Pushkatimi i dy poetëve, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, në natën e errët e të gjatë të diktaturës, mblodhi në fshatin Bërzhitë, Librazhd, intelektualë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora. Si poet dhe bashkëvuajtës, nga larg nuk mungoi as fjala e Visar Zhitit.
Ai shkruan:
TË DASHUR VILSON BLLOSHMI DHE GENC LEKA!
Po ju drejtohem juve së pari, se ju ndjej të gjallë gjithmonë!
TË DASHUR ENRIETA, BIJA E VILSONIT, ENKELEJDA, BIJA E GENCIT,
FAMILJARË DHE TË AFËRT TË TJERË!
BASHKËFSHATARË TË BËRZESHTËS!
TË PRANISHËM TË ARDHUR NGA KUDO,
TË NDERUAR ORGANIZATORE TË SIMPOZIUMIT,
Është me shumë rëndësi ky takim dhe vendi ku mblidhet. Na kanë thirrur dy poetë, dy heronj, në truallin e tyre, te shtëpia, të denja për këtë pelegrinazh mbarëkombëtar.
Ju jemi shumë mirënjohës, së pari që bëhet kjo veprimtari, do ta quaja dhe mision, me ngjan dhe me një meshë të shenjtë, dhe faleminderit për ftesën. Për atë që ndjeva, mbase fjala më e saktë është: U trondita. Por dhe ndjeva krenari. Dy skaje që ata të dy fare mirë i bashkojnë, si poetë dhe si heronj.
Dua të përsëris atë që thoshte një poet tjetër i madh, europian, Senator i Përjetshëm në Parlamentin Italian, Mario Luzi: Ne jemi ajo që kujtojmë.
Ne sot jemi Vilson Blloshmi dhe Genc Leka! Dhe jo vetëm ne këtu. Dhe sa më shpejt të na bashkohen të tjerë, aq më shpejt si popull do të jemi më pranë ëndrrës dhe Europës së kulturuar.
Jemi mbledhur për të folur për poezinë e tyre. Është e shkruar me gjak si rrallë kush tjetër nëpër botë e ka një poezi kështu. 45 vjet më parë, në 17 korrik ata i pushkatoi diktatura, më e egra në të gjithë perandorinë komuniste. I zgjodhi si më të mirët, më shpirtbukurit, se ishin poetë dhe ndillnin lirinë e munguar, se përhapnin fjalën poetike, plot dhimbje, të ndaluarën, të përshpirtshmen, ishin të parakohshëm, guximtarë.
Dhe unë guxoj të them se nuk ishin të pafajshëm, siç është zakon të thuhet nëpër përkujtimoret posdiktatoriale. Jo, ishin fajtorë hyjnorë, kundër së keqes, kundër regjimit shtypës, kundër mashtrimit, realizmit socialist pa shpirt dhe atyre që i shërbyen atij, nga radhët e të cilit dolën dhe ata që bënë akt-ekspertizat e poezisë së tyre, që, qoftë dhe pa dashje, u rënditën me skuadrën e pushkatimit.
Vilson Blloshmi dhe Genc Leka dhe sivëllezërit e tyre nuk kanë poezi të pafajshme, siç duan të thonë djallëzisht. Poezitë e tyre janë me mëkate para poemave që i këndonin sistemit vrastar, diktatorit, partisë-shtet. Poezitë e tyre janë ndryshe, në fund të fundit nderojnë poezinë shqipe. Me poezitë tona i tregojmë vetes dhe botës që ne qëndruam, u munduam të ishim njerëz, kur ishte e vështirë, madje dhe poetë, kur nuk na lejohej.
Unë kam shkruar në librat e mi si qëndruan para ekzekutimit Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, kanë dalë fakte. Qenë të pathyeshëm. Heronj mitikë. Shpirtrat e tyre nga balta e përgjakur, e rrethuar me tela me gjëmba, shkuan menjëherë ndër yje. Dhe u bënë yje për të pikuar dritë për të ardhmen, për të treguar drejtimin.
Kur më erdhi ftesa për në Bërzeshtë, po shkoja në një vend europian për të marrë pjesë në një festival botëror poezie, në Rumani, që edhe ai vend e ka vuajtur diktaturën, burgjet, por jo nga shkaku i poezisë dhe atje nuk ka poetë të pushkatuar…
Shkova që ta çoja poezinë tonë atje, nga ferri në lartësitë e saj olimpike. Kur shikoja poetët e mbledhur nga bota, të rinj, të moshuar, gra të bukura, mungonte poeti i Ukrainës nga shkau i luftës, më shfaqeshin mes tyre fytyrat e Vilsonit e të Gencit… por dhe të Dom Lazër Shantoja, i pushkatuari i parë i klerit katolik ashtu siç pushkatuan dhe Baba Ali Tomorin, bektashian, të dy poetë, m’u nepërmend dhe rebeli Trifon Xhagjika, më jepni një top t’i bie sistemit tuaj, thirri ai në gjyq, apo Havzi Nela, me të cilin isha në burgun e Spaçit, i varuri i fundit në të gjithë perandorinë komuniste.
Në burg kam njohur dhe vëllain e tyre, Bedri Blloshmin, qëndrestar, shkëmb, në Amerikë, në New York kam takuar një Blloshmi të ri, Ilir, dua të them se janë fis rrënjë-fortë, të përhapur tashmë. Madje historiani Ago Agaj, në një libër të tij, i nxjerr si pasardhës të atij që serbët e quajtën Milosh Kopiliq, atentatorit shqiptar të Sulltan Muratit të Parë në betejën e Kosovës në 1389.
