MENU
klinika

Nga Agron Gjekmarkaj

Opozita nuk mund të funksionojë si orkestër e qeverisë!

01.08.2022 - 10:13

AGRON GJEKMARKAJ

Nëse ke një gjë me të cilën është luajtur pisët në vendin tonë, janë dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ato rikthehen me stinë sa herë e kërkon diskursi politik. Ato do duheshin hapur që në vitin 1992, të gjitha, pa përjashtim. PD e asaj kohe kishte një supermaxhorancë. Në dritën e diellit duhej të dilte e keqja e 45 viteve përtej faktit kush paguan çmim më të lartë a më të ulët. Po kaq duhej ligj për punëtorët e Sigurimit të Shtetit, gjithë hierarkinë e tij, hetues, prokurorë e gjyqtarë të komunizmit. Po këto nuk ndodhen! Arsyet kuptohen. Përdorimi i tyre ishte qëllimi. PS ka qenë më e ftohtë ndaj këtij fenomeni, duke e konsideruar kontingjentin jo të vogël elektorat e mbështetës politikë. Të gjitha shanse të humbura. E shkuara nuk bëhet më me “ndoshta” e “sikur”. Dosjet duhen hapur, të gjitha, më mirë vonë se kurrë. Politika, administrata, diplomacia, policia, ushtria, drejtësia duhen pastruar nga bashkëpunëtorët dhe punëtorët, nga hierarkët e makinës shtypëse të regjimit. Ja ku jemi sot pas 32 vitesh dhe tema rikthehet por jo nga pozita etike.

Thjesht nga pozita politike. Prej ditësh flitet për një dosje të I. M. Qeveria përpiqet ta lidhë atë me emrin e ish-Presidentit Ilir Meta, fakt të cilin ai e ka kundërshtuar në mënyrë energjike. Unë s’e di të vërtetën dhe nuk marr përsipër të bëhem zëdhënës i saj, por mosbesim kam të drejtë të kem duke gjykuar kontekstin politik kur argumenti u shfaq dhe u bë monopol i debatit publik.

Ilir Meta sapo la Presidencën dhe rithemeloi partinë e tij LSI në “Parti të Lirisë”, duke shfaqur ambicie të madhe opozitare, u përball me ketë ngjarje. Duke e konsideruar momentin “levë Arkimedi” për të goditur kundërshtarin, krejt makineria e maxhorancës shpërtheu në iniciativa përmes Taulant Ballës e Klotilda Bushkës, duke kompleksuar pjesën e deputetëve që nuk i janë bashkuar “Foltores”. Ata, me propozimet e tyre, po duken në të njëjtën gjatësi vale me qeverinë, e cila ka ngut të shprehë kënaqësi për propozimet tona.

Momenti, iniciativat dhe mënyra e sjelljes, e pamiratuar nga grupi për këtë çështje, po e shfaq atë (grupin) me pa të drejtë si orkestër të qeverisë në karadyzenin e ditës. Deklaratat përqafojnë njëra-tjetrën, pavarësisht nga cili kamp nisen. Ndjeshmëria e kësaj teme e vë në vështirësi një grupim të djathtë në shah-matin e përditshëm, por duhet gjetur forca për t’i ikur përdorimit, i cili ka për qellim diversionin mbi opozitën. Sa për dosjet, ato duhen hapur të gjitha, pa përjashtim. Kjo është njëra ana, tjetra makina shtypëse e diktaturës, punëtorët e saj duhen lustruar.

/panorama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN