MENU
klinika

“Do të shënonte shumë gola”

Ish-sulmuesi i Anglisë: Përse Chelsea nuk e mban Brojën?

25.07.2022 - 16:21

E ardhmja e Armando Brojës mbetet në pikëpyetje. Trajneri i Chelsea-s dhe vetë klubi londinez janë të vetëdijshëm për cilësitë e sulmuesit të kombëtares dhe nuk preferojnë të heqin drë nga pronësia e kartonit të Brojës.

Por, nga ana tjetër, tekniku gjerman dhe klubi janë në dilemë nëse duhet ta huazojnë sërish siç vepruan në vitin e kaluar apo ta mbajnë në organikë e t’i besojnë minuta gjatë sezonit në “Stamford Bridge”.

Në fakt, ekuacioni mund të ishte më i thjeshtë nëse Broja do të kishte fatin me vete dhe të mos ishte dëmtuar në këtë moment kur Tuchel do ta testonte gjatë ndeshjeve parasezonale.

Gjithsesi, për Brojën vlerësimet mbeten nga më të mirat dhe së fundmi ai që këshillon Chelsean, por edhe trajnerin Tuchel është ish-sulmuesi i Anglisë, Darren Bent. Ky i fundit thekson se Broja e Meriton një shans me Blutë e Londrës duke shtuar se sulmuesi 20-vjeçar nuk i shpërdoron rastet e krijuara nëse shokët e ndihmojnë me pasimet e duhura.

“Përse Chelsea të mos e mbajë pjesë të organikës për sezonin e ri Armando Brojën. Ai është perfekt për rolin e qendërsulmuesit. Më duket sikur duan ta huazojnë sërish, por jepini mundësinë djaloshit.

Nëse shokët e skuadrës do të krijojnë mundësi shënimi për Brojën, atëherë ai nuk do t’i shpërdorojë ato. Do të shënojë shumë gola dhe këtë instiktin e sulmuesit e tregoi te Southampton”, përfundoi Bent.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN