MENU
klinika

Bashkëfinancim me qeverinë shqiptare

Parlamenti i Kosovës miraton projektin 2 milion euro për hekurudhën Durrës-Prishtinë

21.07.2022 - 19:29

Në Kuvendin e Kosovës është miratuar sot projektligji për hekurudhën Durrës-Prishtinë.

Kosova dhe Shqipëria, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila u mbajt më 2 tetor 2020 në Tiranë, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot kanë përfshirë në rend dite shqyrtimin e Projektligjit të Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu duke folur para deputetëve tha se kostoja e studimit të fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë do të kushtojë 1 milion e 980 mijë euro.

“Kjo marrëveshje bashkëfinancimi ka për qëllim përcaktimin e procedurave dhe ndarjen e kostove në mes dy vendeve për financimin, studimin e fizibilitetit dhe projektidesë për këtë linjë hekurudhore. Kostoja totale për realizimin e studimit të fizibilitetit dhe projektidesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashihet të jetë 1 milionë e 980 mijë euro”.

Aliu ka treguar se shuma e këtyre parave do të ndahen në mes të dy shteteve.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë do të ndaj shumën prej 1 milion euro, ndërsa Ministria e Infrastrukturës së Kosovës do të ndaj shumën e 980 mijë eurove. Kjo kosto është përfshirë në buxhetin e vitit 2022 të Ministrisë që ai drejton me autorizim të Qeverisë së Kosovës”.

ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar detajet e dy vendimeve të marra nga mbledhja e fundit të Qeverisë së Kosovës.

Kurti ka thënë se marrëveshja për hekurudhën Durrës-Prishtinë do të ratifikohet Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, me ratifikim në Kuvend, do të përcaktohet procedura, do të ndahet kostoja, ashtu që hekurudha të realizohet.

“Në mbledhjen e 87-të të Qeverisë, miratuam vendime për dy marrëveshje, dy projekte madhore zhvillimore. Për njërën do të kërkohet ratifikimi në Kuvendin e Republikës, për tjetrën autorizimi i Presidentes për nënshkrimin e të njëjtës. Pas mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive Kosovë-Shqipëri, me hapa të sigurt po ecim drejt realizimit të lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë. Me ratifikim në Kuvend, do të përcaktohet procedura, do të ndahet kostoja, ashtu që hekurudha të realizohet”, shkruan Kurti.

Kosova dhe Shqipëria, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila u mbajt më 2 tetor 2020 në Tiranë, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës.

Ky memorandum ka të bëjë me pikën e marrëveshjes së nënshkruar në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku të dyja palët janë pajtuar se do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd- Prishtinë, me një port në det të thellë në Adriatik.

Linja hekurudhore Durrës- Prishtinë-Merdarë do vazhdojë në Nish.

Ministritë e të dy qeverive ( Kosovës dhe Shqipërisë) janë dakorduar që të lëvizin shpejt në përgatitjen e plotë të studimit të fizibilitetit dhe sigurimit të fondeve nga SHBA-ja BE-ja dhe buxhetet e të dy qeverive.

Infrastruktura hekurudhore në Kosovë aktualisht vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë. Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve janë të vjetruara.

Për të përmirësuar këtë infrastrukturë, vitin e kaluar ka filluar rehabilitimi i disa segmenteve hekurudhore, siç është segmenti Prishtinë – Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë, që përfshin hekurudhën në një gjatësi prej 65 kilometrash. Ndërkohë, po paralajmërohet që së shpejti të fillojë edhe linja e dytë, që përfshin rrjetin hekurudhor Prishtinë – Leshak, në kufirin me Serbinë.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës, kanë një tren të rregullt, që quhet “treni i shpejtë”, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë.