Futbollistët e sotëm në nivele të larta thuajse sigurojnë gjithçka me rrogën e një viti. Por për futbollistët e viteve 70’-80’ nuk ka qenë kështu. Miguel Ángel Oviedo është ish-mesfushori i Argjentinës që u shpall kampion bote në vitin 1978 dhe mezi siguron jetesën.
Historia e tij nuk është si ajo e kampionëve të tjerë të botës. Gjithsesi, ai thotë: “Unë e kam ndërgjegjen e pastër. Na thirrën për të luajtur Kupën e Botës ’78 dhe bëmë atë që duhej të bënim. Asnjëri prej nesh nuk doli në rrugë me automatik, sepse gjithçka që bëmë ishte të luanim futboll dhe asgjë tjetër. Por në vendin tonë ai ekip nuk njihet”.
Oviedo fitoi 35 000 dollarë për atë fitore. Atëherë ishin kaq shumë! Ai qëndroi në botën e futbollit edhe për një kohë më gjatë edhe pasi kishte “vari këpucët në gozhdë”, trajnoi Talleres, Racing de Córdoba dhe klube të tjera në ligën e Cordoba-s.
Pastaj historia e tij ndryshoi papritur. Të qenit futbollist dhe kampion bote ishte një ngjarje shumë e rëndësishme, por vetë jeta vazhdon. Sot, në moshën 71-vjeçare, ai e shikon futbollin nga larg dhe i zhgënjyer, megjithëse mbeti pasioni i jetës, ai që e lejoi të gjente bukën e tij dhe të krijonte një të ardhme.
Oviedo është një punonjës komunal, nëpunës administrativ dhe drejtues në qendrën sportive Municiapale Carlos Cerutti. “Kam 19 vjet që përgjigjem në telefon. Është një punë e qetë që më jep qetësinë për të pasur një rrogë të sigurt në fund të muajit. Nuk ka të bëjë me futbollin, por me sportin në përgjithësi” – shprehet ai.
Reflektimi i fundit i kushtohet Diego Armando Maradonës. Ai ra në kontakt me të kur Pibe ishte ende shumë i ri: “Ka qenë një Diego në fillim të karrierës së tij dhe një tjetër më vonë, kur situata e tij u përkeqësua pak nga pak. Ai vdiq i vetëm, i braktisur nga të gjithë dhe ishte vërtet për të ardhur keq.”