Qeveria shqiptare është e vendosur që t’i shkojë deri në fund propozimit të ri për hartën e re gjyqësorë. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e bëri këtë deklaratë pas një takimi konsultues për projektligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
“Të gjitha diskutimet mbi hartën kemi lënë një ditë të dedikuar, do të kemi përgjigjet e duhura nesër në Komisionin e Ligjeve. Nesër do të shkojmë në respekt të Komisionit të Ligjeve, pas seancës dëgjimore nesër në Komisionin e ligjeve dhe miratimin nga Ministria e Financave, harta do të shkojë në qeveri për miratim”, tha Manja.
Harta e re gjyqësore kundërshtohet nga avokatët, të cilët kanë vendosur për bojkotin e seancave për masat e sigurisë deri më 27 korrik. Ashtu siç ishte paralajmëruar, këtë javë do të ketë protestë nga avokatët për hartën e re gjyqësore. Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka njoftuar se më 14 korrik në orën 11:00 do të protestojë para godinës së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Prej ditësh vijon bojkoti i të gjithë seancave gjyqësore përveç masave të sigurisë vetëm për të miturit.
më herët lidhur me bojkotin e avokatëve ka pasur një reagim edhe nga qeveria. Vetë kryeministri Edi Rama tha se harta gjyqësore nuk ka për të ndryshuar duke thënë se bojkoti është i pavlerë. Mirëpo në përgjigje të kësaj deklarate, kreu i Dhomës së Avokatisë Kombëtare, Maks Haxhia tha se nuk kërkojnë nga qeveria, por KLGJ, duke thënë se ka mundësi për zgjidhje.
Pak ditë më parë ishte Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Prokurori i Përgjithshëm dhanë pëlqimin e tyre për hartën e re gjyqësore ndërsa e argumentuan atë si më të përshtatshmen në situatën aktuale ku ndodhen gjykatat dhe prokuroritë. Pro hartës kanë dalë edhe gjyqtarët të cilët nëpërmjet shoqatës së tyre dhanë pëlqimin për miratimin e saj.
Report Tv ka mësuar se kjo hartë do të dërgohet në qeveri e cila nëpërmjet një vendimi do të miratojë propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Aktualisht Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.