Në testin e fundit miqësor, përpara startit të Serie A, Inter pësoi një humbje me “poker” golash përballë Villarreal, një 90-minutësh jo pozitiv, në një kohë kur trajneri Inzaghi kishte hedhur në fushë formacionin e tij më të mirë, vetëm një ndryshim, Asllani në vend të Brozovic.
Nuk ishte sfida më e mirë edhe për yllin kuqezi, ky ishte një shans ideal, por në fund rezultoi lojtari më pak i vlerësuar në radhët e zikaltërve, nota 4,5.
“Komplimentet e shumta mbase i kanë bërë pak keq. I limituar në organizim, ndërsa humbi dy topa të rëndë, nga njëri prej tyre erdhi dhe goli i dytë i Villarreal. Shpresojmë që Brozovic të kthehet shpejt”, shkruajnë mediat italiane. Lukaku dhe D’Ambrozio ishin autorët e golave për Inter:
“E dinim se përballë kishim një ekip që luajti në gjysmëfinalet e Champions League, kjo sfidë na bëri të kuptojmë që duhet të rritemi ende. Testi ishte impenjativ, jemi në një gjendje të mirë, por duhet të punojmë akoma më shumë. Brozovic ka pasur një problem, por shpresojmë që të shtunën të jetë gati”, u shpreh Inzaghi.