Ish-zëdhënësi i Vetëvendosjes, Shkodran Hoti, ka bërë një postim në rrjetin e tij social Facebook, lidhur me fjalimin e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, për masakrën e Srebenicës. Reagimi vjen pikërisht në 27-vjetorin e masakrës. Ndër të tjera, Hoti shkruan se Abazoviç nuk e ka mohuar në asnjë moment gjenocidin, ndonëse është përballur me kritika të shumta.
Nga Potoçai, fshati ku ndodhet memorali që përkujton viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, Abazoviç deklaroi se gjenocidi i kryer atje “nuk është kryer ndaj boshnjakëve, por ndaj njerëzve”, dhe se gjenocidin “nuk e kanë kryer ushtritë por politika”, deklaratë të cilën e sqaroi më vonë. Kryeministri i Malit të Zi tha se deklarata e tij ishte “e paqartë” dhe u kërkoi falje familjarëve të viktimave.
Reagimi i plotë i Shkodran Hotit:
Dritan Abazoviq u bë tabelë qitjeje e mentalitetit ballkanik, nga i cili synon të veçohet.
Derisa në fjalimin e tij ai nuk ka as edhe një fjali të vetme ku e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ballkanas të mësuar me liderë që “shpallin luftë” në baza ditore dhe “kërcënojnë” edhe superfuqi botërore, sajojnë mesazhe të paqena në emër të një politikani progresiv që ka humanizmin epiqendër të botëkuptimeve të tij.
Po, gjenocidi në Stebrenicë u krye kundër njerëzve sepse boshnjakët para se të jenë boshnjakë janë njerëz. Kjo vlen për çdo popull kudo në botë. Po, u krye nga politika e ligësisë, politika e vdekjes, politika e mashtrimit. Nga një regjim kriminal e fashist. Jo nga populli serb.
Interpretimi ndryshe është dashakeqësi, pasojë e mediokritetit ose diskurs i një nacionalizmi të sëmurë.
Viktimat e Srebrenicës nuk harrohen kurrë. Gjenocidi serb atje nuk mund të mohohet nga askush. Por, as gjuha e urrejtjes e mentaliteti primitiv nuk na duhen.