Prozator, dramaturg e poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në fillim, metodën e realizmit socialist në kulturë, letërsi dhe art. Nisi të shkruajë ndryshe nga çfarë botohej asaj kohe.
Prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit, që shkruan si i thotë shpirti, pa pyetur për pasojat, – thoshte ai.
Sipas kritikës, vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.
Shkrimtari disident, Kasëm Trebeshina u lind në Berat më 8 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942 sepse u aktivizua që në rini në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore. Trebeshina ndërpreu studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare.
Ai do ta kundërshtonte që në nismë metodën e realizmit socialist. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e sistemit diktatorial në Shqipërinë e pasluftës II. Ky kundërshtim i hapur i drejtimit, që synohej t’i jepej letërsisë dhe arteve, do ta çonte atë mëse një herë në burg, duke ia hequr të drejtën e botimit.
Në 1954-ën, Trebeshina dënohet me 3 vjet burg, me akuzën për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit. Më 18 maj 1962, komisioni i internim–dëbimeve e dënoi atë me 5 vjet internim, nga 18 maj i 1962 e deri më 18 maj 1967.
Në vitin 1961 botoi poemën “Artani dhe Min’ja” dhe një përkthim të poetit spanjoll, Garsia Lorka. Një pjesë e veprave të Trebeshinës, kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90, në Prishtinë, por pjesa më e madhe e veprës: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane dhe vëllime me tregime etj., janë ende në dorëshkrim.
“Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, “Odin Mondvalsen” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina”. Vepra të tjera të njohura të tij, janë: ”Mekami, melodi turke” ,“Histori e atyre që nuk janë”, “Legjenda e asaj që iku”.
Kasëm Trebeshina do të ndahej nga jeta në Ankara, më 6 nëntor 2017.