Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kurti e ka njoftuar Stoltenbergun me zhvillimet në veri dhe ka thënë se qyetarët e Kosovës janë njoftuar për masat që do të merren. Ai ka shtuar se masat janë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare.
Kurti po ashtu ka thënë se nëpër pikat kufitare në Kosovë, udhëtarëve u duhen vetëm 20 sekonda për të kaluar, ndërsa nëpër pikat në Serbi duhen pritje deri në një orë.Kjo është komunikata e plotë e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit lidhur me bisedën telefonike Kurti-Stoltenberg:
Kryeministri Kurti zhvilloi bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z.Jens Stoltenberg
Prishtinë, 2 gusht 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z.Jens Stoltenberg.
Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se qytetarët e Kosovës janë informuar mirë për masat në ardhje, se masat janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe që zbatimi i tyre është koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.
Nën masën e re të kalimit kufitar në vendkalimet kufitare të Kosovës, më 1 gusht, deri në ora 18:00 kishin kaluar 2521 qytetarë me dokumente identifikimi nga Serbia. Për këtë procedurë të re kanë pritur mesatarisht vetëm 20 sekonda, pasi gjithçka është digjitalizuar nga institucionet e Kosovës. E njëjta procedurë në vendkalimet serbe zgjatë nga 10 minuta deri mbi një orë.
Kryeministri Kurti e informoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje. Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin.
Z. Stoltenberg e siguroi Kryeministrin Kurti për angazhimin dhe bashkëpunimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.