Kundërshtarët e tij mund t’i numërojnë një mijë e një mëkate. Si kryeministër dhe si qenie njerëzore. Për Berishën dhe Metën, që e kanë shpallur armik final, ai është fajtor edhe për kryqëzimin e Jezu Krishtit. Miqtë e tij, tek të cilët vetë Rama rekruton me qejf tharmin e kundërshtarëve rishtarë, mund të numërojnë të 99-tat për të, por janë të bindur se Viti Zero në Shqipëri, fillon pikërisht me Ramën.
Të paktën gjysma e shqiptarëve që shkojnë të votojnë, megjithatë, e konsiderojnë atë ende si ofertën më të mirë politike në vend. Të gjitha këto kategori së bashku, kritikën kryesore – e përmend dhe Rama vetë – e kanë tek bindja se “Ai të lëshon!”. Dhe me “Ai të lëshon!”, edhe armiqtë, edhe kundërshtarët, edhe miqtë që janë të destinuar të rrallohen sa më shumë i shtohen vitet në pushtet, kanë parasysh bindjen se, mbas cdo lumi që kalon, Rama i harron kuajt që e nxorrën në breg dhe mbas cdo rrebeshi që shterr, ai nuk e falenderon më cadrën.
Dy kategoritë e para kanë të drejtë në bindjen e tyre. Eshtë normale, tipike për bardh e zinë e politikës në Tiranë, që kundërshtari, aq më tepër kur bëhet fjalë për Piktorin atipik, të vizatohet me ngjyra që huazohen nga gëzofi i djallit. Problemi qëndron me të tretët, me njerëzit e Ramës.
Një pjesë e tyre kanë kohë që jetojnë në bindjen se janë mall për t’u shitur, sidomos tani kur kanë nisur të ndjejnë tentativa për ndryshime në hierarki brenda maxhorancës; disa ndjejnë pasiguri për atë që do të sjellë vjeshta për karrierën e tyre në rastin më të mirë dhe disa të tjerë, për raportet e pritshme me drejtësinë, në rastin më të keq. Në secilin prej këtyre rasteve është e pritshme që sjellja e kryeministrit të reflektojë thjesht atë që ai e konsideron interesin më të mirë për pushtetin e tij, cka me të gjitha gjasat, do të prishë shumë interesa vetjake të njerëzve pranë tij.
Riformatimi i mundshëm i qeverisë diku nga vjeshta, një nevojë që ndoshta Rama ka muaj që e sjell ndër mend, me shumë gjasa do të krijojë të tjera pakënaqësi në një tokë të rrëshkitshme interesash, por edhe zilish reciproke, xhelozish të egra dhe shkëmbim thikash mes “kolegësh” në PS. Ndonëse ende e padukshme, aksioma për luftën më të ashpër brenda llojit, nuk është e llojit unik në PS, por në PS gjen vërtetimin e saj të rradhës.
Pjesa tjerër, ajo që ka raporte frike me SPAK-un, ndjehen viktima të frazës së Ramës: “Përgjegjësia është individuale!”. Një frazë që ata e konsiderojnë jo vetëm si heqje dorë dhe dorëheqje e Ramës nga cdo bashkëpërgjegjësi, por edhe për hedhjen e tyre si kurban në duart e drejtësisë. Por fiks kjo frazë, pavarësisht mëkateve që gjithkush rend t’i numërojë Ramës, është fraza më e saktë që Rama ka thënë ndonjëherë. Ajo është korrekte politikisht dhe formalisht!
Nuk ka asnjë dyshim, përgjegjësia është individuale. Dhe kush ka gabuar, kush ka rrasur duart në thesin e parave publike, duhet të paguajë individualisht. Madje tre herë dhe trefish. Edhe penalisht, edhe politikisht, edhe moralisht. Penalisht për aq sa i peshon kandari i drejtësisë, politikisht, për t’u larguar nga politika dhe moralisht, për të mbajtur peshën e turpit publik.
Prognoza është e zymtë për disa që e panë karrierën politike si një pjesë e kolegëve të tyre të djathtë, që ende shpresojnë se koha që kanë kaluar në opozitë, ka qenë purgatori që i ka pastruar nga mëkate ngjethëse. Rasti i Doktorit është dëshmia më e qartë se kohë për t’u turpëruar ka gjithmonë me bollëk.
Për të dy palët, ndëshkimi penal si akt, nuk është synim në vetvete. Rrethi mbyllet vetëm kur produktet e veprës kriminale, edhe kur duket se janë larë e tharrë ligjërisht, të sekuestrohen e t’i kthehen publikut në formën e pasurisë publike. Mund të ndodhë që dikush të jetë shpallur apo edhe të shpallet fajtor me dosje gjyqësore që nuk bindin askënd, por nuk mbaron këtu.
Ka personazhe të cilëve shumëkush i numëron hektarët që blejnë me emra të afërmish në periferi të Tiranës, që planifikojnë ndërtime luksi në qendër të saj apo edhe inagurojnë komplekse hoteliere në jug të vendit duke rrezikuar të marë në qafë, dhe seriozisht kësaj here, jo vetëm veten, por edhe lavatricet e tyre të hekurta.
Ka personazhe të tjerë që si David Koperfildi, iluzionisti i famshëm, e shndërrojnë një copë tokë sa një shami hundësh në një lagje të tërë banimi dhe në të njëjtën kohë, besojnë se e shndërrojnë edhe veten në ëngjëll hakmarrës në emër të së drejtës.
Të tjerë, shumë të tjerë nga ata që e dinë edhe më mirë se vetë prokurorët se cfarë kanë bërë, janë në rradhë për të kaluar rradhën e llogarive të hapura.
Në një vend të vogël ku të gjithë i njohin të gjithë, është pothuaj e pamundur të fshihen nën mëngë thasët me para dhe paratë që dalin me grushte nga thasët.
Pavarësisht shiut që i vjen rrotull Tiranës së gushtit dhe protestave të opozitës që premtojnë të shtohen dhe ashpërsohen, duke nisur që me shtatorin, moti politik do të bëhet shumë më i nxehtë.
Ajo që nuk kuptojnë kundërshtarët e Ramës është që duke u sjellë si radikalë, vështirësojnë ditët qeverisjes, por në hesap të fundit, radikalizimi i situatës i vjen për mbarë dhe shkon osh me interesin e vetë kryeministrit. Ramën e dëmton paqja me beteja normale, kurse lufta pa paqe në mes, vetëm e forcon.
Kjo është mënyra e provuar që shtrëngon rradhët e militantëve në të dy anët dhe rrit edhe më tej shtresën e votuesve që nuk preferojnë të zgjedhin më të voglën mes dy të këqijave. Që edhe kur mohojnë Ramën, refuzojnë edhe Berishën me Metën.
Dy drejtuesit e rinj të opozitës duhet të kuptojnë se “armiku” i tyre përballë është duke rishpikur vetveten, cka e bën të domosdoshme që edhe ata të ndryshojnë. Sopata nuk ëshë armë e vetme dhe kur flet me zë të ulët, rriten shanset për t’u dëgjuar më larg dhe më fort.
Me gjasë, në vjeshtë Rama do të dëgjohet më shpesh të thotë: “Përgjegjësia është individuale!”. Dhe kjo është shtysa që do t’ia cojë duart tek veshi i atyre që do të përcillen në SPAK kapur për veshi. Ka të drejtë edhe sepse edhe merita për triumfin e katërt të socialistëve në zgjedhje, kështu sic po rrjedhin ujërat nën urat e Lanës, do të jetë gjithmonë e më individuale.