MENU
klinika

Nga Eduard Ilnica

Shembujt aktualë për Vllazninë e sotme në Evropë

16.07.2022 - 15:05

Të enjten e ardhshme edhe Vllaznia do të nisë aventurën e këtij viti në Evropë. Përgatitje cilësore janë bërë me këtë rast, si në Austri, ashtu edhe në Shkodër. Tifozët ndihen entuziastë dhe është mëse normale të krijojnë pritshmëritë e tyre për skuadrën e zemrës.

Nganjëherë këto nuk mjaftojnë që të kualifikohesh. Dhe shembujt janë Tirana dhe Partizani. Dy ekipet e kryeqytetit u përgatitën seriozisht, por edhe me ndihmën e tifozëve, u eliminuan që në turin e parë, pavarësisht se bardheblutë do të vijojnë aventurën në Conference League.

Tërthorazi ia vunë fajin edhe medias, duke pohuar se shkruan se janë rivalë të lehtë në letër. Gazetarët bëjnë krahasime, në shifra, në cilësi, në eksperiencë dhe nuk është faji i tyre që në fund rezulton dicka e tillë.

Media, edhe për rivalin e Vllaznisë, shkruan se rumunët e Universitateas u eliminuan vitin e kaluar nga Laci. Një ekip profesionist nuk duhet të ndikohet nga mediat, tifozët apo faktorë të tjerë. Vllaznia ka shembujt më të mirë këtë vit nga Tirana dhe Partizani, që ndoshta e morën më lehtë se sa duhet.

Nuk mjafton një ndeshje e mirë, apo një fraksion për të avancuar në Evropë. Duhet që në 180 minuta, në mos edhe më shumë, të jesh me grintë dhe mos ulësh vigjilencën as për një sekondë.

Po, gazetarët shkruajnë gjithashtu se Tirana dhe Partizani ishin të pafat, për bardheblutë duke iu referuar pjesës së parë në kthim me gjithë ato raste dhe për të kuqtë për penalltitë, por pyetja që ngre është: Cfarë bënë në pjesën tjetër të lojës apo në ndeshjen e parë?

Tjetër shembull, që me siguri trajneri Mirel Josa e di shumë mirë, është finalizimi. Dihet që në futboll nuk fiton gjithnjë ai që luan më mirë apo krijon më shumë raste. Fundja, në fund mbahet mend rezultati dhe golat, jo rastet.

Dhe Vllaznia duhet të tregohet cinike ndoshta, të shfrytëzojë në maksimum rastet e veta, ashtu sic bëri Dudelange në “Air Albania”, dy goditje në portë, dy gola. Është vetëm një shembull natyrisht, nuk është e thënë që Vllaznia të bëjë këtë, por thjesht duhet të jetë konkrete.

Pozitiv është fakti se Josa nuk ndikohet dhe nuk ndjen presion, këtë po përcjell edhe te lojtarët, për të mos rënë në euforinë e tifozëve. Publiku është ndihmë e madhe, ashtu sic ishte një vit më parë kur eliminuan Shiroki Brijeg, por futbollistët të marrin entuziazmin e tifozëve dhe jo mendimet e tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN