MENU
klinika

"Realiteti ka degraduar aq sa…"

Artan Fuga: Tragjedia në Himarë duhet kthyer në platformë alternative kritike

09.08.2022 - 18:29

Akademiku Artan Fuga ka analizuar aktualitetin politik e social në vend nisur nga tragjedia e 2 gushtit në Himarë, ku një 7-vjeçare u vra nga skafi që drejtohej nga policia Arian Tasë. Fuga tha në “Opinion” në News24 se janë një sërë masash që nuk zbatohen, të drejta që në shoqërinë tonë janë minimale dhe që janë ato që prodhojnë këto ngjarje të hidhura.

“Sikurse dhe ndofta studiues të tjerë paraqitem si dikush që më intereson realiteti shoqëror politik në Shqipëri dhe aksioni social.
Ka tre momente më së paku që mund t’i bëhet analiza, humbja e jetës së vajzës së vogël të pafajshme, tragjedia familjare e prindërve të saj është një fakt i dhimbshëm, është një element pikëllimi, i cili sigurisht nuk është i rastësishëm. Janë një sërë masash dhe sigurisht të jetës së njerëzve në zonën e plazheve dhe përtej zonës së plazheve, në jetën e përditshme, të punëtorit që punon në skelë, të kalimtarit që ecën në vijat e bardha dhe i rrezikohet jeta nga dikush që nuk respekton rregullat apo nga siguria ushqimore, të drejtat që në shoqërinë tonë janë minimale dhe që janë ato që prodhojnë këto ngjarje të hidhura.
Këtu është problemi sa mund të kthehet një ngjarja tragjike në një fakt politik.
E dyta është problemi shumë i rëndësishëm cila është marrëdhënia midis një lëvizjeje shoqërore dhe një aksioni politik. E treta ka të bëjë me atë që disa protesta që thirren, kam dyshimin prej kohësh që kanë mbetur në atë kuadratin e ngushtë, tradicional të protestave të viteve ‘90, kur turma njerëzish shkonin në bulevard, sulmonin ose jo dhe nga kjo ndodhte ose jo një ngjarje politike. Kanë ikur kohët e kësaj”, u shpreh Fuga.

A duhet të vendosen ultimatume? Sipas akademikur çdo protestë qytetare apo çdo lëvizje politike në terren, ka nevojë për disa objektiva, disa kërkesa.

“Objektiva padyshim që duhet të ketë, problemi është që a janë ato objektiva që të plotësojnë minimumi dy kërkesa, e para a janë logjikë dhe e dyta a janë të realizueshme.
Ka kërkesa të cilat mund të jenë të drejta, por a janë të realizueshme. Në këtë rast pa paragjykuar fare, duke mirëkuptuar atë qytetarin e ndërgjegjshëm që proteston dhe proteston për të thënë shiko unë këtu jam…po duhet të kuptojmë populli dhe qytetarët nuk janë protestues profesionistë të cilët me një fishkëllimë ti i mbledh sa herë të duash, pa fund herësh sepse ata nuk përgjigjen.
Unë kam eksperiencën e rrjeteve sociale, nëse nuk je në trendin e audiencave ato të braktisin menjëherë. Nuk duhet marrë populli, qytetarët, masa si një grup protestuesish permanentë dhe sikur një pakënaqësi kthehet menjëherë në protestë.
Në momentin kur je duke thënë që ka një pasiguri në plazhe, në hapësirat turistike të vendit, sigurisht ka norma që nuk respektohen, për arsye nga më të ndryshme, kur thua që problemin e ka qeveria, çfarë kuptimi ka të thuash që të shkarkohet ministri i Brendshëm apo i turizmit.
Ose është politika e gabuar dhe kryeministri që drejton një qeveri që ka një politikë, ose është tek individi”, u shpreh ai.

Lidhur me reflektimin e qeverisë apo masat e marra pas tragjedisë, sikurse bllokimi i mjeteve ujore, Fuga tha se problemi është që këto duhen rregulluar që dhe zbavitja të jetë dhe siguria të jetë.

“Unë mendoj që të dy anët nuk janë kontradiktore. Nga njëra anë qytetarët që kërkojnë siguri, nga ana tjetër ata që kanë biznese në zonën turistike të kenë një aktivitet ekonomike nëpërmjet mjeteve të ujit, këto nuk janë kontradiktorë.
Ne nuk mund të biem në gabimin që meqë nuk duam aksidente rrugore të heqim makinat.
Turizmi shqiptar vuan nga të dyja dhe të dyja palët në vend të gjejnë një sinergji, një konvergjencë, një aleancë nuk arrijnë dot as ligjërimin publik ta konvergjojnë. Nuk mund të ketë turizëm me sipërfaqe deti bosh. Problemi është që këto duhen rregulluar që dhe zbavitja të jetë dhe siguria të jetë.
Fakti i hidhur i humbjes së jetës i asaj vajze atje duhet kthyer në platformë alternative kritike të cilat as lëvizja qytetare nuk i ka, as opozita nuk i ka dhe më e keqja injorohen aktorët e interesuar, këta njerëz që duan të kenë aktivitet ekonomik. Këta duhen mobilizuar.
Kam frikë se jemi në konceptin e vjetër dhe opozita është në konceptin e vjetër.
Nuk mbërrin dot te koncepti që demokracia në shekullin e 21-të luhet në mikromjedise, në vendimmarrje, aksione, në procesin e tenderimeve, luhet me aktorët specifikë ekonomikë. Opozita është në këtë gjendje, e prapambetur në koncepte dhe e fiksuar në konceptet e protestës së viteve ’90, qeveria përfiton nga këto dhe është futur në një moskomunikim, në një autizëm dhe ka tre pozicione: është një rast që ndodh kudo në botë, rezultatet janë të shkëlqyera, rrugët tona janë të mrekullueshme, plazhet me mirë se kurdoherë, të gjitha gjërat që bën janë perfekte. Çdo pushtetar që hipën atje pas 2 muajsh e konsideron modelin në të cilin ka hipur si më përfektin, nuk i funksionon mendja më sepse mungojnë motorët e kritikë dhe e treta fillon sulmon median dhe opozitën. Ka një bllokim në këto marrëdhënie që realitetin e bën të degradojë deri sa arrin që në mes të gushtit policia, shërbimet kontrollojnë licencat e qindra mjeteve ujore që duhet ta kishte bërë në maj”, u shpreh Fuga.

Ai ka folur dhe për rikthimin e Ilir Metës në politikë, duke theksuar se është një energji shtesë që i jepet opozitës nga fakti që z. Ilir Meta u lirua siç ai thoshte vitin e fundit nga një ngarkesë që mbante brenda disa detyrimeve kushtetuese, që ka filluar procesin e ristrukturimit të partisë që ka drejtuar, LSI-së.

“Është interesant fakti që ka kritikuar lidershipin për dorëzimin e mandateve dhe mosfutjen në zgjedhje. I jep një lloj mënyrë, sinjalin sikur do të tronditë dhe lidershipin opozitar dhe të gjitha këto në një farë mënyre është një energji e shtuar, por është akoma shumë shpejt për të thënë se çfarë do bëjë.
Shoh një pjesë të qyt opozitarë të cilët në kushtet e pakënaqësisë, të zhgënjimit të lidershipit opozitar, sikur presin Mesinë, presin dikë të vijë, pritshmëritë janë shumë ë mëdha. A do arrijë ai të ristrukturojë ëtë gjë, mbetet për t’u parë. Priten platforma, ide. Ai është i goditur nga propaganda e pushtetit. Ka pasur një rrugëtim të përbashkët me kryeministrin aktual Edi Rama. Në një farë mënyrë duhet të tregojë se rishikon gjithë atë udhëtim të përbashkët. Ka një problem si do akomodohet me pjesën tjetër të opozitës që drejton z. Berisha. Ka shpallur se do rinovojë lidershipin e partisë së tij, si do arrijë ta bëjë pa krijuar tensione dhe çarje. Si do arrijë të ketë një besueshmëri masive në elektorat, në momentin kur dhe ai ka 30 vjet në politik. Si do paraqitet se ka një bashkim të energjive me aleatët perëndimorë, mbi të gjitha çfarë do u premtojë qytetarëve. Denoncimi me inceneratorët është një punë e rëndësishme, është ajo që nuk po bën prokuroria, SPAK-u”, u shpreh Fuga.

Sa i përket pozicionit të kreut të PD-së Sali Berisha, Fuga tha se ai përballet me disa probleme të mëdha.

Sipas tij, njëra anë qeveria që është konsumuar në elektorat, nuk ka më asnjë energji për t’iu propozuar masave dhe nga ana tjetër një opozitë që ka një sërë problemesh globale dhe specifike i shërbejnë status quo-s.

“Konferencat për shtyp janë shumë të mira dhe z. Berisha jep nga vetja e tij energji të jashtëzakonshme, në këto kohë vape.
Gazetarët janë shumë të rinj në moshë, por fakti që z. Berisha është përballë një grupi gazetarësh të cilët nuk janë as të specializuar, disi me një pozitë jo shumë të stabilizuar në media, sigurisht që e ul potencialin e intervistave.
Politika dhe lidershipi politik ka problemin e asaj që quhet reputacion në tërë dimensionet dhe z. Berisha ka këto probleme, raporti me aleatët perëndimorë, raporti me grupin e deputetëve, që është larg të qenit i njehsuar. Vijojnë tre grupe. Z. Berisha ka që nga viti ‘90 me kontributin e tij dhe konsumimi që i bën klasa politike dhe me një brez të ri që vjen dhe kërkon të tjera figura dhe imazhe. Ndërkohë që z. Berisha me traumën që ka pësuar, kërkon nga njerëzit të jenë besnikë, luajalë, por kjo bën që ata që janë rreth tij të jenë pak a shumë të njëjtën. Ka probleme të jashtëzakonshme dhe unë mendoj që nëse në rastin e z. Ilir Meta dhe Partisë së Lirisë problemi kryesor është çfarë alternativash i jep shqiptarëve. Z. Berisha ka dy probleme të mëdha, problemin e rinovimit të lidershipit të PD-së, është problem urgjent dhe si të thuash një lloj hapjeje ndaj botës, të aleatëve tanë të jashtëm. Është e domosdoshme. Kjo është pak a shumë tenxherja që zien, nga njëra anë qeveria që është konsumuar në elektorat, nuk ka më asnjë energji për t’iu propozuar masave dhe nga ana tjetër një opozitë që ka një sërë problemesh globale dhe specifike dhe ne jemi në këtë gusht në një lloj kaosi politik dhe kjo sjell largimin e qytetarit nga politika, mosbesimin dhe ky lloj mosbesimi ndaj politikës i shërben qeverisë e cila edhe sot po të hyjë në votime pavarësisht se pakënaqësia ndaj saj është shumë e madhe nuk do të thotë që aq elektorat sa i duhet, i interesuar për ato thërrimet që shpërndahen, ai elektorat mos të ketë një forcë shumë të fuqishme përballë një opinioni shoqëror të thërrmuar, të zhgënjyer.
Jemi në një situatë mosbesimi ndaj politikës që i shërben status quo-s politike të sotme”, deklaroi Fuga.