MENU
klinika

"Pasi të kemi koston, do ta çojmë në qeveri për miratim"

Harta e re gjyqësore, Ministri i Drejtësisë sot te Komisioni i Ligjeve

13.07.2022 - 09:44

Qeveria shqiptare duket se është e vendosur që t’i shkojë deri në fund propozimit të ri për hartën e re gjyqësore.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha dje se qëndrimet e institucionit që drejton do t’i bëjë të ditura sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku është i thirrur për dëgjesë publike. Në një dalje për mediat, ministri i Drejtësisë u shpreh se gjatë seancës dëgjimore të thirrur nga deputetët pas grevës së avokatëve, do të jepen përgjigjet e duhura për hartë. Por, ministri i Drejtësisë u shpreh edhe njëherë se janë në pritje të opinionit të Ministrisë së Financave në lidhje me kostot e hartës dhe vetëm pas kësaj ajo do të shkojë direkt në qeveri për miratim.

I pyetur nga gazetarët nëse do të ndryshojë qasja e dikasterit që drejton apo ndonjë reflektim pas protestës së avokatëve, Manja u shpreh se nesër do jetë në Komision në orën 14:00 për të dhënë shpjegimet e duhura.

“Të gjitha diskutimet mbi hartën kemi lënë një ditë të dedikuar në orën 14:00 në Komisionin e Ligjeve. Atje do të kemi përgjigjet e duhura për hartën. Do të jemi të gjithë bashkë dhe do të shpalosim qëndrimet tona në raport me hartën. Nesër do të shkojmë në respekt të Komisionit të Ligjeve dhe Kuvendit dhe japim shpjegimet tona. Harta është bërë tashmë e ditur dhe bashkëpropozimi ynë për hartën dhe pas asaj seance dëgjimore nesër në Komisionin e ligjeve dhe pasi të administrojmë edhe opinionin e Ministrisë së Financave lidhur me kostimin e hartës harta do të shkojë në qeveri për miratim”, tha Manja.

Harta e re gjyqësore kundërshtohet nga avokatët, të cilët janë në protestë dhe kanë bojkotuar seancat për masat e sigurisë deri më 27 korrik. Më herët, në lidhje me bojkotin e avokatëve ka pasur një reagim të vetë kryeministrit Edi Rama që u shpreh se harta gjyqësore nuk ka për të ndryshuar, duke thënë se bojkoti është i pavlerë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ç’punë ka avokatia me këtë?"

Harta e re Gjyqësore/ Ngjela u del kundër avokatëve

“90 mijë banorë s’mund të lihen pa gjykatë”

Harta e re gjyqësore/ Avokatë dhe qytetarë në Kurbin protestë