Një aksident i rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Prishtinë-Podujevë. Si pasojë e aksidentit, kanë ndërruar jetë 2 persona.
Sipas policisë së Prishtinës, janë plagosur 2 fëmijë. Në aksident janë përfshirë një autobus dhe një automjet.
“Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritur të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet se viktimat e këtij aksidenti janë Sh.S, 36 vjeç dhe M.S, 35 vjeçe, trupat e pajetë të të cilëve janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar, janë dërguar për trajtim mjekësor.
Policia ende është duke punuar rreth sqarimit të rastit dhe shkaqeve të aksidentit.