MENU
klinika

Atleti trondit me rrëfimin e tij

Kampioni olimpik: Nuk jam Mo Farah i vërtetë

12.07.2022 - 11:48

Britania e Madhe është tronditur jo pak nga rrëfimi i kampionit olimpik të vet Mo Farah. Në një intervistë sensacionale për BBC, atleti i garave 5 dhe 10 mijë metra pohoi se ishte trafikuar në ishull dhe i kaloi vitet e tij të rinisë në Londër, në robëri shtëpiake.

Të gjithë e dinin se Farah kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar për të jetuar së bashku me babanë e tij, por e vërteta qëndron ndryshe, pasi i ati i kampionit olimpik në fakt ka vdekur, pasi ishte viktimë e luftës civile në vendlindjen e tij, Somali. Dhe, në mënyrë të pabesueshme, Mo Farah nuk është as emri i tij i vërtetë.

Dihej që ai erdhi në Britani në moshën 8 vjeç dhe jetoi me një teze dhe xhaxha. Por në fakt ai është trafikuar me emrin e dikujt tjetër Mo Farah dhe emri i vërtetë i tij është Hussein Abdi Kahin. Kampioni në 5 dhe 10 mijë metra në Lojërat Olimpike 2012 në Londër, për arritjet në atletikë, mori edhe titullin Sir nga Mbretëresha.

Por rrëfimi i tij i fundit trazon shumë gjëra tashmë. Gjithsesi, atleti me origjinë somaleze tha nuk mund të jetonte gjithë jetën me këtë të fshehtë, duke marrë parasysh edhe pasojat.