MENU
klinika

Histori dhe nostalgji

Rinia e bëmave të Rrugës së Durrësit…

12.07.2022 - 11:27

        Projektuar në kohën e Ahmet Zogut, e njohur si “Rruga e Durrësit”, më pas “Kongresi i Përmetit”, sërish “Rruga e Durrësit”, pas viteve ‘90-të, me tre kryqëzime në as një kilometër, paralel me “Rrugën e Kavajës” dhe “Mine Peza”, fillimisht rruga kryesore ka qenë segmenti dytësor që është sot mbrapa ministrisë së Arsimit dhe që vijon deri në kryqëzimin e tretë.

Idenë për të bërë një rrugë qendrore moderne e funksionale për kohën, me aks lindje-perëndim dhe në hyrje te “Zogu i Zi”, nga ku do të dalloheshin qartë Sahati dhe Xhamia, si simbolet e kryeqytetit e dha mbreti Ahmet Zogu. Ajo do t’i shërbente gjithashtu edhe familjes së tij, për të frekuentuar plazhin dhe vilën e tij në Durrës. Në historinë e saj, ajo mbart shumë ngjarje, personazhe në veçanti pas viteve ‘70-të, kur frekuentimi saj ishte i madh nga qytetarët e Tiranës, duke përfshirë edhe “Zogun e Zi”, historinë e kësaj zone e ka trajtuar me shumë kujdes dhe interes në librin e tij Prof. Y. Pango.

Një rrugë me shumë ngjarje, dyqane, legatat, institucione, apo emra, figura, ushtarakë, mjekë, shkrimtarë, aktorë, personazhe të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, që kanë jetuar, apo kanë kaluar aty, por mbi të gjitha me “Florën”, ëmbëltoren moderne që i dha jetë e famë të madhe asaj rruge, dashuritë, midis tyre ato të motrave polake që çmendën Tiranën dhe djemtë e asaj rruge.

Ing. Prushi, arkitekti i pallateve

Ndërtimet e pallateve në atë rrugë, filloi në fund të viteve ‘50-të, dhe në vitet e para të dekadës tjetër, disa ishin përfunduar dhe me banorë, ndërsa në vitin 1964, me rastin e 20-vjetorit të Çlirimit, thuajse i gjithë blloku kryesor ballor ishte përfunduar. Arkitekti tyre ka qenë inxhinier Ibrahim Prushi, i cili i dha shumë rëndësi paraqitjes së jashtme, pallate të vendosura në të vetmin arter që lidhte aeroportin e Rinasit me Tiranën, ku do të kalonin të huajt, por dhe në transportin rrugor me veri-lindjen e Shqipërisë, pasi aty kalonin çdo ditë autobusët që niseshin nga Agjencia e Udhëtarëve mbrapa Sahatit në krah të “Vollgës” (“Drinit”) për në Shkodër, Kukës, Pukë, Peshkopi, etj., deri kur filloi të funksiononte stacioni hekurudhor i Laçit, Milotit.

Nga Gastronomi, te Parfumeria e “Malev”

Ushqimorja apo Gastronomi, kështu është njohur gjatë gjithë kohës që ka funksionuar. Një ndërtesë njëkatëshe multi funksionale në të majtë kur fillonte Rruga, në formë trekëndëshi, e ndërtuar pikërisht para pallatit 5-katësh që ka mbetur. Ajo nuk ishte vetëm ushqimore por edhe bulmetore, tregtohej mish, shitej bukë, gjithçka gjeje aty. Ndërsa Parfumeria, ka qenë përballë Gastronomit. Me shumë emër e famë për kohën ngjitur me tunelin e parë, madje ka shërbyer edhe si pikë referimi: Te “Parfumeria” takohemi. Shumë e frekuentuar, ku kryeqytetasit blinin ‘Kolonjë’ siç quhej me shishe apo edhe të hapur.

Ka qenë simbol për atë rrugë kjo Parfumeri. Një pastiçeri e madhe që vinte pas Parfumerisë, për të vijuar me Gjellëtoren dhe Agjensinë Ajrore hungareze “Malev”. Shumë afër tunelit të dytë, kjo agjensi udhëtimi si e vetmja që i lidhte shqiptarët me botën, madje kush futej aty kuptohej se do të merrte një biletë avioni dhe do të dilte jashtë shtetit. Nga Feliks Baçi, te Elisabeta, Moza, Arjan Kotoni, Sovjeti, te Kujtimi, shoferi i agjensisë ishte njeriu që e kishin dhe kishte mik të gjithë frekuentuesit e zonës.

