MENU
klinika

Sulmi me armë ndaj Policisë

Kurti: Pas tensioneve në veri, bandat kriminale qëllojnë sërish ndaj patrullave tona

06.08.2022 - 19:06

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për sulmin me armë ndaj policisë në veri të vendit.

Në një postim në Twitter, Kurti thotë se është hera e dytë brenda një jave që bandat kriminale në veri, sulmojnë me armë patrullën e policisë.

“Rreth 10 të shtëna pati në drejtim të Policisë Kufitare që po vendoste një varkë patrullimi në liqenin e Ujmanit. Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit tonë, vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës”, ka shkruar Kurti.

Policia e Kosovës më herët doli me një deklaratë që njoftoi për këtë sulm, duke shtuar se nuk ka mbetur askush i lënduar.

“Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, ka njoftuar Policia.