MENU
klinika

Relacioni sekret

Letra për “huliganët” e Shkodrës, 13 dhjetorin e vitit ’90…

24.07.2022 - 12:52

        Më datën 13 dhjetor të vitit 1990, vetëm tre-katër ditë pasi në qytetin e Tiranës, kishin filluar protestat studentore, me qindra e qindra banorë të qytetit tonë të Shkodrës, dolën në sheshin kryesor, duke protestuar dhe duke hedhur parulla të shumta, kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, si: “Liri, Demokraci”, “Enver, Hitler”, “Poshtë dhuna”, “Poshtë policia”, “Rroftë Amerika”, “Ushtria është me ne”, “Ky regjim ka marrë fund”, etj., etj.

Edhe pse organet e diktaturës së asaj kohe, si Ministria e Punëve të Brendshme, të mbështetur edhe nga forcat e Ushtrisë, kishin marrë masat përkatëse, banorët dhe rinia e qytetit të Shkodrës, e mbështetur edhe nga shumë nxënës e studentë, nuk u tërhoqën nga protesta e tyre, deri sa arritën që të rrëzonin bustin e diktatorit Enver Hoxha, i cili ndodhej në sheshin kryesor të qytetit.

Po kush ishin organizatorët e asaj demonstrate, sa orë zgjati ajo, si u zhvilluan ngjarjet orë pas ore deri në mbrëmjen e asaj dite, cili qe reagimi i forcave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të ardhura nga Tirana dhe atyre të Degës së Brendshme të Shkodrës, sa persona u arrestuan, cilët ishin ata, për çfarë akuzoheshin dhe sa vjet u dënuan…?!

Lidhur me këto dhe të gjithë historikun e ngjarjeve të ndodhura më datën 13 dhjetor të vitit 1990-të në qytetin e Shkodrës, ku unë kam qenë personalisht, jo vetëm dëshmitar okular, por edhe një nga protagonistët e saj, madje dhe u dënova me 25 vjet heqje lirie, pasi kisha vendosur lëndë plasëse në bustin e diktatorit Enver Hoxha, nuk po preferoj që t’i tregoj vetë ato ngjarje.

Por në këtë shkrim, po publikoj dokumentin sekret që Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme të asaj kohe, Qemal Lame, i’a ka dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Xhelil Gjoni, ku ai ka sqaruar me detaje dhe hollësira, pothuaj të gjithë dinamikën e atyre ngjarjeve, ku mbarë populli i Shkodrës, vrau frikën dhe doli në shesh, duke u përballur me diktaturën komuniste, ashtu siç kishte ndodhur që nga mbarimi i Luftës në vitin 1945-’46, kur ndodhi Kryengritja e Postribës, e para kryengritje antikomuniste në të gjithë Evropën Lindore.

Nderim dhe krenari për popullin e Shkodrës dhe të gjithë ata djem shkodranë që dolën atë ditë në shesh, duke u përleshur me forcat e diktaturës komuniste, madje duke u përgjakur dhe duke vuajtur torturat dhe burgjet, ashtu siç kishte ndodhur me atë qytet, për afro gjysëm shekulli të regjimit komunist.

Dokumenti sekret i hartuar nga kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Xhelil Gjoni, lidhur me ngjarjet e datës 13 dhjetor 1990, në qytetin e Shkodrës, ku u hodh në erë busti i Enver Hoxhës

REPUBLIKA POPULLOR SOCIALISTE E SHQIPËRISË Sekret

HETUESIA E PËRGJITHSHME Ekzemplar Nr 2

Nr 1526 Tiranë më 26.12.1990

Lënda: Për hetimin e ngjarjes së datës 13.12.1990 në Shkodër

SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH

SHOKU XHELIL GJONI

T I R A N Ë

Në datën 13.12.1990, siç jeni në dijeni nga ora 12.45 e deri në orën 20.00, një grup vagabondësh e huliganësh me të cilët u bashkuan dhe disa studentë dhe nxënës, kanë manifestuar në rrugët e qytetit të Shkodrës, si dhe kanë kryer veprime vandale duke shkatërruar e djegur me mjete rrethanore, si shkopinj, gurë, sfera metalike, etj.

Gjithashtu kanë përdorur lëndë plasëse e lëndë djegëse, rreth 200 objekte social kulturore, institucione, e njësi tregtare të shërbimeve. Në to, janë grabitur e dëmtuar, 18 milionë e 500 mijë lekë.

Hetuesia e rrethit Shkodër, e ndihmuar nga një grup hetuesish të Hetuesisë së Përgjithshme, në bashkëpunim me Organet e Punëve të Brendshme, si dhe me organet e tjera të drejtësisë në rreth, organizuan punën për zbulimin e pjesëmarrësve dhe organizatorëve të kësaj ngjarjeje, si dhe për gjetjen e hedhjen në dorë të sendeve të grabitura.

U ndaluan 78 persona, prej të cilëve 42 u arrestuan. Hetimi e më pas gjykimi i tyre, u bë i shpejtë, me karakter zbulues si dhe duke respektuar ligjshmërinë.