Trikotazhi dhe golfat me akrilik

I tillë ka qenë, më shumë se i famshëm dhe me emër të madh për kohën. I njohur për prodhimin e golfave e tij, “Trikotazhi” një punishte e madhe në krahun e djathtë dhe katin e parë të pallatit në hyrje të rrugës dytësore në krah të Florës, që devijon nga ajo qendrore me emrin “Mine Peza”. Fluksi, radha për një triko golf me porosi, ishte e jashtëzakonshme, pasi përdorimi i golfit, ishte modë e kohës, madje mund te porositje triko me golf, me heqje ose jo.

Me 300 gr. lesh akrilik që e merrje aty ose e gjeje diku tjetër, të merrnin masën dhe golfa, triko për burra e gra, djem e vajza ishte. Për shumë vite ka funksionuar ajo punishte, që famën e morri nga golfat shumë të frekuentuar për rininë e atyre viteve, që ishin të modës. Të kishe një punonjës mik te trikotazhi, ishte një favor i madh. Aplikoheshin edhe golfat fallco.

Sallameria e Gazhelëve

Shumë i njohur dhe i frekuentuar ka qenë ky dyqan, i fundit poshtë në pallatin të parë majtas, ngjitur me murin e ambasadës kubaneze. Jo vetëm për atë çfarë tregtohej aty, por për miqësitë që kishin Gazhelt me sportistët e artistët. Fat Gazheli, një çiklist i njohur e popullor, mblidhte kryesisht ata të volejbollit të “Partizani”-t, si: Dash Fagu, Ylli Tomorri, Bert Borova, etj.

Madje para takimeve të rëndësishme, si p.sh., me “Dinamo”-n, gjatë rivalitetit të madh të kohës, trajneri Kona ishte i qetë kur i shihte lojtarët e tij të ishin aty, pasi e trajtonte si një formë grumbullimi qëndrimin e tyre së bashku. Pastaj rralla e gjatë për sallam, kryesisht ai 140 lek, apo ai “Turist”, ku bashkë me Xhavit Gazhelin ishte edhe shitësi tjetër, Jaho Pronja.

Në mesnatë për një biçikleta “Mifa” e “Robusta”

Bëhet fjalë për dyqanin i fundit në vargun e atyre në katin e parë të pallatit të gjatë që lidh ambasadën kubaneze me Gjykatën e Tiranës. Shumë i njohur pasi aty janë shitur në vite biçikleta, motoçikleta, motorë, pastaj televizorë e frigoriferë dhe pastaj si dyqan ‘Riparim Shërbimi’ për televizorë.

Për të blerë biçikletat e markës “Mifa” e “Robusta” meshkuj e femra, pasi informoheshin njerëzit zinin rrallë pas mesnate dhe me lista në dorë prisnin të hapej për të blerë një të tillë, pasi kanë qenë shumë të frekuentuara për kohën. Më pas edhe ato kineze. Aty janë shitur edhe motor “Java”- 250 cubik, që kushtonin 54.000 lekë. Pastaj televizorë prodhim URT e frigoriferë “Obodin” apo “Ingnis”, 45.000 lekë.

Legatat e famshme

Kështu janë quajtur, Legata, në gjuhën e përditshme, ndonëse zyrtarisht njihen me emrin ambasada. Legata Jugosllave, ajo Polake, Sovjetike dhe Kubaneze, tre prej tyre në vendosura në buzë të rrugës, nga të cilat vetëm ajo polake ka qenë pak më e futur. Për shumë vite ambasada sovjetike e njohur edhe për historinë rrëqethëse “të bombës” e që ndëshkoi padrejtësisht me vdekje, burgime shumë njerëz të pafajshëm, ka qenë ndërtesa ku sot është Ministria e Arsimit, të paktën deri në ditën që u prishën marrëdhëniet diplomatike.

Ndërsa ajo jugosllave, (ish-Muzeu i Luftës), me tre vilat e vogla shumë të bukura, thuajse në kryqëzimin e tretë, sidomos gjatë viteve’ 1970-’80, ka qenë në survejim të plotë, në veçanti kur nga një dritare e një apartamenti që ndodhej në katin e parë në pallatin përballë, punonin me tre turne punonjës të Sigurimit të Shtetit.

