Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka reaguar pasi Policia kufitare e Kosovës është sulmuar me armë zjarri dje në Liqenin e Ujmanit.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se këto sulme përveçse janë të rrezikshme, janë akte kriminale që duhet të ndërpriten menjëherë.
Ndaj, ka bërë të ditur se EULEX-i do t’i shtojë patrullimet në atë zonë.
“Të shtënat e sotme në liqenin e Gazivodës/Ujmanit janë edhe një sulm me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës. Askush nuk u lëndua, por këto sulme jo vetëm që janë të rrezikshme, janë akte kriminale dhe duhet të ndërpriten menjëherë. EULEX-i do t’i shtojë patrullimet e saj në zone”, ka shkruar Wigemark.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se sulmi është duke u hetuar.
Ai ka bërë të ditur se njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) në Zubin Potok, është qëlluar rreth 10 herë sot, ndërsa po bëheshin gati për një kontroll rutinor me barkë në Liqenin e Ujmanit.
“Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit tonë, vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës”, ka shkruar kreu i ekzekutivit në Facebook.
“Fatmirësisht, shpëtuam pa viktima dhe tani po zhvillohet një hetim i plotë për këtë rast. Sot, në rrugë nuk ka barrikada”, ka shtuar Kurti.
Por, siç ka thënë, bandat kriminale vazhdojnë të barrikadohen kundër institucioneve të Kosovës të zbatimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Policia e Kosovës është sulmuar dje me armë zjarri rreth orës 11:25, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit, në Zubin Potok.
Sipas njoftimit të policisë, kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri, të cilat siç bëhet e ditur ishin të njëpasnjëshme nga pjesa tjetër e liqenit duke goditur afër barkës së policisë.