MENU
klinika

Sulmuesi kuqezi

Çdo ditë nga një skenar për Brojën, ja i fundit

02.08.2022 - 21:41

Thuajse çdo ditë shfaqen hipoteza nga më të ndryshmet për Armando Brojën, që vazhdon të qarkullojë në mediat më të njohura sportive në Angli. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare është në pritje të vendimit të Chelsea për këtë sezon, nëse do ta mbajë në radhët e bluve, do ta shesin apo do ta huazojnë sërish.

Sot, në mediat britanike është publikuar hipoteza e një kthimi të bujshëm te Southampton, klub ku Broja shpërtheu në skenën e rëndësishme të futbollit britanik duke luajtur rregullisht nën urdhrat e Ralf Hasenhutl.

Drejtuesit e kësaj skuadre dhe vetë trajneri nuk e kanë mohuar kurrë se do të dëshironin futbollistin që të kthehej përfundimisht në radhët e tyre dhe sipas gazetarit britanik që merret me merkaton, Din Jons, një gjë e tillë është mëse e mundshme.

“Duket se Southampton do të vuajë edhe këtë vit për gola. Ata mund të kthehen  përsëri në garë për Brojën”, tha ai për “Givemesport”. “E gjithë koha që ai kalon te Chelsea rrit besimin se Southampton mund të kthehet në garë për Brojën, nuk do ta përjashtoja këtë mundësi”, tha gazetari britanik.