Prej 13 vitesh, Shqipëria është vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) e fokusuar në sigurinë e vendeve anëtare të saj.
Ndërkohë, në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme thuhet se Shqipëria ka rritur vigjilencën dhe investimet për sigurinë kibernetike. “Ndërsa përballemi me një gamë më të gjerë kërcënimesh, mjaft më komplekse e më të ndërlikuara sesa në të kaluarën, Aleanca Atlantike vazhdon të përbëjë gurin e themelit të sigurisë së përbashkët të vendeve të saj anëtare. Kështu, agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, i cili përbën dhe krizën më të madhe të sigurisë në Evropë që prej dekadash, po shoqërohen me sulme të natyrës hibride dhe kibernetike, si edhe me një propagandë të intensifikuar kundër vlerave thelbësore të Aleancës Atlantike”, thuhet në faqen e Ministrisë së Jashtme.
Por vetëm dy muaj pas lançimit nga Kryeministri Rama si një arritje elitare të ofrimit të të gjithave shërbimeve online, shteti digjital i promovuar nga Kryeministri ra pasi u sulmua nga “hacker”-at, ndërkohë AKSHI ishte i paaftë të bllokonte sulmet ndaj bllokoi të gjitha shërbimet. Në fundjavë nuk funksiononte asnjë shërbim publik online dhe faqe të tjera qeveritare. Kujtojmë që Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit është serveri që administron të gjitha faqet zyrtare të institucioneve shtetërore dhe informacionet që gjenerohen në to. Mesa duket, milionat e eurove të shpenzuara nga AKSHI për mirëmbajtje dhe sigurinë e informacionit dhe marrëveshja me “Jones Group International” nuk kanë bërë të mundur mbrojtjen e serverit kombëtar të të dhënave.
EKSPERTI
Ndërkohë, në një prononcim për “Vizion+”, eksperti i teknologjisë, Igli Gjelishti, shpjegoi se sulmi që bllokoi shërbimet qeveritare në vend është i njëjtë me atë të paraluftës në Ukrainë. I njëjti sulm është vënë re edhe në vendet e rajonit më herët. “Është një sulm kibernetik në shkallë të gjerë i drejtuar kundrejt shërbimeve qeveritare. Që në muajin shkurt, është parë në shumë vende të rajonit, si edhe në Ukrainë para nisjes së luftës. Kjo që ka ndodhur te ne është në vazhdën e sulmeve që po bëhen gjithmonë e më të shpeshta dhe ka për qëllim bllokimin e shërbimeve dhe jo marrjen e të dhënave.
Fatmirësisht, sulmi dje pavarësisht se ishte planifikuar të bëhej në mes të verës, është vënë re shumë herët dhe është marrë vendimi për ndërprerjen e shërbimeve, duke mos i lejuar sulmuesve t’i shkonin deri në fund qëllimit të tyre”. Gjelishti tha se nuk ka një afat të caktuar për rikthimin e shërbimeve, por ai theksoi se reagimi që në momentet e para dhe puna konstante që po bëhet, do të bëjë të mundur rikthimin në normalitet sa më shpejt. “Shërbimet po merren në bazë kritikaliteti, pra sa të rëndësishme janë, është kthyer në punë sistemi i faturave, sistemi i doganave, faqet e ministrive dhe po punohet ende. Janë të paprekura QKB-të, sistemi i thesareve e shumë të tjera, po punohet në mënyrë konstante. Në këto raste është e vështirë të thuhet, mund të them që është me kosto shumë të mëdha dhe që bëhen nga jashtë vendit”, tha ai.
TENDERËT
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj ka prokuruar gati 18 milionë euro brenda pak muajsh për përmirësime shërbimesh elektronike. Skema e preferuar nga AKSHI ka qenë nëpërmjet procedurave teknike, të cilat kuptohen pak ose aspak nga publiku i gjerë. Më 20 maj, Agjencia hapi një tender rreth 3 milionë euro për përmirësimin e sistemit të gjobave të Policisë Rrugore. Seria e tenderëve të Agjencisë së drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, ka vazhduar me prokurimin prej 960 mijë euro të hapur më 12 maj për përmirësimin e sistemit të regjistrimit të targave të huaja.
Ndërsa në tenderin e mbyllur në fund të prillit do të jepen rreth 600 milionë lekë për “Infosoft Systems” sh.p.k. dhe “I kub INFO” sh.p.k. për mirëmbajtjen e 209 shërbimeve elektronike në portalin “e-Albania”. Po i njëjti bashkim operatorësh ka fituar në mes të marsit të këtij viti edhe tenderin për mirëmbajtjen e sistemit për dokumentet elektronike, duke ofruar gati 820 milionë lekë. Për “rinovimin e mirëmbajtjes së sistemeve të sigurisë të implementuara pranë AKSHI-t” do të shpenzohen afro 1,3 miliardë lekë, apo mbi 1 milion euro.
MARRËVESHJA PËR SIGURINË KIBERNETIKE
Qeveria Shqiptare nënshkroi në fillim të këtij viti marrëveshjen me kompaninë amerikane “Jones Group International” për forcimin e sigurisë kibernetike dhe rritjen e infrastrukturës digjitale. “Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe grupit ‘Jones International’, për forcimin e sigurisë kibernetike të infrastrukturës kritike për Shqipërinë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren zyrtare”, shkruhej ne vendimin e Këshillit të Ministrave së datës 10 janar të këtij viti.
“Po përballemi me sulm kriminal, po punojmë të mos dëmtohemi”
Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit njoftoi dje se sulmi kibernetik i cilësuar si kriminal vinte nga jashtë Shqipërisë, por pa dhënë informacione se nga cili shtet. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, sulmi ishte i paprecedent, ndaj edhe është urdhëruar bllokimi i shërbimeve.
“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit u bën me dije qytetarëve shqiptarë se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedente dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike.
Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mosaksesimit të shërbimeve publike. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është në gatishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohë me ekipin e ‘Microsoft’, ekipin e ‘Jones Group International’ dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën TIK për të mos lejuar që ky sulm kibernetik të dëmtojë apo cenojë sistemet shqiptare të informacionit”, thuhet në njoftimin e AKSHI-t