Aq e tensionuar ishte situata sa në stendën e vendosur në rrethimin e jashtëm, kur dikush ndalonte për të parë fotot, nga kabina dilte polici dhe me zë të ulët të thoshte: “Qytetar largoju, mos qëndro aty”. Pastaj vinte ajo polake e futur pak metra në një një nga rrugët e kryqëzimit të dytë, (edhe ajo ruhej nga dritare të një apartamenti përballë), për të vijuar me ambasadën kubaneze, një ndërtesë e mirëmbajtur dykatëshe në fillim të “Rrugës së Durrësit”, që përveç një polici, nuk kishte shumë kujdesie për të.

Edhe Gjykata në atë rrugë

Dy ishin dikasteret kryesore, por shumë të rëndësishme në këtë rrugë: Ministria e Arsimit dhe Gjykata e Qytetit të Tiranës. E ndërtuar dhe pasi ka funksionuar për disa vite si ambasada sovjetike, por pas prishjes, ka shërbyer si Ministria e Arsimit, deri në dittë e sotme atë funksion ka.

Dikur në mjediset e saj, për shumë vite ka qenë edhe Federata Shqiptare e Futbollit, Redaksia e gazetës “Sporti Shqiptar”. Ndërsa institucioni tjetër i rëndësishëm, ka qenë Gjykata, një ndërtesë tre këtëshe në të cilën janë zhvilluar procese gjyqësore të famshme për shumë vite.

Të qenit në një rrugë kryesore dhe thuajse në qendër ajo frekuentohej nga nxënës, studentë që braktisnin shkollën për të ndjekur seancat por edhe për mjaft qytetarë tiranas që paraditen e kalonin aty. Të dënuarit i sillnin me një “makinë- burg”, dhe në një nga hyrjet anësore lindore, të burgosurit zbrisnin duke u shoqëruar nga policë që i shoqëronin për në sallat ku zhvillohej procesi. Hyrja me përjashtim të rasteve specifike ishte e lirë. Kur bëhej fjalë për njerëz të njohur, fluksi në mjediset e gjykatës ishte shumë i madh, pasi miq apo të afërm, prisnin hyrjen dhe më pas daljen e personit, pasi gjyqet dhe datat publikoheshin në një tabelë.

Nga Vasil Laçi, tek Hrushovi, Sihanuk e Çu En Lai, Krujf e Bekenbauer

Ka qenë dhe mbetet rruga e vetme që lidh aeroportin e Rinasit me Tiranën dhe si e tillë detyrimisht aty kalonte çdo delegacion, personalitet, skuadrat, klubet sportive, të gjithë që zbrisnin në Rinas për të ardhur në Tiranë, duhet të përshkonin atë segment. Në veçanti delegacionet e miqësive, kur për pritjen e tyre përgjatë rrugës organizoheshin dhe dilnin të gjithë qendrat e punës, nxënës e student, zyrtarë dhe me flamuj e lule në dorë përshëndesnin të ardhurit.

Nga Viktor Emanueli, Hrushovi, Mbreti i Kamboxhias, Norodom Sihanuk, Çu En Lai deri te Bejker, Papa Gjon Pali, por edhe Irlanda e Xhorxh Bestit, Gjermania e Bekenbauerit, Overat, Netzer e Myler, te Ajkas me Krujfin, Oransoda me dy amerikanë, një pafundësi, sportistë, artistë, të gjithë aty kanë kaluar.

Madje, Vasil Laçi aty ka kryer edhe atentatin ndaj Mbretit të Italisë, Viktor Emanuel i Tretë, gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Ajo, që kujtohet lidhur me këtë rrugë, është vendosja te ambasada kubaneze në formë horizontale e, autobuzave për festat tradicionale të 1 Majit apo paradat ushtarake të 28 e 29 nëntorit, me qëllim që mos lejonin kalimin e personave të pa ftuar në këto evenimente.

Pallati i Oficerëve, për artistë e sportistë

I ndërtuar në kryqëzimin e tretë të rrugës së Durrësit, në formë harku në të majtë kur vjen për Tiranë, nga të gjithë është njohur madje edhe sot, si Pallati i Oficerëve, por që ky emër nuk ka patur lidhje me ato që kanë banuar aty, pasi ka qenë dhe mbetet ‘Pallati i Artistëve e Sportistëve’.

