MENU
klinika

Skandali/ “Vodhi pensionet e iku në Dubai”

Arrestohet drejtori i postës në Dibër dhe zyrtari i lartë

22.07.2022 - 10:44

Policia ka vendosur në pranga drejtorin e Postës në Dibër, Ilir Vranici dhe kryetarin e Zyrës së Shërbimeve dhe Marketingut, Xhevdet Doda pas skandalit me vjedhjen e parave të pensionistëve dhe familjeve me ndihmë ekonomike.

Ndërsa punonjësi Postës, Gazmir Hysi, i cili duhet t’ua shpërndante qytetarëve pensionet dhe ndihmat ekonomike, por u zhduk bashkë me një shumë të majme monetare, është shpallur në kërkim nga policia.

Dy zyrtarët e lartë të postës akuzohen për “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se dyshohet me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar degës postare Dibër, një dëm ekonomik në vlera të konsiderueshme monetare.

“Në kërkim është shpallur dhe vijon puna për kapjen e 33 vjeçarit Gazmir Hysi, banues në njësinë administrative Kastriot, ish-punonjës i shërbimit postar në njësinë administrative Kastriot, Dibër, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, pasi dyshohet se ka vjedhur masat e pensionit dhe të ndihmës ekonomike, si dhe ka falsifikuar mandat-pagesat duke firmosur në emër të përfituesve”, informon policia.

Skandali u zbulua në një emision investigativ pas denoncimit të qytetarëve në muajin qershor të cilët nuk kishin marr pensionet e majit.

Shumën duhet ta shpërndante punonjësi Gazmir Hysi, por sipas tyre ai ishte zhdukur. Disa pohuan se kishte blerë shtëpi në Tiranë me lekët e pensionistëve. Ndërkohë, të tjerë pohojnë se ka ikur në Dubai.

I pyetur nga gazetarët e emisionit investigativ Drejtori Ilir Vranici thase se 33-vjeçari kishte pas disa probleme financiare, por nuk bëhet fjalë për përvetësim, vetëm vonesa dhe se pensionet do t’i shpërndajnë.

“Të thashë ka probleme financiare, a më kupton. Dhe, është e vërtetë që ka blerë shtëpi në Tiranë, po jo me lekët e kësaj, se shtëpia në Tiranë bën 50 milionë. Ai s’ka marrë 50 milionë! Por, më fal, ka përdorur pak nga këto (lekët e pensioneve) dhe pret të marrë kredinë ditën e hënë a të martë, ta rregullojë” i thotë ai, ndërsa në fund “tani më shqip s’di ç’të them. Punonjësi Gazmir Hasi ka tërhequr 11.4 milionë lekë të reja pensione dhe 5.7 milionë lekë ndihmë sociale për muajin maj 2022. Ka filluar t’i shpërndajë. Kemi pasur probleme me vonesa”, tha ai.

Njoftimi:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Delivery”.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.

Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 2 shtetas që shpërdoruan detyrën.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Delivery”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi dhe ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

I. V., 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i degës postare Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;

Xh. D., 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i Zyrës së Shërbimeve dhe Marketingut në degën e Postës Shqiptare në Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar degës postare Dibër, një dëm ekonomik në vlera të konsiderueshme monetare.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit G. H., 33 vjeç banues në njësinë administrative Kastriot, ish-punonjës i shërbimit postar në njësinë administrative Kastriot, Dibër, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, pasi dyshohet se ka vjedhur masat e pensionit dhe të ndihmës ekonomike, si dhe ka falsifikuar mandat-pagesat duke firmosur në emër të përfituesve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.