MENU
klinika

Nga Erli Murati

Kur karburanti kushton më shtrenjtë se hoteli

28.07.2022 - 10:02

ERLI MURATI

“Shqiptarët po vidhen 2 herë. Njëherë kur iu vidhet nëntoka e tyre dhe njëherë tjetër kur iu futet në makinat e tyre, me një çmim më të lartë se kudo tjetër, jo nafta që ata mendojnë se blejnë, por një lëndë shkatërruese. Si ka mundësi që ndërkohë që ky zotëri u thotë shqiptarëve se u rriti rrogën e pensionin, menjëherë rriten shumëfish çmimet në treg?!”.

Nëse ky paragraf iu tingëllon me konstatimin e një politikani opozitar, është pikërisht kështu. Këto fjali janë shkëputur nga fjalimi i kryetarit të opozitës, në mars 2011. Kryetar i opozitës së atëhershme ishte Edi Rama. Kryeministër ishte Sali Berisha.

“Fast forward” sot, më 27 korrik 2022. Presupozohet jemi në kulmin e sezonit turistik. Megjithatë, nuk është e vështirë të vihet re një tkurrje e industrisë. Sigurisht në fundjavë shumëkush i drejtohet plazhit. Por, paralel me këtë, vijnë edhe ankesat e pronarëve të hoteleve në Jug të vendit, për mungesën e një fluksi të vërtetë pushuesish.

Cila është arsyeja që plazhet e Himarës, Dhërmiut, Jalës etj. po shohin sivjet më pak turistë se vjet apo parvjet?

Nuk vlejnë ankesat e përhershme për çmimet e larta të dhomave, ushqimeve e shërbimeve. Fundja, Jugu është “demokratik” dhe ka për të gjithë. Mund ta gjesh shezlonin me 100 euro në Jalë, por mund të bësh edhe pushime të qeta familjare në Borsh e Livadh. Çmimi i dhomave, i njëjtë; cilësia e shërbimit vazhdon të përmirësohet vit pas viti, gjithashtu.

Atëherë, çfarë ka ndryshuar nga vjet e parvjet? Përgjigja është e thjeshtë: çmimi i karburanteve.

Nafta dhe benzina janë shndërruar në një luks që jo çdokush mund t’i përballojë. Distanca nga Tirana në Sarandë dhe anasjelltas është rreth 520 kilometra. Nëse ke një makinë që harxhon rreth 10 litra naftë për 100 km, të nevojitet 110 – 120 euro karburant, pa llogaritur lëvizjet e brendshme. (Në Shqipëri, pensioni minimal është 119 euro.)

Në asnjë vend tjetër në botë, një rrugë vajtje ardhje nga kryeqyteti në det nuk do të kushtonte sa pensioni minimal. Për të bërë një krahasim: Pensioni minimal në Maqedoninë e Veriut është 170 euro. Karburantet gjithashtu kushtojnë më lirë atje se në Shqipëri. Praktikisht i kushton më pak një shkupjani të vijë në Sarandë se sa një tiranasi. Po të pyesësh avokatët e pushtetit, përgjigjen e kanë në majë të gjuhës. Duke mbledhur buzët sikur po shfajësohen, ata artikulojnë alibinë: është taksa e karburantit e lartë… A thua se taksa e karburantit është një fatkeqësi që na e solli Zoti dhe nuk e përcakton qeveria sipas vizionit të politikave zhvilluese.

Mund të ngjajë si batutë, por nuk është. Sot është më lirë të shkosh në Venecia me avion, se në Ksamil me makinë. Reklama për shkurtimin e distancave përmes “rrugëve” të reja është thjesht një propagandë. Aq kohë sa janë dashur të shkosh në Vlorë e Sarandë para 2-3 vitesh, aq duhen edhe sot. Nëse qeveria nuk ndërhyn për uljen e çmimit të karburanteve, në mënyrë që deti të bëhet i aksesueshëm për të gjithë dhe të mos quhet luks, do të vijojë e njëjta situatë në plazhet e Jugut. Në fakt, ndoshta është luks t’i kërkosh qeverisë këtë gjë, ndërkohë që ajo ka paralajmëruar kufizime të furnizimit me energji në vjeshtë…