MENU
klinika

Letërsi

Dëshmi e ndërkallur për Teatrin Popullor

20.08.2018 - 12:13

Nga Arben Dedja/

Dihet që oborrin e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) e ndan vetëm një mur me Ministrinë e Brendshme. Meqë ra fjala, desha t’ju njoftoj, shoku Kryetar, se një tunel i fshehtë e lidhte dikur Ministrinë me Teatrin.

S’dua të zgjatem e të dal nga tema, por do të ishte me vend t’u bëj me dije për këtë fakt, meqë çuditërisht s’ka dalë ende në shtyp thashethemnaja e ekzistencës së këtij tuneli që u rrëzua me dinamit pak ditë para përmbysjes së regjimit për të zhdukur çdo gjurmë të ndërhyrjes së Ministrisë sonë në jetën kulturore-artistike të vendit, që në Teatër e dinte vetëm Sekretari i Organizatës Bazë, i cili e mbante dhe po e mban gojën kyçur, me gjasë sepse as ai vetë s’e kish parë kurrë me sy, por e kish me të dëgjuar, meqë tuneli, i gjatë rreth 70 metra, mbaronte bash nën skenë në formë tombine të pafajshme, që hapej vetëm nga njëra anë, afërmendsh nga ana jonë, e Ministrisë.

Edhe në dikaster pak e dinin punën e tunelit.

Unë isha njëri nga ata, thjesht pse u zgjodha të marr pjesë në aksionin spektakolar të shumë viteve më vonë nga kur zhvillohen këto ngjarje, kryer vetë i tretë, (s’kam ndërmend të bëj emrat e shokëve, sepse kjo ngjarje kurioze nuk hyn në deponimin tim: po e shkruaj vetëm se më erdhi mendsh papritur dhe lidhet drejtpërsëdrejti me punën e Drejtorisë sonë në Teatrin Popullor, me të cilin kemi bashkëpunuar gjithnjë ngushtë, atëhere, por edhe më vonë), me aksionin spektakolar, pra, ndërmarrë një natë vere sapo u njoftuam që Udhëheqësi (i Riu) po përgatiste një vizitë të shkurtër në Malësinë e Madhe dhe ne, të kapur në befasi, për t’i maskuar më së miri sigurimsat që do të merreshin me mbarëvajtjen e kësaj vizite, siedhe Parrullëhedhësin e Veriut, me pseudonimin Muji, (më poshtë do të cek çështjen e përhapjes, e kudombjelljes së parrullëhedhësve) u detyruam të bënim inkursionin natësor, duke depërtuar fshehurazi në Teatër, ku nga garderoba rrëmbyem të gjitha kostumet malësore dhe qeleshet që ishin gjendje.

Askujt, ndoshta as vetë Sekretarit të Organizatës Bazë të Teatrit, s’i shkoi mendja që këtë punë e kishim kryer ne, që ngjante e pakuptim, të cilën Policia e Tiranës e hetoi me zell, po sigurisht, pa asnjë sukses për muaj e muaj me radhë, derisa dosja u arkivua.

Kjo pra ishte arsyeja e vërtetë (dhe jo, siç u trumbetua, ndonjë gabim ideologjik i aktores që luante Loken) që shfaqja e dramës Toka jonë, e programuar të nesërmen e inkursionit në Teatër, u anulua: sepse mbeti pa kostume.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB