kerenxhi, aprovon këto masa:
1) Vaskë Koleci Të përjashtohet nga Partia, për këto arsye: Ky ka qenë një nga aktivistët kryesorë të grupit trockist në Partinë tonë, ka zbatuar me koshiencë politikën trockiste dhe me përgjegjësinë e Nd/ministrit, ishte mbështetja kryesore e tradhtarit, Koci Xoxe, në sektorin e Sigurimit të Shtetit. Për punën armiqësore trockiste në Sigurim, ky ka qenë i predispozuar dhe proto-tip.
Me urdhrin e tij, anëtarët e Partisë dhe veçanërisht udhëheqësat e Partisë dhe të shtetit, si: shokët Mehmet Shehu, Bedri Spahiu, Spiro Koleka etj., janë vënë nën kontrollin policor të organeve të Sigurimit. Ka punuar që shoku Nako Spiro, ta nxjerrë si agjent të S.B.S. dhe ka kontrolluar postën e komandantit.
Me urdhër të tij, janë kryer arrestime, dënime, torturime, dhe vrasje të padrejta e të paligjshme. Ka bashkëpunuar ngushtësisht me spiunët e UDB-së dhe u ka dorëzuar dokumente të rëndësishme të Sigurimit të Shtetit.
Ka shfaqur frymë të theksuar anti-sovjetike, ka përbuzur dhe ka abuzuar në mënyrë trockiste, eksperiencën, si dhe njerëzit sovjetik, për të cilët ka dhënë udhëzime që të survejohen nga organet e Sigurimit.
2) Vangjo Mitrojorgji. Të përjashtohet nga partia për këto arsye: Ka qenë një nga anëtarët më aktivë të grupit trockist të Partisë t’onë. Ka qenë shefi i Seksionit më të rëndësishëm në Drejtorinë e Sigurimit, ku ka vepruar me koshinecë dhe ka qenë i predispozuar për zbatimin e politikës trockiste të tradhtarit Koci Xoxe.
Ka urdhëruar për arrestime, survejime, dhe torturime të padrejta dhe të paligjshme. Ka bashkëpunuar me agjentin e OZNA-s, Safet Filipoviç, të cilit, i ka dhënë të gjitha sekretet e vendit tonë.
Ka shfaqur frymë të theksuar anti-sovjetike, ka dhënë urdhër në Kuçovë, që të ruhen sekretet nga sovjetikët dhe ka përbuzur njerëzit dhe eksperiencën sovjetike. Për këtë, është kthyer nga Moska, ka bashkëpunuar me Vaskë Kolecin, për hartimin e raportit, anti-sovjetik prej 50 faqesh.
3) Myftare Tare. Të ndëshkohet me “vërejtje me shkrim në biografi”, për këto arsye: Ka qenë shumë i predispozuar për t’u shërbyer verbalisht dhe ka bashkëpunuar me Koci Xoxen, Vaskë Kolecin dhe me Nesti Kerenxhin.
Ka qenë një nga kuadrot e konsideruara në Drejtorinë e Sigurimit. Sjelljet e tij nuk kanë qenë të mira, ka bërë intriga dhe akuza të pavend, megjithëse sektori i tij, nuk kish të bënte me metodat trockiste. Ka biseduar me agjentin e OZNA-s, Safet Filipovic, të ciloit i ka dhënë sekretet shteti. Këto gabime, ky nuk i ka realizuar mirë.
4) Nesti Kerenxhi. Të ndëshkohet me “vërejtje me shkrim në biografi”, për këto arsye: Ka ndihmuar në ngritjen e Sigurimit të Shtetit, mbi baza trockiste, ka bashkëpunuar me agjentët trockistë jugosllave dhe u ka dhënë sekretet e shtetit.
Ka bashkëpunuar me tradhtarin Koci Xoxe, si dhe ka zbatuar me ndërgjegje urdhrat e tij, ka survejuar shokët: Bedri Spahiu, Mehmet Shehu e Nako Spiro dhe ka pasur dijeni për kontrollin e letrave të komandantit. Ka nënvleftësuar eksperiencën e Bashkimit Sovjetik dhe ka urdhëruar vrasje të paligjshme.
Por meqenëse ka realizuar shpejt një pjesë të gabimeve të tij, ka ndihmuar dendur Partinë për zbulimin e tyre, puna e tij jashtë shtetit është çmuar nga Partia, dhe meqenëse ka bërë një autokritikë deri diku të plotë, e serioze, në organizatën bazë të Sigurimit, që jep shpresa përmirësimi, merret vetëm kjo masë ndëshkimore karshi tij.
Drejtorja e Organizim – Inspektimit
Liri Belishova
Dokumenti me relacionin e hartuar nga sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së për Kuadrot, Tuk Jakova, dërguar Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, lidhur me masat e marra ndaj grupit trockist të Koci Xoxes, me në krye: Nesti Kernxhin, Vango Mitrojorgjin, Vaskë Kolecin e Myftar Taren
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË Tiranë, më 21/7/1949
KOMITETI QENDROR
Nr. 1279
Komitetit të P.P.SH. rrethit
D u rr ë s
K.Q. i PPSH-së, mbasi mori në shqyrtim propozimin e organizatës bazë të Drejtorisë së Sigurimit Nr. 1 dhe vendimin e PPSH-së, për Kryetarin e Tiranës dhe duke marrë parasysh zhvillimin e gjyqit kundër grupit trockist të Koci Xoxes, aprovoi këto masa për, Nesti Kerenxhin: Të ndëshkohet me vërejtje me shënim në biografi, për këto arsye:
1) Si ndihmës ministër i Brendshëm, ka përgjegjësinë e tij për punën e gabuar që është bërë në Sigurimin e Shtetit. Ka nënvleftësuar eksperiencën e BS-së dhe si Nd/ministër i Brendshëm, ka punuar për ngritjen e Sigurimit të Shtetit, në baza trockiste. Gjithashtu, ka pasur dijeni për kontrollin e letrave të komandantit.
Por me gjithë gabimet e rënda të bëra nga ana e tij, Partia i jep dorën Nesti Kerenxhit, i cili ka bërë një autokritikë deri diku të plotë dhe serioze, dhe jep shpresa përmirësimi.
Ja komunikoni të lartpërmendurit. Memorie.al
Komitetin Qendror të PPSh-së
Sekretari për Kuadrot
Tuk Jakova