Real Madrid është klubi më i suksesshëm në histori të futbollit. “Los Blancos” i kanë fituar 97 trofe deri tani, përfshirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Dhe, kampioni aktual spanjoll dhe evropian është në kërkim të trofeut të 98-të në Helsinki, ku do të përballet me Eintracht Frankfurt nesër mbrëma në ndeshjen e vlefshme për Superkupën e Evropës.
“Mbretërit” e Spanjës kështu po shkojnë drejt trofeut të 100-të dhe jubilar, të cilin synojnë ta arrijnë deri në fund të këtij sezoni. Reali e ka fituar La Ligan plot 35 herë, ndërsa Champions 14 herë, një rekord absolut.
Prapa Real Madrid gjendet Barcelona, e cila ka vetëm një trofe më pak të fituar, 96. Madrilenët e kanë mundësinë të shkëputen ndaj rivalëve të tyre të përbetuar nesër mbrëma në Finlandë, ku mund të shkojnë në kuotën e 98 trofeve.
Vendi i tretë për më së shumti trofe të fituar i takon Benfica-s, e cila ka 83 tituj zyrtarë, kurse Bayern është i katërti me 82. Prej klubeve më të suksesshme në botë janë edhe ato jug-amerikane, Boca Juniors (70) dhe River Plate (69).