Madje ngjitur me të ka qenë dikur edhe Klubi i “Partizani”-t. Shkrimtarë, kompozitorë, artistë e sportistë të njohur, kanë jetuar, janë rritur pikërisht në atë pallat me gjashtë kate. Nga Nonda Bulka, Pavlina Nika, Mentor Xhemali, Feim Ibrahimi, Anita Take, Kujtim Laro, Xhevdet Hafizi, motrat Irma e Eranda Libohova, apo familja e Besim Fagut (Agim Fagu në atë pallat ka rininë e tij), deri tek futbollistët: Robert Jashari, Mikel Janku e Loro Boriçi.

Drago Siliqi, drama e një shkrimtari

Shumë simpatik, i sapo martuar dhe banues në “Rrugën e Durrësit”, në pallatin e parë mbi Parfumeri, jeta e shkrimtarit Drago Siliqi, do të ishte fatkeqësisht shumë e shkurtër. Poet dhe publicist, pasi kreu studimet e larta në Universitetin e Moskës, ai punoi si drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë.

U nda nga jeta më 13 korrik 1963, në moshën 33 vjeçare në një aksident ajror kur avioni i kompanisë “Aeroflot Tupolev Tu -104 B”, duke fluturuar nga Kina për në Shqipëri, u përplas në malet siberiane, pranë qytetit Irkutsktë të Bashkimit Sovjetik. Në këtë aksident, vdiqën 32 persona ndër të cilët gjashtë shqiptarë, midis tyre Drago Siliqi dhe gruaja e ambasadorit Reiz Malele, me dy fëmijët. Drago Siliqi la gruan me dy vajzat, Darinën dhe Laurën, që për vite me radhë kanë folur te “Zëri i Amerikës.

Doktor Mokini me “Xhekun” e tij

Doktor Potrucian Mokini, ka qenë mjek i njohur, me orgjinë armene, doktor edhe i Ahmet Zogut, por qëndroi në Shqipëri, dhe nuk u largua bashkë me Mbretin Zog. Djali i tij, Vasken Mokini, për shumë vite mjek në Spitalin Ushtarak, kur u kthye në Shqipëri në vitin 1943, pasi kishte kryer studimet për Mjekësi në Austri, solli me traget nga Italia një majmun, të cilin ja kishte blerë një ushtaraku gjerman. Me emrin “Xheku, majmuni, shumë i veçantë, me një shirit të bardhë në kokë, gjatë ditës ai qëndronte në dritare, i veshur me bluzë si triko.

Për më shumë se 15-të vite që jetoi, ai u bë në një personazh karizamtik dhe të dashur kryesisht për qytetarët kryeqytetas të cilët kalonin qëllimisht në atë rrugë për të parë majmunin “Xheku”, madje kur donin të shanin dikë, përdorimin shprehjen: “Je bërë si majmuni i doktor Mokinit”. Sotiri, njeriu i fesë, banues në atë rrugë, njeriu i parë e që përfaqësonte fenë ortodokse në Tiranë. I njohur nga të gjithë banorët e rrugës së Durrësit, ka jetuar në një apartament pallatin te kryqëzimi i dytë.

I gjatë shumë simpatik, i diplomuar në Ekonomi, ka shërbyer për shumë vite si prift në Kishën Ortodokse në “Rrugën e Kavajës”, deri në vitin 1967, ditën kur feja nuk u lejua më. Pati më pas probleme, si gjithë klerikët, madje tentuan edhe ta dënonin, e burgosën, por doli i pafajshëm dhe për shumë vite që vijuan, ka punuar si ekonomist në një ndërmarrje të kryeqytetit.

Motrat polake, që çmendën Tiranën

Historia e motrave polake, që morën famë dhe u kthyen në një fenomen si protagoniste të kësaj rruge është e lidhur me mes-vitet 1960-‘70-të. Zasha dhe Grisha, ishin vajzat e një funksionari të ambasadës polake, të cilat vinin sistematikisht për pushime gjatë periudhës së verës në kryeqytet.

Banonin në hyrjen e parë në katin e dytë të pallati përballë Ministrisë së Mjedisit, (apo “Bar Roberti” sot), një apartament që trashëgohej në vazhdimësi për personel të ndryshme të ambasadave. Bionde shumë të bukura, me flokë të gjata e balluke, 22 e 19-vjeçe, rreth tyre u krijua një situatë provokuese me mjaft djem simpatikë të Tiranës, madje deri në lidhje dashurie e flirte të vogla midis tyre.

