MENU
klinika

Vasali çeçen i Putinit akuzon NATO-n

“Po nxit konfliktin midis Serbisë dhe Kosovës!”

01.08.2022 - 16:48

Aleati i Vladimir Putinit, kreu i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov ka reaguar në kanalin e tij në Telegram pas situatës së tensionuar të krijuar në Veri të Kosovës mbrëmjen e 31 korrikut.

Ai ka akuzuar NATO-n se po e nxit konfliktin midis Serbisë dhe Kosovës.

“Aleanca perëndimore ka vendosur të zgjedhë plagën që po shërohet në Ballkan. Arsyeja zyrtare e shpërthimit të konfliktit është aq qesharake dhe banale sa nuk ka dyshim për nxitje nga jashtë.

Përpara se palët të kishin kohë për të diskutuar ndonjë gjë, NATO tashmë deklaron gatishmërinë luftarake dhe tërheq forcat e saj në kufi”, shkruan Kadyrov.

Sipas tij, Evropa do të përfitojë nga përplasja mes dy vendeve.

“Ndërsa Ballkani lufton mes vetes, i gjithë Perëndimi do të qëndrojë pas, duke reaguar herë pas here kundër shkeljes së të drejtave”, shpjegoi Kadyrov, i cili u bëri thirrje serbëve dhe banorëve të Kosovës që të “heqin NATO-n nga loja dhe të mendojnë për të ardhmen e tyre”.