Unë kam njohur dhe djalin e lirikut Genc Leka, edhe të motrën. Kam qenë nxënës, kur vajta në shtëpinë e saj në Lushnjë, ishte gruaja e një mësuesi tonin, banonin ku fillonte zona e internimeve, na mbajtën në drekën e përmortshme…
Nuk i dija ata. Por emrat e tyre tani, Vilson dhe Genc, kumbojnë si në një baladë europiane, ia thashë dhe poetit Sadik Bejko këtë dhe ai i vuri si titull të librit që shkruajti për ta, me aq vlera dhe rëndësi. Edhe bashkëvuajtësi ynë, shkrimtari Zyhdi Morva kishte botuar një roman për ta. Etj, etj.
Në festivalin botëror të poezisë në Rumani, në qytetin Craiova, m’u desh të flas para pjesëmarrësve nga bota dhe kamerave të televizonit vendas, jam këtu, thashë, dhe për Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, ata s’mundën të vinin… i pushkatuan në moshën e Krishtit afërsisht, por ata janë gjithkund, ku është gjaku i poezisë, në çdo libër poeti, kudo ku ata mblidhen…
Kjo zemër hidhet si një zog i vrarë
Si det me dallgë shpirti me ballada…
Shkruante Genc Leka, atëhere kur s’lejohej kështu. E ka treguar fatin e tij dhe ç’mbante përbrenda.
Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,
Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur.
Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,
Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.
Vilson Blloshmi. Para 17 korrikut kobzi të 1977. E si të mos shtangësh para këtyre vargjeve. Kanë sinqeritet rrëqethës, superb, dhimbje dhe pamposhtmëri, janë testament dhe epitaf, janë credo, janë dhe deri ajo që po bën dhe ky simpozium, si vazhdim i porosisë së tyre.
Vargje të tilla duhen shkruar rrugës për në shtëpinë e tyre, mureve, kështu kam parë vargjet në shtëpinë e një poeti nobelist në Siçili, duhen futur në tekstet shkollore, duhen gdhendur gurëve, në mermer bashkë me të poetëve të tjerë e shkrimtarëve, sa rilindas dhe modernë, që bashkarisht sollëm “letërsinë tjetër” nga burgjet dhe internimet, të vërtetën dhe moralin që mungonin dhe, e theksoj, nga së bashku, me të gjithë, iu dha Shqipërisë frymë dhe dritë.
Një herë, në një festival tjetër poezie, “Ditët e Naimit”, kur autobuzi me poetë nga shumë vende të botës, që nga Tetova kaloi kufirin me Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, për të vazhduar veprimtarinë në Krujë, isha dhe unë me time shoqe dhe djalin, u lutëm që të ndalnim në Librazhd, te monumenti i tyre, një kryevepër, ato kokë të mëdha bronzi si dy planete mbi suprinën e ujit si vetë kujtesa. Kur u treguam poetëve të tjerë ç’kishte ngjarë me dy kolegë të tyre në Shqipëri, shtangën dhe s’patën më fjalë. Dhe ndoshta ndjenë më fort ç’do të thotë poet. Dhe poezi.
Vilsoni dhe Genci na thërrasin për pelegrinazh shpirtëror dhe kujtese sublime. Duhet shkuar andej nga ata na tregojnë…
Jam i sigurtë se tubimet për Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën nuk do të jenë vetëm që t’i përkujtojë dhe nderojnë si martirë të fjalës në poezi, ata të nderuar janë për jetë, dhe as vetëm që të nxjerrin vlerat e poezisë së tyre antologjike, por dhe që të shërbejnë për të njohur veten më shumë, si popull, dhe ç’do të bëjmë për më tej. Me lirinë dhe poetët e saj. Prandaj duhet jehona… Jo thjeshtë në media. Por brenda gjithsecilit. Si frymëmarrje. Edhe pse nuk do të jemi dot të gjithë të pranishëm. Por ne aty jemi.
Vërtet unë për shumë arsye nuk erdha dot, por për të gjitha arsyet jam aty me ju dhe po dëgjoj. Rëndësi ka se ç’do të bëhet më pas…
Së fundmi dua të përsëris ç’ka thënë një shkrimtar nobelist, i cili ka qenë në kampin shfarosës, nazist të Aushvicit, pra bashkëvuajtës, hebreu hungarez Imre Kertész.
Sipas tij “Holokausti, – pra përndjekja, sipas meje, – është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon… dhe …ka krijuar një kulturë”, – thotë ai, – e cila tashmë s’mund të mohohet se ka ardhur dhe vjen ende, dhe letërsia e kësaj kulture mundi të frymëzojë Shkrimet e Shenjta dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane, – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të lindë faljen ose vetë shpirtin dhe katarsisin.
[…] Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin” (kupto: përndjekjen.)
Në vend të emrit të nobelistit, vini emrin Vilson Blloshmi ose Genc Leka, ose Arshi Pipa, tuajin, timin, plagët, lotët tanë. Se këtë porosi duhet të japë dhe Bërzeshda sot. Suksese!
Përqafime të gjithëve nga larg, nga Çikago, SHBA, por dhe nga afër, nga zemra.