Lermë biro, mos më mer mënden, mos më rokanis, mos më shkul zorët. E ç’te lipsen se si rronim ne? Pse, apo të qeç, se ç’u bëmë ne, nuk jua kemi zënë sinë, apo mos ju prishmë hundën?
Oh, kohë, kohë e shkretë, se si u kthie kjo botë përmbis. S’merr vesh i pari të ditin, nuk njihet i madhi nga i vogli, u bënë të gjithë si këmbët e dhisë? C’na panë e ç’panë sitë, që më mirë të ishim verbuar e shurdhuar, se sa arritmë këtë ditë.
U prishnë të gjitha nikoqirllëqet e para. Femërat e zeza në ditën e sotme u bënë nje be, duallnë malë çardhakut, e kanë mënden malë fikut. U thafçin e mos u befçin më mirë… të mos u skuqet fare faqja kështu, të mos mblidhen çikë në shtëpi, mbetën udhëve dhe s’i sheh kurrë me një zanat në dorë.
Ike vaJzë se s’të shoh dot përpara, më ngjethet mishtë kur më del me kërcinj hapur, me llërë zbuluar. U rrite, u bëre sa një lopë, nuk ma sheh shtatin sa ma ke, të vate koka në tavan… u bëre për në shtëpin’ e botës dhe akoma s’ke vënë mënt. Lipsmu këtej, do dhe të të thom se si ishin në kohët tona. Mos me mbush barkun me vrer, dhe kjo që na gjeti nuk e prisnja.
Gjithë ditën e ditës se ç’bën, s’marr vesh, shkruan, këndon, bën xivo-gavo, zë miza e kren sitë. S’di, më thonë se do beneç mësonjëse. U! pika ne kokë, gjithënjë njësoj, në diell. Dëgjomë mua, unë në kohën tënde kisha di djelm dhe babain tënd tre, dhe ti akoma nuk di se ç’do me thënë gjëlpërë, si mbahet fshesa, s’ke ngritur kurrë një qime nga dheu.
He.. he, ç’zakone që kishim, si dëgjohej fjala e të madhit, si dridheshim, po të paktën kishte hije. Eja biro ne vehte, shtroju punës, hir në udhë të Perëndisë, se nga këndimet nuk nxjerr gjë. Nis nga qëndizma, nga pala se s’ke bërë gjë, duart e zeza i ke të thara. Pika burrit që do të marre, lumi shtëpisë që do të të presë, mos ke ndërment të bëç dhe atje kështu… u… më mirë të të përpijë dheu të gjallë, se sa t’ na turpëroç.
Më qajnë sitë, vajzë të keqen sa të shoh dhe ti nuse, se jam plakë dhe kush e di ç’më ngjan. E pse më vështron ashtu, apo ke në mënde ta marrëç vete si vajza e Halil Efendiut. Ngreje nga mëndja, kaqe ta bëç dhëmbin, të hidhesh në tra. Sa ke babanë gjallë, s’i del dot njeri perpara, se të merr shpirtin, të shkurton nga kembët. Të beç si ka urdhëruar Zoti.
Thuaj si të duaç, nuk i shoh dot vajzat e sotme. U tërbuan fare, duan burrë, nuk u rrihet, gjithënjë mënden atje e kanë. Iu ka plasur cipa. C’janë ato të hira e të dala, fërc tek njera, fërc tek tjetra, ato të qeshura, ato të kukurisura… Pse më dridhen ashtu, ç’janë ato rroba që më bëjnë pas trupit, sikur do t’u çahen veshur. C’jane ato nisëla, ata të kuq e të bardhë që më vënë, po per nusëri ç’do të lënë. Jane të udhës këto, ku është parë keshtu? Pa u martuar flasin me burra, më dalin krah më krah, sa i sheh gjithë bota. Jo, jo, kjo është e tepërtë. Ne na zinte babai, as na pjete fare dhe nuk e shihnim gjer sa martoneshim. Dhe atje që venim na dridheshin këmbët. Bulla qe na qendronte ne krah na shponte me dore, rri kështu, rri ashtu, ul kokën, ngre supet, zeju dorën. Ta k’anda, dukej q’ishim nuse. Të thom, u bera kaqe, nuk di se si është te thënit e emrit të burrit. U bëra me gjashte femilë, nuk thaçe di fjale radha me të ndjerin: na, nama, merre, jepe, atë, këtë, këto qenë fjalët tona.
Vajzat e sotme, me t’u martuar jo më dhëmb brinja, jo këmba, jo koka. Gjithe ditën e ditës shtrirë, trash’ e gjerë, nuk zënë punë me dorë, nuk vrasin mënden fare, flakën shtëpisë, s’ngrënë qimen nga qulli dhe vjehrat bëhen të liga. Kanë të drejtë të flasin dhe ato, lihet shtëpia në ditën e kujos?!
Mbarsen, s’tunden nga vëndi, se mos e shtien, këto zonjë-mëdha. Po ne si s’na gjente gjë, ngrinim o te keqen nga njëra anë në tjetrën, thesin me kallamboq në kraha, nga avlija e në haur. Pikë! S’pësonim gjë, as dorë, as këmbë thienim dhe kurrë nuk sëmureshim, shtëpise i vinim rreth me një grikë fëmilë, që na mirrnin këmbët. Thuajmë si të duken këto, po ç’të bëni, ju tërboi shkolla biro! dëgjon, degjove? Ua hoqi dhe atë çikë mënde që kishit, ua bëri fiu. Mallëkuar qoftë kush e hapi për herë të parë, na prishi shtëpinë, se lipsur të jetë dhe ai mësim.
Nuk e di se si u bëmë kështu. Njeri s’na shikon, njeri s’na vë veshin, njeri s’na përfill, shkojnë dhe as kokën s’na kthejnë. U duket se arritnë qiellin me dorë, u duket sikur jemi lecka. Po falin e kanë dhe burrat qe ju lane juve mbi kokë. Ata u bene gra dhe ju u bëtë burra. Eh! ku vate tëllesëmi i parë që këmbë dëgjonim jashtë, rrëzave futeshim.
Ju daltë zverku, ju plastë dell’ i ballit, qe s’na latë të vdisnim siç duhesh. Mbemë për gjëmë sikur na kish nëmur njeri, që rrofç e mos gëzofç. Për Perëndi balta mjaltë, po kështu s’na latë radhë, kur qaf’ e kur kungull.
Nuk te shoh dot perpara, ikmë ketej, se m’u bënë sitë miza-miza. Ikmë te keqen e mos më bjer në qafë se s’të kam ngenë. Nuk të hin në pune se si rronim, ju shihni t’uajat. Mënjanmu këtej, se kur më del përpara kështu, nuk dua të të shoh për njëqint vjet.
*Shkëputur nga libri me të njëjtin titull, i Musine Kokalarit, botim i vitit 1941