Nisma e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për të bojkotuar seancat gjyqësore në emër të hartës së re të gjykatave dhe të prokurorive në vend, ka bërë që avokatët jo vetëm të ndahen në sipërmarrjen e tyre por madje edhe të shfaqen krah klientëve, të cilët prej tre javësh kanë mbetur të papërfaqësuar.
Avokatët që iu bashkuan thirrjes së kësaj Dhome të Avokatisë kanë vendosur ta shtyjnë bojkotin për t‘i bërë presion qeverisë që mos ta miratojë hartën e re, ku vendit i minimizohen gjykatat e Shkallës së Parë dhe ato të Apelit. Por, ka nga ata që pa iu bashkuar asnjërës nga shoqatat e avokatëve që janë përfshirë në këtë nismë të rrallë kundër një propozimi që cenon te drejtën e qytetarëve për t’u gjykuar në rrethet e tyre gjyqësore, ata tregojnë se disa avokatë nuk e kanë bojkotuar asnjë ditë punën. Konfliktet mes palëve janë bërë publike, ndërkohë që disa avokatë edhe ankohen për shkak se kanë mbetur pa të ardhura, ndërkohë që kanë detyrime për të paguar, përfshirë këtu edhe qiratë e ambienteve në të cilat punojnë.
Kështu prej 3 javësh, avokatët në të gjithë vendin janë në grevë duke bojkotuar seancat, si reagim i hartës së re gjyqësore që pritet të miratohet nga qeveria. Por, bojkoti i tyre po shfaq edhe probleme sociale pasi shumica e mbrojtësve ligjore duhet të paguajë detyrimet, ndërsa po përballen edhe me reagimet e klientëve, të cilët kërkojnë të shkojnë në seancat gjyqësore.
Greva disa javore e vendosur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë duket se po dëmton edhe vetë avokatët. Ata kërkojnë t’i jepet sa më parë një zgjidhje kërkesave të tyre pasi një vazhdim i saj po i rëndon ekonomikisht. Ata thonë se ata avokatë që zbatojnë ligjin, do të përballen me datën 20 si afati i fundit i sigurimeve shoqërore, momenti i pagesës së qirasë së zyrës dhe e disa kushteve të tjera ekonomike që ndikojnë në ekonominë tyre. Ata kërkojnë që të rregullohen disa pika në këtë bojkot por ata mendojnë se nuk duhet ta braktisin për shkak se qytetarët mund të dëmtohen me miratimin e hartës së re gjyqësore.
Por ata ankohen edhe për shkakun se kanë shumë presione nga klientët e tyre të cilët ua kërkojnë të jenë të pranishëm në seancat gjyqësore për shkak të vonesave që kanë në çështje të caktuara. Avokatët shprehen të bindur se klientët e tyre do ta kuptojnë më vonë se është në të mirën e tyre protesta dhe bojkoti i avokatëve për gjatë kësaj kohe dhe në vazhdim, por qytetarët që kërkojnë praninë e avokatëve kanë vite që enden nëpër dyert e gjyqësorit pa mundur të zgjidhin punë.