MENU
klinika

Nga alkooli, tek ushqimi

Pesë rregullat e forta të trajnerit të United

08.07.2022 - 22:14

Erik ten Hag vazhdon të diktojë rregullat e tij në “Old Trafford”, ndërsa vazhdon të njohë çdo ditë e më shumë skuadrën e tij. Lojtarët do të nisen drejt Tajlandës dhe më pas drejt Australisë për të nisur turin e fazës përgatitore përpara se të nisë sezoni në gusht.

Ten Hag ka nisur të njohë lojtarët në “Carrington” dhe të zbatojë teknikat dhe metodologjinë e tij. 52-vjeçari, i cili është shumë strikt dhe kërkon një disiplinë të hekurt, ka vendosur disa rregulla, të cilave lojtarët duhet t’u binden.

Sipas “Mirror”, ato përfshijnë përpikërinë me oraret, që janë të shenjta për holandezin. Si në stërvitje, ashtu edhe në takimet e skuadrës, kush mbërrin vonë, do të përjashtohet pa asnjë tolerim.

Konsumimi i alkoolit gjatë javës së ndeshjes është diçka që gjithashtu do të ndalohet. Dhe kjo do të thotë se alkooli do të mbetet jashtë tavolinës së lojtarëve gjatë gjithë sezonit, duke qenë se ata do të luajnë dy herë gjatë një jave. Një nga sfidat më të mëdha do të jetë edhe ushqimi.

Ten Hag do t’i ndalojë lojtarët të ushqehen në shtëpi sipas dëshirës së tyre dhe shefave personalë të kuzhinës, ndërsa e do të gjithë skuadrën në kantinën e “Carrington” për të konsumuar vaktin kryesor. Një nga lëvizjet e tij të para sapo mori drejtimin e stolit, ishte ndryshimi i menysë, me peshkun dhe perimet që mbizotërojnë gjatë vakteve.

Lojtarë si Shaë, i cili reklamonte publikisht se kishte punësuar një kuzhinier të ri në të shkuarën dhe shumë lojtarë të tjerë që ndiqnin zgjedhjet personale të dietave, nuk do të tolerohen më.

Çdo lojtar do të marrë një plan të personalizuar ushqimi për nevojat e tij. Diferenca e vetme është se ai tani do të kontrollohet nga klubi. Holandezi do të tregohet rigoroz edhe me peshën e lojtarëve, e cila do të matet çdo javë.

Dhe në fund, ai u ka kërkuar lojtarëve që të gjitha ankesat që ata kanë, të mos i drejtojnë te menaxherët apo burime të tjera. Dhoma e zhveshjes së “Djajve” ka prodhuar lajme që kanë rrjedhur nën drejtimin e Solskjaer dhe Rangnick sezonin e shkuar dhe Ten Hag kërkon që asnjë informacion të mos dalë në publik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


U shit herën e parë për...26 topa

Nga miniera në yll futbolli, historia e Di Marias