Deri në datën 24.12.1990 u dërguan në gjyq 50 persona prej të cilëve, 1 për terrorizëm, 17 për diversion, 9 për dëmtime me dashje të pasurisë socialiste, 8 për vjedhje të pasurisë socialiste, 13 për grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, si dhe 2 për vepra të tjera penale.

Gjendja shoqërore e personave të dërguar në gjyq është, 31 punëtorë, 2 kooperativistë, 7 nxënës e studentë, 1 ushtar, dhe 9 të papunë. Në përgjithësi këto persona, janë dënuar më parë dhe kanë qenë pjesëmarrës në grumbullimet e paligjshme në 13 Janar në Shkodër, dhe në 26 Korrik në Tiranë.

Gjatë hetimit, doli se grupi prej 20-30 vetash, është organizuar një ditë më parë. Ato që me fillimin e grumbullimit, ashtu si edhe gjatë manifestimit të paligjshëm e ushtrimit të vandalizmave, janë përpjekur që të tërheqin pjesëmarrës nga ana e studentëve të Institutit të Lartë Pedagogjik “Luigj Gurakuqi”, si dhe nga Shkolla e Mesme “Jordan Misja”.

Organizatorë të manifestimit dhe të kryerjes së akteve të vandalizmave, del se kanë qenë vëllezërit, Kastriot e Apollon Haxhi, Gjon Maranaj, etj. Këtyre dhe turmës, ju është bërë thirrje disa herë nga Shefi i Policisë së rrethit, për t’u shpërndarë, dhe të merrnin leje në bazë të ligjit për kryerjen e këtij manifestimi.

Ato kanë përfituar nga qëndrimi i matur, gjakftohtë, kontrollues, e tolerant, i forcave të ruajtjes së rendit. Jo vetëm që nuk u shpërndanë, por fillimisht me parullat: “Liri, Demokraci”, e më pas me parullat: “Enver, Hitler”, “Poshtë dhuna”, “Poshtë policia”, “Rroftë Amerika”, “Ushtria është me ne”, “Ky regjim ka marrë fund”, kanë eksituar masën e turmës.

Protagonistët më aktivë në këtë ngjarje kanë qenë: Paulin Gjonpali, Roland Prela, Gjok Vukaj, Artan Gjegja, Gjovalin Papleka, Zef Torta, Sokol Drrasati, Zenel Mlika, Gjovalin Zefi, Paulin e Zef Coku, etj.

Këta, kanë thyer xhamat e dyerve dhe dritareve, si dhe kanë shkaktuar edhe dëme të tjera në godinat e Institutit Pedagogjik, Komitetit të Partisë, Komitetit Ekzekutiv, Radios, si dhe të vitrinave në njësitë tregtare të shërbimeve.

Gjovalin Papleka me një sopatë të vogël, ka dëmtuar bustin e Enver Hoxhës. Paulin Gjonpali, Artan Gjegja, Gjovalin Zefi, Roland Prela, etj., kanë vendosur një kabull elektrik në qafën e bustit, dhe e kanë tërhequr për t’a hedhur, por nuk kanë mundur.

Më pas Sokol Drasati, ka vendosur lëndë plasëse në qafën e bustit, deri sa e kanë rrëzuar. Sokoli, për të mposhtur rezistencën si dhe për të vrarë punonjësin e policisë që i pengonte për të përparuar në godinën e radios, kanë hedhur tre herë lëndë plasëse brenda në godinë.

Këta persona, ju kanë vënë zjarrin 10 institucioneve dhe njësive të tjera tregtare. Gjatë hetimit rezultoi se organizatorët dhe ekzekutorët aktivë të kësaj ngjarjeje, në kryerjen e veprimeve të përshkallzuara, nuk kanë pasur ndonjë platformë ose plan të mëparshëm.

Ata, kanë vepruar të përkrahur e të mbështetur nga veprimet e njëri tjetrit, si dhe të eksituar nga qenia në gjendje të dehur. Personat e dërguar në gjyq, janë gjykuar e po gjykohen, dhe dënimet e dhëna kanë qenë deri 25 vjet heqje lirie. Për 18 persona, është pranuar se kanë qenë të dënuar edhe më parë.

Disa prej tyre nga 2 dhe 3 herë për vepra penale të ndryshme, kryesisht për vjedhje të pasurisë socialiste. Në hetim, është respektuar ligjshmëria dhe mbrojtja ligjore. Është siguruar pjesëmarrja e vazhdueshme e Prokurorit dhe e Avokatit në rastet që e kanë kërkuar të pandehurit.

Për 16 personat e ndaluar, është vendosur refuzimi i fillimit të procesit penal, si dhe për 3 të pandehur, janë pushuar hetimet për mungesë provash. Janë diferencuar për politikë penale, 4 persona të mitur që kanë përvetësuar pasurinë socialiste në vlerën nën 60 lekë.

Në hetimet e deritanishme si dhe nga organet e punëve të brendshme, janë zbuluar e administruar sendet e vjedhura si, televizorë, makina qepëse, konfeksione, me vlerën 120.000 lekë.

Po punohet për të gjetur e vënë përpara përgjegjësisë ligjore edhe disa persona pjesëmarrës aktivë në këtë ngjarje, që u janë fshehur hetimit dhe janë në kërkim, për të zbuluar e administruar sende të tjera të përvetësuara./Memorie.al

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen