Banorët e zonës së Astirit të cilët preken nga projekti i Unazës së Re janë konfrontuar me policinë bashkiake dhe punonjësit e bashkisë të cilët po zhvendosin shtyllat e ndriçimit.
Banorët kundërshtojnë heqjen e ndriçimit dhe nuk lejojnë punonjësit të veprojnë, pasi sipas tyre ndriçimi është vendosur me taksat e tyre.
“Këto drita janë vënë me taksat tona. Dritat nuk do hiqen se ata duan errësirë totale. Erion Veliaj dhe Edi Rama ta harrojnë se do heqin dritat tek Unaza e Re”- thotë një banore.
Aktualisht punonjësit po qëndrojnë në pritje për të marrë një urdhër nëse duhet të vazhdojnë punën apo do tërhiqen.
Kujtojmë se në orën 17:00 të pasdites së sotme është paralajmëruar një tjetër protestë nga banorët e zonës së Astirit. Nga projekti i Unazës së Madhe preken rreth 317 objekte, shumica prej të cilave do shemben pasi pretendohet se janë pa leje, ndërsa për ata që disponojnë dokumente është premtuar dëmshpërblim.
Për këtë temë ka reaguar edhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
Ai ka përshëndetur punën e Inspektoriatit Kombëtar të Territorit për vijimin e lirimit hapësirë për ndërtimin e Unazës së Madhe në zonën e Shkozës. Veliaj ka postuar një video të shkurtër nga momenti i punës për prishjen e ndërtimeve pa leje në gjurmën e Unazës, ndërsa ka theksuar se puna për zhvillimin e qytetit nuk do të ndalet.
“Ndërkohë vazhdon nonstop puna tek Unaza e Madhe në zonën e Shkozës. Progresi nuk bllokohet, tafmaja 5 katëshe pa leje mbi Lanë e 1 njeriu nuk pengon dot nevojën e 1 milionë banorëve të rregullt të Tiranës”, shkruan Veliaj.
Ai gjithashtu bën të ditur edhe një herë se projekti i Unazës së madhe do i jap zgjidhje trafikut, ndërsa për të gjithë ata që preken nga zhvillimi i tij dhe që i kanë ndërtimet me leje do të ketë shpronësim total, ndërsa për të tjerët trajtim nga programet sociale të Bashkisë Tiranës, përfshi edhe banesa sociale.