Më shumë bujë bëri dashuria e Zashës, më një bodyguard me ngjyrë të ambasadës kubaneze, i gjatë vishej me kostum të bardhë, kaçurrel shumë djalë i pashëm, me gjyzlykë, ç’ka tërhiqte vëmendjen kur çifti ulej te “Flora”. Ishin ato që sollën minifundet e para me pala, shumë provokuese, për djemtë që qëndronin te bordurat, në pritje për t’i parë kur kalonin. Madje shumë prej tyre, nisën të mësonin anglisht, për të komunikuar me to.

Ishin admiruese të muzikës, në veçanti të këngëtarit amerikan Tom Xhons. Mjafton të vërshëlleje melodinë e këngës “Delilah”, që ato të dilnin me vrap në ballkon, edhe pse ruheshin nga punonjës të Sigurimit të Shtetit, nuk hezitonin të provokonin në pafundësi pasionet dhe simpatitë e djemtë e asaj rruge ndaj tyre. Madje me histori dashurie nga më spektakolarët, që edhe sot kujtohen nga banorët e pallatit ku jetonin, (“Demneri”), unikal për kohën.

Edhe sot, ai dyqan bulmeti kujtohet dhe mban emrin mitik “Demneri”. Shumë i zakonshëm si dyqan, të veçantën e tij e bënte të ishte me famë dhe i preferuar në atë rrugë kryesor në shpinë të “Florës”, njeriu që i dha emër, shitësi Zyhdi Demneri, model e fisnik që shërbente aty.

Mund të ketë qenë i vetmi shitës, apo tregtar, jo vetëm i sjellshëm, i edukuar, pa fjalë e i palodhur, por për çudi klienti i drejtohej me shprehjen: “Ç’urdhëroni Zonjë, si urdhëron Zotni, faleminderit Zonjë, etj.”, reflektim i një edukate jo të zakonshme, fjalë që nuk tingëllonin mirë e nuk përdoreshin për kohën. I paharruar, një person më shumë se autentik për atë rrugë, për atë brez.

Punishtja, “Këpucë me porosi”

Një tjetër punishte, që morri emër dhe pati një fluks të madh për sa kohë funksionoi në atë rrugë, ishte ai “Këpucë me porosi me mbrapshtinë”. I vendosur në kryqëzimin e dytë (pastaj u transferua ngjitur me Trikotazhin), dyqani i këtij formati, i jepte mundësinë shqiptarëve të porosisnin këpucë, por me një kusht, duke dorëzuar mbrapshtinat e një palë këpucëve të tjera, tashmë jashtë përdorimit.

Pasi vendosje këmbën mbi një letër, një punonjës të merrte masën me një laps dhe t’i zgjidhje modelin e këpucëve. Kushtonin 750 lekë, dhe modele të tilla u përhapën gjerësisht, jo vetëm në Tiranë, por mbarë Shqipërinë. Mjafton të gjeje një palë mbrapshtinë për të garantuar një palë këpucë të reja. Për të përballuar kërkesat, punohej me tre turne dhe ajo ndërmarrje kishte grumbulluar specialist të më të mirë që ishin në qarkullim. Një palë këpucë me tegel sipër, sipas modeleve italiane, ishte një preferencë për meshkujt e kohës.

“Hotel Pensioni”, sa nostalgjik!

Ndërsa fillimi rrugës, do të ishte ai me Ushqimoren apo Gastronomin, në fund të saj, tek trekëndëshi që është edhe sot, ka qenë një hotel, thuajse legjendar për kohën, me emrin “Hotel Pensioni”. I vendosur në harkun e pallatit, e morri këtë emër pasi aty jetonin e strehoheshin familje për një kohë të gjatë. Ai ishte ndër të pakët hotele që funksiononte në këtë mënyrë duke i siguruar përkohësisht familjeve pa strehë, apo të transferuara në Tiranë, strehim të përkohshëm me dhoma që ishin kthyer në apartamente. Tek ai hotel, nuk kishte prenotime ditorë por funksiononte e tillë, me banues dhe familje të përhershme, deri sa ato të gjenin apartamente për t’u zhvendosur. Memorie.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë është arti?

”A ka gjini Arti?”


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen